Klajda Gjosha: Rruga e Shqipërisë drejt BE, detyrime ka dhe opozita

Flet për “Koha Jonë”, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha

Intervistoi: Viola Thoma

Prej 24 qershorit 2014, Shqipëria mori statusin e shumëpritur të vendit kandidat. Dhe Bashkimi Europian që prej asaj dite i hapi asaj dritën jeshile drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane. Ndërsa në Shqipëri, pas marrjes së statusit ka pasur debate se e kujt ishte merita për të, e qeverisjes së kaluar apo e asaj aktuale?! Por cili ishte në fakt roli i ministrisë së Integrimit Europian, nën qeverisjen e majtë e drejtuar nga Klajda Gjosha? Në një intervistë për “Koha Jonë”, minisistrja e LSI-së flet konkretisht për punë e bërë nga dikasteri që ajo drejton, si dhe prioritetet dhe sfidat e së ardhmes, me qëllim që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt në BE, me tw drejta tw plota. “Opozita duhet të kontribuojë, sepse është detyrim i saj ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët duan ta shohin vendin sa më shpejt në Bashkimin Europian”, – shprehet ndër të tjera ajo…

Shqipëria tashmë mban statusin e vendit kandidat në BE. Njëkohësisht, ajo duhet të përmbushë disa kritere për t’u anëtarësuar plotësisht në strukturat e tij. Sa po punohet realisht për zbatimin e këtyre kritereve nga qeveria?

Janë 5 prioritete kyçe që na janë lënë nga Komisioni Europian për t’u përmbushur deri sa Shqipëria të kalojë në fazën e radhës së procesit të integrimit, e cila është hapja e negociatave. Puna nuk ka ndaluar në asnjë moment dhe treguesit kanë qenë të dukshëm dhe të qartë për secilin nga këto prioritete. Prej 1 viti ne kemi një Plan-masash, i cili i ka përcaktuar detyra të qarta për  të gjitha institucionet, por edhe afate për t’u plotësuar. Ky plan masash do të rishikohet duke u plotësuar me masa e reforma të reja. Gjithashtu, në shtator të vitit të kaluar ne ngritëm Grupet e Punës për monitorimin e 5 prioriteteve, të cilët do të mblidhen në shkurt, për të na ofruar një panoramë të qartë të gjithë punës që është bërë deri tani. Qeveria është e angazhuar maksimalisht të përmbushë të gjitha reformat, të cilat i shërbejnë të ardhmes së vendit, ndryshimit pozitiv që na çon më pranë familjes europiane. Duket qartë që po punohet në shumë sektorë paralelisht, në mënyrë që edhe rezultatet të jenë më të shpejta. Ministria e Integrimit Europian, ka rolin koordinues në këtë proces të rëndësishëm dhe si e tillë, raporton tek partnerët tanë për  punën e bërë, veçanërisht për përmbushjen e 5 prioriteteve.  

 

Si një vend kandidat në Bashkimin Europian, sa po kontribon opozita në integrimin e vendit?

Roli i opozitës është shumë i rëndësishëm. Tashmë kemi një opozitë të rikthyer në parlament dhe shpresojmë që të jetë krah nesh, qoftë edhe me ide e platforma ndryshe, për vendimmarrje që lidhen me procesin e integrimit. Opozita duhet të kontribuojë, sepse është detyrim i saj ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët duan ta shohin vendin sa më shpejt në Bashkimin Europian. Fryma bllokuese nuk i shërben askujt. Opozita dhe maxhoranca duhet të jenë bashkë në këtë proces.

 

Dekriminalizimi i Parlamentit është një nga kriteret kryesorë të vendosura nga BE, cilat do të jenë hapat që do të ndiqen?

Jo më larg se dy ditë më parë, maxhoranca ka pranuar propozimin e opozitës për drejtimin e një Komisioni Parlamentar që do të shqyrtojë 3 çështjet që përfshihen në rezolutën e miratuar në dhjetor dhe që  ka të bëjë me dekriminalizimin, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare.  Ky është një hap i rëndësishëm, i cili tregon për një vullnet të qartë politik nga të gjitha forcat, për të zbatuar këtë rezolutë dhe për të ndërmarrë hapa të mëtejshme, qoftë për dekriminalizimin e Kuvendit, qoftë për dy pikat e tjera.

 

 

Me marrjen e statusit të vendit kandidat janë hapur dhe grupet e reja të punës të cilat do të monitorojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Cilat janë kriteret matëse të efektivitetit të punës?!

Janë raportimet periodike të këtyre grupeve, të cilat monitorojnë afatet dhe mënyrën si realizohen masat e planifikuara apo nismat ligjore. Ne Ministrinë e Integrimit këto raportime janë të përmuajshme, ndërkohë  në shkurt është takimi i radhës i këtyre grupeve, siç ju thashë, ku do diskutohet bashkërisht me të gjithë aktorët për të rritur efektivitetin. 

 

Si e vlerësoni qeverinë e kaluar dhe paraardhësit tuaj në Ministrinë e Integrimit dhe cili ka qenë roli i tyre që Shqipëria të merrte pak muaj më parë statusin e vendit kandidat?

Procesi i integrimit është një proces që ka vijimësi dhe kurrsesi merita për mbarëvajtjen e tij nuk mund të jetë vetëm e një qeverie. Unë vlerësoj gjithë punën e bërë nga çdo qeveri në këto dy dekada përpjekjesh të Shqipërisë në aspiratën e saj europiane.  E kam thënë edhe më herët se çdo gur i vendosur në këtë mozaik, është shumë i rëndësishëm. 

A besoni se është realisht Shqipëria më para vendeve të tjera të rajonit , sa u përket reformave, për të pretenduar anëtarësimin në BE? 

Nuk dua të ndalem në krahasime me vendet e rajonit, pasi procesi i integrimit është specifik për secilin nga këto vende. Ajo që dua të theksoj është se përtej reformave brenda vendit, për të cilat angazhimi ynë është i palëkundur  për t’i çuar deri në fund,  të gjithë vendet e rajonit duhet të thellojnë bashkëpunimin pasi perspektiva jonë është e përbashkët.

 

A është reforma në drejtësi një kusht i vendosur nga BE-ja për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe a është bërë progres në këtë drejtim?

Reforma në drejtësi është çelësi i integrimit të vendit. Pa këtë reformë nuk mund të bëjmë përpara. Ka pasur disa zhvillime, tryeza në nivel teknik, por edhe të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe ne shpresojmë që të dilet shumë shpejt me një platformë të qartë për mënyrën si do të realizohet kjo reformë. Sa më shpejt të kryhet ajo, aq më shpejt ne do t’i kemi dyert e hapura për të vijuar me procesin e integrimit të vendit dhe për hapjen e negociatave. Reforma në Drejtësi është thelbësore.  

 

Një parti e majtë radikale sapo ka fituar zgjedhjet në Greqi, duke kërcënuar me një dalje të mundshme nga BE. A mundet të ketë ndikim negativ për Shqipërinë anëtarësimi në BE, nëse fqinji ynë Greqia merr një hap të tillë?

Shqipëria ka vetëm një destinacion, një objektiv të qartë që është: Anëtarësimi në Bashkimin Europian. Asnjë ndikim i jashtëm nuk mund të ndryshojë këtë objektiv. Për ne dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e sigurt është vetëm në BE. Jemi në rrugë të mbarë dhe nuk do të ndalemi me reformat e nisura, për të avancuar me axhendën tonë europiane.

 

A besoni se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të arrihet nga qeveria aktuale?

Dua të theksoj se Shqipëria sapo ka marrë statusin e vendit kandidat. Sfida jonë e radhës është hapja e negociatave, që ne synojmë ta realizojmë sa më shpejt. Për 5 vitet në vijim gjithashtu Bashkimi Europian, ka përcaktuar se nuk do të ketë anëtarësim të vendeve të reja. Megjithatë, jo vetëm për mua si Ministre e Integrimit, por për gjithë qeverinë, rëndësi ka që ne të ecim dhe të përparojmë sa më shpejt me këtë proces që për hir të së vërtetës është tejet kompleks. Integrimi i  Shqipërisë, është një rrugë pa kthim pas. Se cila qeveri do të jetë në krye të vendit kur të arrihet ky qëllim, këtë e vendosin qytetarët shqiptarë me votën e tyre që jepet njëherë në 4 vjet.