Duhet një i huaj të pajtojë dy shqiptarë!

Është një turp i vërtetë që duhet të vijnë nga Brukseli të na pajtojnë. Tamam si ato kalamajtë e katundit që zihen për një top lecke të rënë në bahçen e tjetrit. Eurodeputeti Eduart Kukan ka arritur në Tiranë të pajtoj liderët shqiptarë me njëri tjetrin! Si ka mundësi që nuk ka një praktikë ose të bëhet normë demokracie, që sa herë kanë probleme pozita me opozitën të takohen e të bisedojnë vetë, Edi Rama me Lulzim Bashën, pse jo edhe Ilir Meta e Bujar Nishani. Ç’të keqe ka nëse ulen e pinë një kafe, bisedojnë, zihen, pajtohen e prapë mund të mos jenë dakord për shumë gjëra, por ama ulen e flasin. E nuk vjen njëri nga jashtë Shqipërisë të na pajtojë si kalamajtë!

Duhet të futet edukata e takimit njëherë në muaj mes liderit të mazhorancës dhe liderit të opozitës. E fshehtë apo publike, pak rëndësi ka, por ama kështu punët ecin më mirë për të gjithë. Nuk e kompromenton liderin e opozitës takimi me liderin e mazhorancës sa herë ka probleme. Por edhe kur nuk ka probleme të takohen, pasi manifestohet një klimë më e qetë edhe në popull. Natyrisht kur nuk “ha pykë” kryeministri në takim apo në parlament ka protesta, pasi janë një normë demokratike e opozitës. Por ama lihen përherë kanale komunikimi mes njeri tjetrit. Në fund të fundit, të dy janë shqiptarë dhe punojnë për Shqipërinë, të paktën siç thonë publikisht. Atëherë pse u dashka të vijë një burrë i thinjur me emrin Kukan e të na pajtojë?! Të bredhë burri i botës, pasi nuk ka edhe shumë moshë për të lëvizur, e qoftë larg, mund të na e lërë edhe zemra, dhe të mbërrijë nga Brukseli se nuk pajtohen politikanët shqiptarë!

A ka më turp?! Do iki Kukan e do zihen prapë e do të vijë një tjetër Kurkan (!), pastaj një tjetër me emrin Kuskan(!), e më radhë nga Brukseli.

Kur do të vijë ajo ditë që lideri i mazhorancës dhe lideri i opozitës të takohen si njerëz normalë për një Shqipëri tjetër, më moderne?

Nikoll Lesi