Çfarë ishte dhe çfarë nuk mund të ishte Lëvizja e Dhjetorit 1990?

Sa herë vjen dhjetori debatohet për Lëvizjen e Dhjetorit 1990, ajo që nisi me daljen e studentëve në shesh për të kërkuar fillimisht pluralizmin politik, pastaj demokraci më të plotë, ndryshimin e rregjimit politik, hapjen ndaj Europës dhe të gjitha vlerat e tjera të një shoqërie demokratike. Në fakt, Lëvizja u mbështet nga popullsia e Tiranës dhe pastaj edhe më gjerë dhe solli gradualisht të gjitha ndryshimet juridike, politike, ekonomike që ne dimë.

Por dhjetori i këtij viti pati një veçanësi. Nga njera anë vazhdoi rituali për ta përkujtuar atë Lëvizje të gjerë sociale, madje si gjithmonë edhe për ta përvetësuar në mënyrë të njëanshme, duke fshirë edhe hije të saj në raportin dritë – hije, e duke e lënë vetëm si një ndodhi e kulluar përmbysëse, e panegociueshme, e panegociuar, dhe, nga ana tjetër, si asnjëherë tjetër, si reagim, por jo vetëm, këtë vit dëgjuam edhe sarkazma, vërejtje cinike, sulme, nxirje tërësore për këtë Lëvizje që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri dhe e futi këtë në një hulli tjetër qytetërimesh. Ndarja historike u krye dhe orientimi mbarëshqiptar nisi të shohë horizonte të tjera, çka tërhoqi pas një dhjetvjeçari edhe Kosovën drejt mëvetësisë dhe të drejta demokratike për të gjithë shqiptarët në Ballkan nisën të marrin rrugën e tyre. Bota shqiptare nëpërmjet emigrantëve u përhap në të gjitha kryeqendrat e qytetërimit perëndimor.

Puna shkoi deri atje këtë dhjetor, dhe jo rastësisht, që u hodh anatema se lëvizja e Dhjetorit u frymëzua, u nxit, u organizua dhe u drejtua nga agjentë të hapur dhe të nëndheshëm të ish shërbimeve të fshehta të shtetit komunist, nga vetë partia komuniste në fuqi, dhe nuk ishte veçse një marifet i tyre për të bërë gjoja një përmbysje ku do të linte në fuqi po rrethet dhe elitat e kohëve të kaluara, por në një kontekst të ri.

Këtu ja vlen të ndalemi. Këtu nis nxirja e historisë dhe jo e kësaj apo asaj partie politike, sepse kjo nuk më intereson aspak, por e aktit të popullit, e aktit historik të tij, që fshihet nga faqja e dheut, sikurse nxihen edhe akte të tjera kolektive dhe popullore përpara tij, histori që po nuk e thamë si duhet ne që ishim aktorë dhe spektatorë, në kënde dhe pozicione të ndryshme të atij viti, brezat e rinj do të bihen preh e manipulimit dhe e nihilizmit amnezik që ka tronditur prej kohësh ndërgjegjen tonë kombëtare.

Unë nuk di fakte të studjuar autentikisht nga vetë unë si kërkues shkencor që të më provojnë se agjentë të ish Sigurimit morën detyrën për të nxitur revoltat popullore kundër rregjimit, hynë në nivele të ndryshme të drejtimit të tyre dhe i orientuan ato. Por, fakti që nuk e kam studjuar këtë çështje nuk do të thotë asgjë. Ka shumë gjasa të ketë ndodhur dhe madje nuk kishte sesi të mos ndodhte. Ish sigurimsat do të kishin qenë budallenj po të mos e tentonin këtë, dhe të tillë ata nuk ishin. Nuk përjashtoj aspak që edhe organet drejtuese të partisë komuniste në fuqi të kenë udhëzime të fshehta për këtë apo atë që të bënte këtë apo atë veprim. Do të kishin qenë budallenj drejtuesit e tyre po të mos e bënin, dhe të tillë nuk ishin.

Mirëpo logjikisht edhe këto fakte që po i marr të mirëqena nuk ndryshojnë aboslutisht asgjë. Do ta argumentoj këtë sepse bërja e historisë nuk është vetëm nxjerrja e fakteve. Kjo është mbase pjesa më e lehtë e punës që mund ta bëjë më mirë madje një johistorian, dëshmitar i tyre, sesa një historian. Historiani nuk është ai që u tund telespektatorëve në hundë hipotekën personale të fakteve marrë kushedi nga çfarë rruge, por shpjegimi logjik i tyre. Historia është interpretimi logjik i fakteve dhe jo vetë fakti bruto apo objektiv, natyror, material. Shkenca fillon me shpjegimin jo me faktin.

A ka patur negociime dhe më tej infiltrime në Lëvizjen e Dhjetorit 1990 nga elementë të futur enkas atje nga strukturat e vjetra, të rrezikuara, për ta orientuar dhe manipuluar atë ? Këtë edhe një fëmijë, pa pasur nevojë të jetë historian, madje edhe një burrë ose grua me zhvillim të ngadaltë nervor dhe konjitiv, nuk mund ta trajtojë pa i dhënë detyrimisht një përgjigje pohuese. Po pse historian duhet të jesh për ta thënë këtë gjë kaq banale?

Por, pyetja nuk është kjo. Pyetja e vërtetë është nëse do të kishte qenë e mundur të ishte ndryshe dhe përse do të ndodhte medoemos kështu?

Le të shohim se çfarë ishin këto lëvizje demokratizuese ku ajo e Shqipërisë ishte ndoshta nga më të fundit apo në mos e fundit fare?

Demokratizimi nisi qysh nga viti 1985 në Europë dhe më gjerë pas reformave të Mikhail Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik. Sado timide që ishin, sado fasada, Perëndimi aty u kap, i njohu, i mbështeti dhe i orientoi në atë drejtim që duhej. Mos harrojmë se lëvizjet demokratizuese u stabilizuan dhe shkuan deri në fund vetëm pas takimit historik në anijet ushtarake sovjetike dhe amerikane në Maltë të ish Presidentit amerikan Bush (Senior) dhe ish Presidentit sovjetik Mikhail Gorbaçov. Më ka rënë rasti të lexoj pasazhe të dialogeve midis tyre dhe një nga më të rëndësishmit ka qenë kur presidenti amerikan e pyeti drejtpërdrejt atë sovjetik nëse kishte ndërmend të thyente me dhunë ushtarake demokratizimin e vendeve të Europës qendrore dhe në radhë të parë Solidarnostin në Poloni? Dhe presidenti sovjetik që shprehu angazhimin e tij se kjo gjë nuk do të ndodhëte. Semafori i të mëdhenjve kishte ndezur dritën jeshile për demokratizimin e vendeve ish socialiste duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Kush nga këta historianët amatorë që dalin nëpër ekrane televizive tani, si trima pas lufte, si “pas pilafi”, do të ketë mundësi t’i japë përgjigje pyetjes të thjeshtë : Kur kokat e dy kampeve gjigande negocionin për ndryshimet në Lindje, pra presidenti i fuqisë amerikane dhe presidenti i fuqisë sovjetike, dy titanët e kohës, a do të kishte vend që në këtë “provincë” të vockël, me popullsi sa një lagje qyteti metropol, demokratizimi të mos bëhej me negociime, tensione, marrëveshje, kompromise të përkohëshme? Kush i jep kësaj pyetje një përgjigje që kërkon ta nxjerrë nga logjika e tensionit por edhe e negociimit, do të kishte qenë sipas meje, ose një naiv, ose një i paditur, ose një provokator.

Kush mund ta injoronte presidentin e atëhershëm shqiptar Ramis Alia, kur vetë Bushi, presidenti i madh i superfuqisë, nuk neglizhonte Gorbaçovin që po i rrëshkiste toka në këmbë në ato kohëra?

Por, edhe poqese ndokush në Shqiëri do të kishte dashur një revoltë të kulluar, të egër, jashtë cdo negociimi, e ku do ta gjente mbështetjen, kush do ta mbështeste në arenën ndërkombëtare? A do ta mbështeste populli i tij njëherë?

Po le ta lemë skenën gjeopolitike botërore dhe të hedhim një vështrim në një shkallë tjetër, në një nivel tjetër, atë të vendeve të veçanta, me shumë më tepër peshë në arenën ndërkombëtare, me shumë më tepër peshë në anën ekonomike dhe demografike sesa Shqipëria, me shumë më tepër përvojë traditash politike sesa ne.

Mos qendrojmë shumë në ish Bashkimin Sovjetik e pastaj në Rusi, e më pas në të gjitha ato ish republika të ish Bashkimit Sovjetik. Gorbaçovi e la pushtetin në dorë të Jelcinit në Rusi, një tjetër gjerark i lartë komunist ky, çka e transmetoi pastaj te presidenti i sotëm Putin.

Ikim që këtej se dikush do të thotë : Epo Rusi hesapi!

Në Poloni marrëveshjte në formën e tavolinave të rrumbullakta të negociimeve dhe të kompromiseve midis liderëve të mëdhenj të Solidarnostti dhe gjeneralit komunist Jaruzelski njihen nga të gjithë. Vetë kalimi i pushtetit nga komunistët te Solidarnosti u bë gradualisht dhe madje me ndarja të vendeve në Dietën polake dhe në dhomën e dytë të legjislativit polak. Komunistët do të ruanin shumicën në njerën dhomë të pushtetit legjislativ kurse Solidarnosti do të kishte dy të tretat në dhomën tjetër. Ky ishte kalimi i qetë në demokratizim ku midis mosbesimit të natyrshëm, mekanizmi i transformimit u gjend te negocimi i pushteteve.

Po në Hungari, a nuk ishin transformimet brenda partisë komuniste që gradualisht u hapën udhë të gjitha pistave të tjera demokratizuese. Tê mos flasim për Rumaninë që tregon në fakt gjithçka të kundërt me atë që i japin për hise gabimisht. Caushesku u ekzekutua, por atë vrasje e bënë ish shokët e tij, komunistë të ardhur në pushtet me veshje të tjera dhe me mbështetjen e forcave agjenturore sovjetike, jugosllave, etj.

Për ish Jugosllavinë as mos flasim fare, Serbia pas gardës të vjetër komuniste vetëadministruese nuk dha dot ndonjë lider më të mirë sesa kasapi i Ballkanit, ish komunisti nacionalist Sllobodan Milosheviç. Por, edhe në vendet e tjera ish jugosllave e njejta gjë ndodhi por me forma të buta paqësore.

Pra, po ta shohim, situatën demokratizuese edhe në vendet e tjera, shumë më të mëdha sesa vendi ynë, do të vemë re, se lëvizja u inicua nga lart, u zhvillua nëpërmjet negociimeve, mes tensionesh ku kompromisi dhe kërcënimet reciproke ishin në rend të ditës dhe plotësonin njeri tjetrin, dhe kjo ishte formula e dhënë edhe nga modeli i propozuar nga negociatorët e fuqive të mëdha të botës.

Ku është këtu veçanësia shqiptare? Ku është këtu alternativa për ta bërë ndryshe? Ku ishin ata atëhere këta trimat që tani angërdufen në kolltuqe studiosh televizive për të propozuar, nisur dhe projektuar konkretisht një alternativë tjetër? Përse nuk e bënë? Përse nuk i ndoqi njeri pas? Këto janë pyetjet dhe jo pohime banale se Lëvizja e Dhjetorit 1990, nuk ishte e pastër, ishte shumë e infiltruar, e ndikuar, me shumë kompromise.

A thua se po zbulojnë Amerikën, po eksplorojnë Hënën, apo po gjejnë ar në Perëndimin e largët! Cfarë ka këtu për të zbuluar si skenar i fshehtë, çfarë ka këtu për të thënë me patetizëm a thua se nuk po thuhen ato që i di hapur gjithë qyteti dhe fshati? A nuk ishte qeveria që udhëhoqi një periudhë të mirë vendin një qeveri e kompromisit historik, qeveria e stabilitetit, ku kishte eksponentë që vinin nga partia komuniste dhe eksponentë nga partia demokratike? Ja ku është bashkëpunimi, kompromisi, negociimi, tensioni në aleancë? Pse duhet ta gjejmë te forcat e fshehta, te takimet e natës, te kontaktet te wc, dhomat e hoteleve, nëpër avionë, te dhomat e ndjetjes të disa apartementesh miqsh, te rrugica me pemë të harlisura të Tranës së Re, te hotelet buzë detit, e ku e di unë ku tjetër, që shumë qytetarë të thjeshtë i shihnin tek hynin e te dilnin? Bashkëpunimi ishte në qeverisje, hapur, në dritë të diellit, madje edhe me bekimin e diplomatëve të huaj, tê Kuvendit, dhe të shumicës të elektoratit.

Po ish agjentë që merrnin pjesë në këto bashkëpunime e që kalonin nga njera anë e peshores të forcave politike te tjetra, a kishte? Pyetja është : Si mund të mos kishte? Kryeministri i fundit i Lindjes në Gjermani, nuk ishte fare komunist, por bashkëpunimin me Stazin e ka pranuar në rrëfimet e tij. Kush ishte dallimi midis një “agjenti të fshehtë” që vinte në Lëvizjet demokratizuese nga rradhët e partisë nga agjenti i fshehtë që vinte nga rradhët e ish policisë sekrete politike? Asnjë.

Unë kam ndruajten e madhe, për të mos thënë se jam fare i sigurt që amatorët e sotëm që hedhin baltë duke wc-izuar historinë e kombit tonë e duke lartësuar atë të botës, duke mallkuar historinë për formën sesi ajo u bë, pa na treguar sesi mund të bëhej ndryshe, pa e bërë ata vetë në atë kohë ndryshe, nuk e kanë haberin nga historia reale, nga ajo e përgjithshme jo se jo, por as nga historia politike e shekujve. Nuk thashë se të gjithë janë të palexuar. Por, shpesh dyshoj se kanë lexuar vetëm libra humanistikë qê lartësojnë duke zbukuruar historinë e revolucioneve të dikurshme, kanë lexuar kujtime historike, doktrina ish udhëheqësish historikë, dhe e marrin të gjithë sapunin për djathë, harrojnë të pyesin : Kjo që po lexojmë është historia reale apo historia e rrëfyer nga aktorët shoqërorë të saj? Ata kanë lënë pas dore atë që quhet “zbukurimi i së shkuarës” dhe kanë rënë viktima të tij.

Ku ka revolucione politike ku gjithçka të mos ketë nisur nga një degradim i brendshëm i klasës politike sunduese? Gjeni një rast. Vetë revolucionet demokratike borgjeze ishin një pasojë edhe e sherrit brenda elitave drejtuese, mbretit, fisnikëve, klerikëve të lartë etj. Ku ka revolucione politike në histori ku lëvizjen transformuese të mos e kenë filluar vetë segmente elitare apo individë elitarë brenda klasave sunduese politikisht? Tjetër punë se pastaj në histori u është prerë koka, meqë revolucioni pasi nis ecën tutje dhe del edhe nga kontrolli i atyre që e inciuan. Sepse rezultatet e revolucionit janë të tjera nga objektivat e atyre që e zanafillojnë. Kush gjen vetëm vazhdimësi mes tyre, pra mes objektivave fillestare dhe rezultateve finale, nuk është veçse një naiv ose i paditur. Ai ka lexuar dy libra, por akoma nuk ka lexuar ata tre të tjerët që i plotësojnë dy të parët.

Brenda transformimeve të klasave politike, atyre sunduese, dhe atyre që vijnë në pushtet me dhunë ose paqësisht, lëviz populli, mërmërima popullore, pakënaqësia popullore që është si ajo rryma elektrike që vjen nga transformimi i energjisë mekanike të ujit, që pa llampën nuk jep dritë, por kush sheh vetëm pjesën që duket të procesit, dhe kujton se dritën e jep vetëm llampa, ky nuk e di se bora e shkrirë në male ashtu paqësisht, solli valë ujore gjigande, e rrymën që llampa ndez. Llampa ndriçon një kohë e fiket, kurse uji është gjithmonë aty dhe qarkullon parreshtur…

Kush spiun i rregjur do të kishte fuqi magjike dhe tërheqëse të mblidhte dhjetra e qindra mijë persona në sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë? Puna ishte se populli ishte i pakënaqur, i uritur, dhe i zemëruar politikisht, aspironte një alternativë tjetër demokratike dhe europianiste e perëndimore.

Kush spiun i rregjur do të kishte fuqinë të nxirrte nga auditori me mijra studentë dhe t’i mblidhte në sheshin e qytetit “Studenti” Per të refuzuar të ktheheshin në mësim pa marrë premtimet për reforma demokratike?

Kush spiun i rregjur do të kishte pasur mundësi që ta bënte popullin të votonte jashtë vullnetit të tij për forcat politike antikomuniste?

Kush spiun i rregjur do të kishte pasur dëshirën nga vetvetja që të kryente detyrën e tij duke përmbysur një botë ku ai pasi kishte përdhosur dhe nxirë jetën të tjerëve të donte të dilte pa mbrojtje përpara opinionit publik nëse ky i fundit të mos e kishte vendosur përpara detyrimit për të vepruar kundër vetes?

Tjetër llampa që kujton se ndriçon nga vetvetja dhe tjetër zinxhiri që prodhon dritë ku forcat shkakësore qendrojnë të pandriçuara, janë në hije, por janë ato që japin impulset, janë shtrati i pandalshëm i ndriçimit. Llampa sigurisht ka rolin e vet, pa të asgjë nuk bëhet, por është pjesa që duket, ajo mund të jetë me pak ose me shumë wat, ajo mund të digjet dhe ndërrohet, por nuk mund të krenohet se ajo është eksluzivisht burimi i dritës…

Po si mund të kishte një tranzicion pa kompromise, pa negociime, që sigurisht formuloheshin mes mosbesimit dhe ndjenjave jo miqësore midis grupeve të ndryshme politike? Cfarë do të ndodhëte që nga njera anë të vendoseshin ata që mbronin pushtetin deri në pikën e fundit të gjakut dhe nga ana tjetër ata që me gjak dëshëronin ta merrnin pushtetin duke shkatërruar të vjetrin? Dhunë dhe gjak do të dilte. Këtë evitoi ai brez politikanësh, cfarëdo të thonë ata sot, apo të thuhet për ata sot.

Ne e kemi edhe eksperimentin e dhunshëm, 1997. Ndofta 1997 do të kishte filluar qysh në 1990 dhe me shpresë mund të kishte mbaruar në vitin 2000, ose asfare. Do të thotë dikush, jo, e ke gabim, se historia tregoi se Europa shkoi drejt paqes. Sigurisht, por në vitin 1990, askush nuk e dinte këtë, kjo është një e vërtetë e mëpasshme që asnjeri në atë kohë as nuk mund ta dinte, edhe nëse e shpresonte si mundësi, nuk ishte i sigurt për të.

Mes rrezikut të gjakderdhjes dhe tranzicionit paqësor, por nën trysninë e masave në rrugë, u zgjodh rruga e dytë, si me kosto transaksionale më të lehta.

Po atëhere, nëse negociimi dhe kompromisi ishte pjesë e lëvizjes politike, ku qendron e veçanta, cfarë sakrifikuan aktorët politikë që dolën në skenë?

Sepse veç kompromisit, atje pranë, fshihej edhe tensioni, pabesia, urrejtja, rreziku, loja prapa krahëve, askush nuk kishte siguri as për jetën, as për fatin e tij dhe të familjes së tij. Prandaj sakrifica gjithkund ishte e pranishme. Cdo çast historia mund të bënte kthime të menjëhershme pas, si me gjyqin kundër deputetëve, si me Konferencën e Tiranës, si me grupet armiqësore liberalizuese, sikur tentativë u bë me puçin e gjeneralëve në Moskë, e ku e di unë tjetër.

Kjo është për lidershipin sepse për masën e popullit, ata që përbënin dhjetra mijra, pa dyshim që sinqeriteti i lëvizjes shkonte aq larg sa nuk mungonte as edhe doza e naivitetit. Por, nuk ishte kollaj psikologjikisht të hypje në anije për emigrim.

Pra sipas meje Lëvizja e Djetorit 1990, nuk mund të ishte një revolucion politik i ashpër, vetëm me dy anë armiqësore pa kontakt, gati për ta ngrënë me dhëmbë njera tjetrën. Ishte më shumë një evolucion politik mes negociatave, kompromiseve, tensionit, presionit, mosbesimit, sikurse është politika në përgjithësi. Sikurse ndodhi demokratizimi gjithandej. Aq ishte hapësira politike për të vepruar, aq bënë aktorët politikë të kohës në të dy krahët. Të tjerat janë episode brenda këtij konteksti të madh historik brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por, nuk ishte as edhe një asgjë, një lojë e ndyrë, një teatër i madh prej gjasme, një shtirje e pashoqe, sepse brenda negociimit dhe kompromisit vlonte rreziku, mundësia e dështimit, tensioni i ashpër, kërcënimi.

Duke mos qenë një revolucion i kullur politik pa asnjë urë negociuese, por një evolucion disi gradual, a la kjo pasoja për të ardhmen? Nuk përjashtohet, por nuk është kjo pyetja. Pyetja në histori nuk bëhet : Si mund të bëhej ndryshe? Pyetja në histori bëhet : Pse u bë ashtu?

E si mund të të bëhej ndryshe veçse si një evolucion kur pjestarë të të njejtit fis, pjestarë të njejtit grup shkolle u ndodhën në anë të kundërta politike? Si mund të ndodhëte kur në shesh ishin studentët, ata me biografi përgjithësisht “të mira” që ditën thërrisnin kundër pushtetit komunist, kurse në darkë mblidheshin me prindërit antarë partie që i donin dhe i respektonin shumë si prindër, apo u telefonin atyre nga larg?

Artan  Fuga