Një këmbë në Kuvend, tjetrën në protesta

Një marrëveshje sa për sy e faqe. Kështu mund të cilësohet gjithë aksioni i Partisë Demokratike për të arritur një pakt me mazhorancën që do të sillte kthimin e saj në Kuvend. Gjatë 24 orëve të fundit, i dërguari i Parlamentit Europian, Knut Flikenshtajnit, ka zhvilluar takime me të gjithë përfaqësuesit kryesorë politikë në vend. I dërguari i PE-së la të kuptohet se më datën 24 dhjetor Partia Demokratike do të jetë në Kuvend. Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se i takon mazhorancës të bëjë hapat e duhura. Nëse ndjek qëndrimet e mazhorancës rezulton se nuk ka ndonjë pikë për të cilën ajo nuk ka rënë dakord. PD-ja ka kërkuar respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Është e pakuptueshme se përse duhet një marrëveshje kur qeveria, ministritë dhe çdo institucion në vend e ka për detyrë të zbatojë vendimet e gjykatave. Por, sado paradoksale që duket kjo kërkesë, mazhoranca ka pranuar të diskutojë edhe për këtë çështje gjatë negociatave me ndërkombëtarët dhe Partinë Demokratike. Kërkesa e dytë në draftin e marrëveshjes së Partisë Demokratike është caktimi i minutazhit të njëjtë për të folur në Kuvend, si për Kryeministrin ashtu dhe për kreun e grupit parlamentar të partisë më të madhe në opozitë. Edhe kjo kërkesë ka kohë që është marrë në konsideratë dhe është realizuar nga ana e mazhorancës. Kërkesa e tretë për dekriminalizimin e Kuvendit është më e debatueshmja, jo se e kundërshton mazhoranca, por për faktin se Kushtetuta dhe ligjet e kanë të trajtuar në mënyrë të qartë këtë çështje. Deputeti Taulant Balla bëri të ditur dje se mazhoranca ishte në pritje të një propozimi ligjor për dekriminalizimin e Kuvendit. Por theksoi se ky propozim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe pas konsultimit me Komisionin e Venecias. Pra, realisht PD-ja nuk ka një projekt konkret sesi do të bëhet dekriminalizimi i Kuvendit, por vetëm ka shprehur dëshirën. Me përgjigjen e dhënë dje nga Balla, si përfaqësues i deputetëve socialistë, për mazhorancën çështja e marrëveshjes quhet e mbyllur. Të tre kushtet e PD-së nga mazhoranca duken të plotësuara dhe tashmë duket se vetë fjala ‘marrëveshje’ nuk ka më kuptim, kur mes palëve të paktën në parim nuk ka asnjë mosmarrëveshje. Megjithatë, asgjë nuk është firmosur ende dhe pritet që dështimi apo jo i negociatave, të vendoset pas ardhjes së eurodeputetit Eduard Kukan në Tiranë. Çdo gjë duket se do të kushtëzohet nga zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe jo aq nga qëndrimi i mazhorancës. Këto të fundit, pra PS-LSI, në qëndrimet publike kanë deklaruar se është gati të pranojnë çdo propozim të opozitës. Por normalizimi i situatës duket se nuk i shkon më për shtat vetë opozitës, e cila faktorizohet vetëm përmes bojkotit dhe rrugës së protestave. Arritja e marrëveshjes vjen si një presion i brendshëm i deputetëve të Partisë Demokratike. Mes ligjvënësve të selisë blu, prej ditësh qarkullon një opsion se një pjesë e tyre do të hyjnë në Kuvend në datën 24, me apo pa dëshirën e kreut të partisë Lulzim Basha. Për të shpëtuar mandatet e tyre, duket se një pjesë e deputetëve, sidomos ata që nuk u shpërblyen me poste gjatë zgjedhjeve në parti, janë gati të thyejnë bojkotin për të shpëtuar mandatet. Por edhe për krijuar një grup të ri parlamentar nga gjiri i selisë blu. Kjo e dëmton shumë lidershipin e ri demokrat, ndaj ai po manovron në një terren të akullt demokrat.

Përballë kësaj situate, kreu i Partisë Demokratike ka vendosur të shmangë përçarjen e grupit parlamentar duke miratuar hyrjen në Kuvend më 24dhjetor. Me apo pa marrëveshje, Basha dhe drejtuesit e PD-së do të pranojnë të hyjnë në Kuvend, qoftë edhe vetëm për një ditë. Në këtë mënyrë, PD-ja shpëton mandatet e deputetëve, shmang çarjen e grupit parlamentar dhe justifikon negocimin e ndërkombëtarëve për të normalizuar jetën në Kuvend. Kjo është vetëm loja për të shpëtuar mandatet dhe gjasat janë që PD-ja pas festave të fundvitit, t’i rikthehet bojkotit të Kuvendit. Nëse lexon mes rreshtash thirrjet e kreut të PD-së, ish-kryetarit të saj dhe deputetëve të tjerë, rezulton se opozita është gati për protesta dhe reagim popullor. Nuk është se i intereson prania në Kuvend, ku numrat janë gjithmonë në disavantazh për nismat e opozitës. Ndaj dhe marrëveshja është një shpikje për të futur një këmbë në Kuvend dhe për të shpëtuar mandatet. Këmba tjetër e PD-së është në shesh dhe në protesta.

Kjo është manovër e cila kuptohet edhe pa patur informacione nga brenda selisë demokrate. Lulzim Basha faktorizohet si kryetar dhe lidership i opozitës vetëm me anë të protestave pa ndalesë dhe me përplasje me kryeministrin. Kjo e bën atë të jetë lidership edhe shpirtëror për demokratët, të cilët akoma kujtojnë Berishën i cili me një fershëllimë të Shaban Memisë mblidheshin dhe nuk rreshtnin  ditë natë në protestë. Natyrisht që kohët kanë ndryshuar porse PD është parti e shpirtit luftarak dhe e protestave ndaj pa këtë shpirt ajo vyshket dhe fishket. Zoti Basha e di mirë pasi e njeh mirë tashmë PD-në dhe këtë po mundohet të bëjë; të kthehet në shpirt e flamur për demokratët, ndonëse sa të jetë prapë ai Burri në katin e 14-të duke vështruar poshtë në Bulevard , përsëri Basha  e ka të vështirë të zbeh imazhin e tij 24 vjeçar. Por realisht PD ka nevojë për Bashën e jo për imazhin e së kaluarës !

Qamil  Xhani