Ben Blushi, shigjetë në thembrën e “Akilit”

Një debat jo i zakontë u zhvillua dje në Kuvend, lidhur me reformat e qeverisë. Shkak është bërë kalimi i ndryshimeve në Kodin Penal që dënojnë personat të cilët ndërtojnë pa leje  me nga dy deri në tetë vite burg. Qeverisja është vënë në kritika për këtë propozim, jo nga opozita, por nga vetë deputetët e saj. Në rreshtin e kritikuesve ndaj kësaj nisme u vendosën deputetët Ben Blushi dhe Spartak Braho. Veç argumenteve juridik të sjella nga njohësit e mirë të ligjeve, si deputeti Braho, ishte dhe qëndrimi i deputetit Ben Blushi ai që shkaktoi më shumë debate brenda mazhorancës dhe solli reagimin e vet kreut të qeverisë, Edi Rama.Ka kohë që Rama dhe Blushi nuk janë më miq,si dikur, dhe sapo iu del shtegu të përplasen nuk ia përtojnë thumbimit të njeri tjetrit. Të dy janë ekselentë në  duele. Por njeri është kryeministër e tjetri pa asnjë post qeveritar, ndonëse e meritonte. Kanë  histori të gjatë të dy, bashkëpunimi e ndarjesh,  herë miqesie dhe shumëherë “ferkimi”. Në vertetë të dy janë ikonat e PS-së, në mënyra të ndryshme, por janë emblematikë në atë seli rozë.  Ka rrjedhur shumë ujë  aqsa duket sikur nga një perrua tashmë është bërë lumë ndarja mes tyre,ndonëse prapë nuk i dihet miqësisë së tyre edhe kur të tjerët mendojnë se janë armiq!  Por për momentin sa herë i del për të shigjetuar në drejtim të Ramës , nuk ia përton Beni. Edhe dje Blushi shprehu qëndrime që lidhen jo thjesht me mënyrën sesi e sheh qeveria ligjin për ndërtimet pa leje, por për një pjesë të mirë të aksioneve të mazhorancës së sotme. “Është e padrejtë, pa dashur të kthej në polemikë, që fjala burg më shqetëson, jo vetëm mua por shumicën këtu, dhe po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit. Nuk besoj se burgu është mundësia më e mirë për të korrektuar. E kanë provuar 50 vjet shqiptarët. Kush thyente ligjin shkonte në burg, nuk jemi më aty. Ka instrumente të tjerë shteti didaktik, verbale, pastaj gjoba dhe pastaj burgu për t’i korrektuar”,- tha Blushi. Deputeti socialist nuk është ndalur vetëm në ligjin në fjalë, por në mënyrë direkte ka shprehur një shqetësim që po haset shpesh në opinionin publik lidhur me disa  reforma të qeverisë. Një shqetësim, zhurmën e së cilit ka nisur ta ndjej gjithnjë e më afër kryeministri Edi Rama, teksa në replikë me deputetin Blushi tha se “kritika nuk është origjinale”, pasi diçka të tillë ia thotë shpesh opozita. Kjo e njësimit me “opozitën” , që e krahasoi me të, Ben Blushi do jetë duke menduar se kur t’i dali prapë në shteg Edi Rama, që do t’i dalë patjetër, ta shigjetoi më mirë, pasi akoma nuk i ka futur helm shigjetës së tij si në filmin me Akilin. Blushi është nga ata që nuk nxitohet.Ai pret, por në moment kur del prapë “Akili” në sheshbetejë e nxjerr “harkun” dhe shigjeton. Stil Bin Beni, që dikur e pati përdorur në kohën kur ishte kryeministër Majko, ndonëse Edi Rama nuk është Majko, në atë sens që hahet kollaj. Por edhe Akili e kishte një pikë të dobët ! Në këtë teatër “lufte” ka shumë aktorë. Ilir Meta rri e vështron, me atë qetësinë olimpike. Raportet e Blushit kohët e fundit me kryetarin e parlamentit Ilir Meta janë bërë më të afërta, dhe shumëherë gjenden në një tavolinë duke folur për një të ardhme më të mirë të politikës, në përgjithësi. E kjo duket se nuk përkthehet mirë në kampin e qeverisë. Megjithatë dje ishte pjesa e parë e “nxemjes” në këtë mot dimri. Ka ende kohë;aty janë prapë  Beni,shigjeta ,” Akili” dhe “Agamemnoni”! 

Qamil  Xhani