Mesazhi i protestuesve opozitar është më i rendësishmi

 Menjëherë pas përfundimit të protestës së paralajmëruar të koalicionit opozitarë, të kryesuar nga Partia Demokratike, paraditen e të shtunës, vendin e deklarimeve të mëparëshme hamendësuese rreth pjesëmarrjes në të, e zuri gara e numrit të protestuesve të qenë prezent në shesh.

Sipas PD-së, e cila ishte dhe sponsorja e kësaj proteste anti-maxhorancë qeverisëse, në sheshin “Skëndërbej” u arrit të grumbulloheshin  dyqind mijë vetë, çka ishte parathënë publikisht edhe më parë.

Në prononcimin e vet në rrjetin facebook, deputeti i përjetshëm i kësaj partie, Sali Berisha, i shtoi kësaj shifre edhe pesëdhjetë mijë protestues të tjerë, duke e shpënë në dyqind e pesëdhjetë mijë vetë numrin e protestuesve të ardhur, jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Disa orë më pas, duke ju referuar matjeve të bëra nga “google earth”, disa media publikuan se në protestën opozitare të paradites së të shtunës nuk ishin pjesëmarrë më shumë se dymbëdhjetë mijë persona që, gjithsesi, referuar shifrës së protestës së opozitës të organizuar në 20 shkurt të po këtij viti, ishte një shifër ndjeshëm e rritur.

Në atë protestë shkurti u raportua se ishin pjesëmarrës rreth tre mijë persona protestues, çka don të thotë se, për tetë muajt në vazhdim numri i të pakënaqurve ndaj qeverisjes dhe drejtimit të vendit rezulton të jetë rritur me më shumë se nëntë mijë persona. Një shifër aspak për tu anashkaluar kjo dhe që duhet ta bëjë koalicionin e maxhorancës qeverisëse të reflektojë seriozisht në nxjerrjen e përgjigjësive, pa iu bashkëngjitur lojës me numër pjesëmarrësish, që bën pjesa e plakur e opozitës.

Kjo jo se numri i pjesëmarrësve në protestën e 22 nëntorit është fare i parëndësishëm, por nuk është më i rendësishëm sesa mesazhi që përcillet e që ka në themel shtimin e pakënaqësisë me hapa galopante. Të pakënaqësisë së qytetarëve protestues, nga mënyra e drejtimit të vendit.Të numrit të qytetarëve protestues që tetë muaj më parë ishin katër herë më pak e që këtë herë, edhe sikur t’i heqësh pjesën militante të pjesëmarë në të, përsëri del të ketë qenë disa fish më i madh se numri i atyre të pjesëmarrë në protestën e 20 shkurtit.

Pikërisht sepse e ka testuar pakënaqësinë në rritje të revoltës ndaj koalicionit të rilindjes, që po heziton të veprojë për përmbysjen e situatës së trashëguar dhe sjelljen e një trendi të ri politik0-social, opozita e dështuar tetë muaj më parë me mosgrumbullimin masive në protestë, guxoi të ndërmarrë iniciativën e thirrjes së kësaj të dytës, që, nëse do të ishte qoftë edhe e barabartë në pjesëmarrje me atë të shkurtit 2014, do të konsiderohej jo vetëm dështim, por edhe injorim për pretendimet e saj.

Gjë që nuk ndodhi dhe pikërisht këtu duhet të fillojë zgjidhja e ekuacionit me jo të panjohura nga maxhoranca, që nuk di ta ndalë nepotizmin dhe pushtimin e administrates publike nga të afërmit, klanet e militantët. Sikundër nuk po ja del të çliroj sistemin e drejtësisë nga korrupsioni e antiligji. Sikundër nuk po ja del të verë në eficencë ekonominë e të rise të ardhurat. Sikundër nuk po ja del të ndaj shapin nga sheqeri etj. Por edhe që po bën sikur nuk e kupton se nuk mund të ketë asnjë shans rilindjeje të vendit për sa kohë socialistët prijës të koalicionit do të vazhdojnë të bashkëqeverisë me po të njejtët kontigjente drejtuesish të paaftë e të përfolur për përfshirje në afera korruptive të partisë, që dje ishte në koalicon me opozitën e sotme protestuese, e që ka pjesën e vet të madhe në humbjen e zgjedhjeve të qershorit 2013.