Fatura e “fshehur” e energjisë

Blerina Hoxha*

Para tre vjetësh, kur kriza në Eurozonë nisi të kulmonte edhe në ekonominë tonë, opinioni publik ishte duke pritur atëherë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, se me çfarë pasojash na duhej të përballeshim. Por ai të cilin ish-ministri ekonsideroi si rrezikun e vërtetë të ekonomisë zhgënjeu shumëkënd në atë kohë, madje edhe ekspertët e fushës. Sot, pas katër vitesh, lajmërimi i Bodes se, sektori i energjisë do të jetë kërcënimi më i madh për stabilitetin e ekonomisë dhe financave publike, erdhi në përmasa edhe më të mëdha se sa pritej.Për tri vitet e fundit, orteku i madh i borxheve të kompanive është përplasur në buxhetin e shtetit me fatura miliarda lekë, të cilat po u transferohenkonsumatorëve në formën e taksave më të larta.

Buxheti i vitit 2015 është në fazën e miratimit në Kuvend dhe plot 20 miliardë lekë shpenzime ia dedikon borxheve në energjetikë. Kjo shumë është më e madhe se sa shtesa që do t’i vijë buxhetit vitin që vjen nga rritja e taksave. Të gjithë ne jemi duke e paguar faturën e energjisë shumë më tepër se sa shënon matësi.

Ajo që paguajmë, por nuk e dimë, janë faturat e energjisë që paguhen me fonde të buxhetit të shtetit, të cilat do të duheshin të ktheheshin në shërbime më të mira. Më e rënda është se, ata që paguajnë energjinë, paguajnë edhe taksat, për atë pjesë të konsumatorëve që u shmangen detyrimeve tatimoredhefaturës së dritave. Arka e shtetit, vitet e fundit, është ngarkuar nga barrë jo e natyrshme, e cila jo vetëm po shihet si rrezik për stabilitetin ekonomik të vendit, por edhe një rëndesë e pakuptimtë për pjesën e ndershme që paguan të gjitha detyrimet.

Fatura 20 miliardësh e energjisë nga buxheti 2015

Kompanisë së shpërndarjes së energjisë, në një vit, i duhen mbi 30 miliardë lekë, që janë rreth 300 milionë dollarë për të kryer blerjet e nevojshme të energjisë për mbulimin e konsumit dhe shpenzimet e tjera të personelit. Kjo e ardhur normalisht duhet të grumbullohet nga shitja e energjisë, por ky parim, në këtë rast, nuk vlen, pasi gati e gjysma e sasisë që hidhet për konsum nuk paguhet. Këtu ndërhyn buxheti, duke marrë një pjesë të barrës. Fatura e buxheti për vitin që vjen për energjinë arrin në 1.7% të PBB ose 20 miliardë lekë, sipas relacionit të buxhetit. Kjo shumë është vetëm 30% më pak se të ardhurat totale që i duhen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për të mbuluar shpenzimet.

Këto shpenzime që buxheti ka parashikuar për energjinë vijnë si mbështetje direkte dhe indirekte, nga të cilat 15 miliardë lekë janë letër garanci që qeveria merr përsipër të lëshojë ndaj kompanive KESH e OSHEE për importin e energjisë. Një shumë tjetër prej 3 miliardë lekësh do të përdoret për importe emergjente dhe 1.6 miliardë lekë do të përdoren për subvencionin e shtresave në nevojë si rrjedhojë e heqjes së fashës mbrojtëse 300 kilovat/orë në muaj.

Por do të ishte ngushëlluese nëse buxheti do të rendohej vetëm një vit nga barra e energjisë. Parashikimet nuk janë optimiste. Nëse çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i pandryshuar dhe niveli i humbjeve nuk do të zbresë nën 20%, buxheti do të vazhdojë të paguajë barrën e energjisë me më shumë se 15 miliardë lekë në vit edhe sipas vlerësimeve të Fondit Ndërkombëtar. Shpenzimet nga buxheti dedikuar energjisë zënë rreth 5% të totalit të shpenzimeve buxhetore dhe mbi 1.5% të PBB-së.

Ky zë i ri në shpenzimet i ka zhvendosur energjitë e qeverisë nga sektorët e tjerë që do të sillnin rritjen ekonomike të vendit. Për këtë shkak, zëri i investimeve, sidomos në infrastrukturën rrugore, ka rënë dy vitet e fundit. Qeveria ka hequr dorë nga projektet madhore të infrastrukturës, të cilat ishin burimi kryesor i rritjes ekonomike, duke financuar nga buxheti faturat e papaguara të energjisë.

Në një situatë normale buxhetimi, fatura 20 miliardëshe e shpenzimeve për energjinë duhej t’u kthehej taksapaguesve në më shumë shkolla, shërbime spitalore dhe në të mira të tjera publike që vijnë nga një qeverisje e mirë.

Akumulimet 50 miliardë lekë të këtij viti

Pas vitit 2009, mbështetja buxhetore për energjinë ka qenë e lartë. Më 2011 dhe 2012, buxheti kreditoi me fonde të drejtpërdrejta importin e energjisë, për shkak të emergjencës që lindi nga mungesa e prodhimit vendas. Kjo shënoi një precedent të paaplikuar më parë, i cili mori kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Por barra erdhi gjithnjë e më shumë. Mbështetja indirekte për sektorin e energjisë vijoi të jetë gjithnjë e më e lartë. Kjo përfshin kredi të garantuara ndaj KESH për importet e energjisë elektrike, si dhe borxhin e institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore. Nevoja për kredi me kushte tregtare nga KESH u rrit në mënyrë drastike në fund të vitit 2012, kur CEZ ndaloi importimin e energjisë për të mbuluar humbjet e shpërndarjes. Si rezultat, KESH,si furnizuesi i fundit, duhet të rriste importet e energjisë elektrike për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve tariforë. Por bankat tregtare në vend, duke parë nivelin e lartë të riskut që paraqisnin kompanitë për kthimin e kredive, kërkuan garancinë e shtetit për të dhënë hua të tjera. Si rrjedhojë, overdrafti i garantuar i KESH në fund të vitit 2013 arriti në 29 miliardë lekë dhe kjo shumë u rrit edhe mbi 13 miliardë lekë këtë vit. Aktualisht, garancitë e buxhetit ndaj KESH i kanë kaluar të 40 miliardë lekët ose rreth 400 milionë dollarë. Një faturë indirekte që duhet të paguajë buxheti është vlera 96 milionë euro që i duhet kthyer kompanisë çeke, CEZ për rimarrjen e pronësisë në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Kjo faturë, në fakt, është programuar të shlyhet nga buxheti i OSSHE, por, gjithsesi, kjo do të jetë një shumë e munguar në të ardhurat e kompanisë, duke detyruar kështu buxhetin të kompensojë CEZ për blerjen e importeve. Të gjitha këto fatura krijuan një kosto në buxhet këtë vit me mbi 50 miliardë lekë.

Humbjet në rrjet, fatura tjetër e fshehtë

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjinë kanë qenë gjithmonë një subvencion i nënkuptuar ndaj konsumatorëve. Në vitin 2012, kostoja financiare e këtij subvencioni vlerësohet të ketë qenë rreth 15.5 miliardë lekë ose rreth 1.5% e PBB-së. Para privatizimit të kompanisë, ku subvencioni përballohej nga fondet publike, por më vonë pasi OSSH kaloi në pronësi të çekëve, qeveria hoqi dorë nga subvencioni. Në këtë kohë, Enti Rregullator i Energjisë, në deklaratën rregullatore me kompanisë CEZ, miratoi një program disavjeçar për uljen e humbjeve. Në këto kushte, CEZ nuk i njiheshin humbjet deri në një nivel të caktuar si kosto në çmimin. Më tej, kontrata sanksiononte që i gjithë niveli i humbjeve të importohej me çmimin e tregut.Por CEZ, jo vetëm që nuk arriti të mbulonte nivelin e tyre, por i rriti ato në nivelet drastike, në 49% në fund të vitit 2012. Për rrjedhojë, kompania nuk mund të importonte të gjithë sasinë e humbjeve me tarifat e tregut, kështu që hoqi dorë nga importi i energjisë. Pas këtij gjesti, qeveria shqiptare hoqi licencën ndaj kompanisë CEZ dhe pas kësaj, mori përsipër importin e humbjeve me fondet e buxhetit, pasi arkat e CEZ ishin të boshatisura tashmë. Fillimi i vitit 2013, që përkoi me një krizë të thellë në prodhimin e energjisë dhe me ikjen e CEZ, ishte edhe momenti që buxheti i shtetit mori kosto të paparashikuara më parë, që sollën edhe tejkalimin e kufijve të borxhit mbi 62% të PBB-së. Tarifat aktuale lejojnë një numër të konsiderueshëm konsumatorësh që të përfitojnë nga çmime më të ulëta të destinuara për grupet më të cenueshme. Si e tillë, kjo përbën një subvencion shtesë për buxhetin e shtetit me kosto vjetore 1.6 miliardë lekë.

10 miliardë lekë, energjia e papaguar nga institucionet buxhetore

Deri më tani, shembulli më i keq për pagesën e faturave të energjisë janë shteti dhe institucionet e tij.Çdo institucion dhe ent publik në buxhetin vjetor ka fondin e vet për shpenzime koherente, ku parashikohet edhe pagesa e energjisë. Por çdo vit, fondet për shlyerjen e faturave të energjisë janë përdorur për shpenzime të tjera, duke i krijuar shtetit dy herë humbje dhe duke i ngarkuar qytetarët me një faturë të padrejtë. Kur vit pas viti, detyrimet e akumuluara arrijnë në miliona dollarë, atëherë qeveria angazhohet për së dyti të shlyejë faturat ndaj OSSHE, duke përcaktuar një fond të posaçëm, i cili merret borxh për të shlyer njëherazi detyrimet e akumuluara, të krijuara nga institucionet e shtetit. Këto të fundit, jo vetëm që nuk e paguajnë energjinë, por e harxhojnë në mënyrën më makabre të mundshme. Nisur nga kjo situatë, ka pasur një debat nga ekspertët e ekonomisë se, borxhi i enteve publike ndaj CEZ-it nuk duhet të shlyhet nga fondet e buxhetit, por nga fondet e akorduara në buxhetet vjetore të këtyre institucioneve. Pasi rritja e përgjithshme e borxhit për të shlyer shpërdorimet që ka bërë administrata publike për mosshlyerjen e faturave të veta, është më e rrezikshme dhe penalizon të gjithë shoqërinë.

Në prill të këtij viti, qeveria miratoi strategjinë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për disa institucione publike në sektorin energjetik, duke vënë në dispozicion një shumë prej 10 miliardë lekësh, pasi ky ishte niveli i detyrimeve të akumuluara nga institucionet buxhetore.Nëpërmjet kësaj nisme shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore,ndaj shpërndarjes dhe KESH sh.a. Por, pas shlyerjes së këtij borxhi, Ministria e Financave mori disa masa shtesë për të mos lejuar krijimin e detyrimeve të reja për energjinë.Masat për të forcuar disiplinën financiare përfshinë ndërprerjen e alokimeve buxhetore, ndërprerjen e energjisë, duke përjashtuar disa shërbime jetike që kryhen nga këto institucione (si p.sh. spitalet, konviktet, burgjet etj.). Gjithashtu, me një udhëzim të posaçëm të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, faturat e energjisë u konsideruan pagesa emergjencë. Thesari ka një praktikë për disbursimin e fondeve. Hierarkinë e pagesave e zënë, interesat e borxhit, të cilat janë fondet e para që paguhen nga buxheti, më pas vijnë fondet për funksionimine qendrave spitalore dhe emergjencave, ndërsa këtë vit, si pagesë e tretë nga rëndësia është edhe fatura e energjisë elektrike. Nëse nuk paguajnë energjinë e konsumuar, institucionet përballen me bllokimin e fondeve të tjera që buxheti akordon për funksionimin e tyre.

 

Mosadministrimi i energjisë çon borxhin mbi 80% të PBB-së

Nëse keqadministrimi i energjisë elektrike do të afektojë buxhetin e shtetit njësoj si tre vitet e shkuara, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të vërtetë borxhi, e cila ka nisur të japë shenjat e para që këtë vit. Banka Botërore vlerëson se, nëse humbjet e energjisë nuk ulen poshtë niveleve 16% dhe nëse çmimi i energjisë nuk do të orientohet drejt kostove, atëherë borxhi publik do të arrijë në 80-84% të PBB-së në vitin 2018. Financimi i borxhit në këto nivele, në rast se, ekonomia nuk do të rritej përtej 3%, do të jetë mjaft i vështirë. Borxhi ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2007, duke arritur në 61.5% në vitin 2012, pikërisht kur nisën financimet e mëdha për importet e energjisë nga fondet e buxhetit.Që nga ky vit, borxhi ka shënuar prirje rritëse. Në vitet 2008 dhe 2009, deficiteve të mëdha të parashikuara në buxhetet vjetore, iu shtua edhe një zhvlerësim i lekut në 2009-n. Në vitet 2011 dhe 2012, barra e borxhit nisi e u rrit nga kreditimi i drejtpërdrejtë i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Në fund të vitit 2012, borxhi publik ndaj PBB-së arriti në 62.4%, sipër pragut të Mastrihtit 60% dhe pësoi një rritje të mëtejshme për të shkuar në fund të vitit 2013 në 70.5% të PBB–së. Shqipëria ka tani borxhin më të lartë të PBB-së në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.Rreth 5.8% e rritjes së borxhit publik ishte për shkak të një rishikimi të PBB-së që rezultoi nga një ndryshim metodologjik në trajtimin e subvencioneve të nënkuptuara në sektorin e energjisë. Pjesa tjetër ishte për shkak të deficitit të lartë fiskal prej 6.2% të PBB në vitin 2013 (kundrejt objektivit fillestar të planifikuar prej 3.5% të deficitit) dhe njohjen e borxheve të prapambetura.Nëse energjia nuk do të afektojë buxhetin e shtetit negativisht si deri më sot, borxhi ndaj PBB-së së Shqipërisë do të qëndrojë mbi 72% në periudhën afatmesme. Nëse detyrimet kontingjente në sektorin e energjisë do të jenë të përfshira, raporti do të arrijë 78% në vitin 2018. Por, nëse qeveria vijon të mbështesë sektorin e energjisë gjatë tre viteve në vijim, borxhi pritet të arrijë në 81% të PBB.

*Revista Monitor