Gjukanoviçi e quan Gavril Principin “një terrorist”

Kryeministri malazez Milo Gjukanoviç ka nervozuar opinionin public serb me një deklaratë pa doreza gjatë një ceremonie për 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore duke e quajtur “terrorist” vrasësin serb të Arqidukës Franc Ferdinand, të Austrisë.

Atentati nga Gavrilo Princip solli thyerjen përfundimtare mes Vjenës dhe Beogradit dhe shërbeu si fillim për Luftën e Parë Botërore, kur Austro-Hungaria sulmoi Serbinë dhe Rusia u kundërpërgjigj duke sulmuar Austro-Hungarinë. Pas kësaj të gjitha fuqitë europiane u përfshinë në luftën e parë globale.

Serbët e shohin Gavrilo Principin si një hero kombëtar. Ai është përqafuar edhe nga historiografia jugosllave si pjesë e narrativës së luftës së sllavëve të Jugut për liri. Mirëpo, pas viteve 1990, figura e tij është rishikuar.

Kjo është veçanërisht e ndjeshme në Malin e Zi, pas vitit 2006, sepse me Luftën e Parë Botërore mbaron edhe ekzistenca e Malit të Zi si mbretëri e shtet më vete. Ndonëse Malazezët e krijuar shtetin e tyre kombëtar përpara serbëve, ata pranuan të jenë pjesë eMbretërisë Serbe në 1918 dhe prej saj edhe në Jugosllavinë e paraluftës.

Në komunizëm, Jugosllavia e Titos i bëri republikë ndërsa pas shpërbërjes malazezët ishin të fundit që qendruan si pjesë e bashkimit me Serbinë, derisa në 2006 fituan pavarësinë me referendum, me ndihmën kyçe të votave shqiptare.

Mirëpo, vetëm pak më shumë se gjysma e popullatës malazeze ende e ndjen veten më shumë serbe sesa malazeze. Kjo ka bërë që Gjukanoviç dhe rrethi i tij të lundrojnë me kujdes por edhe me ashpërsi në ujëra të vështira politike, duke bërë kompromise e premtime në të majtë e në të djathtë, për të siguruar që shteti që kanë krijuar të mbijetojë me identitetin malazez.

Në këtë kornizë, shtypja dhe përçarja e pakicës masive serbe dhe e malazezëve liberalë ka qenë primare. Në rend të dytë ka qenë mobilizimi me premtime ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, duke vijuar pastaj me përçarjen e suksesshme të këtyre të fundit, gjeografikisht, politikisht dhe fetarisht. Nganjëherë duket si një punë me themel që do të japë rezultat sidomos nëse shikon aprovimin ndërkombëtar për këtë shtet. Ndërsa kur e sheh nga brenda mendon se mund të kesh të bësh me një kala prej rëre, që mund të shpërbëhet nga dallga më e parë e historisë.

Një ngjarje si ajo e atentatit nga Gavrilo Princip i kujton sot malazezëve jo luftën kundër austriakëve për të shkëputur pjesët e tjera të Serbisë dhe Jugosllavisë, por kohën kur humbën pavarësinë nga Serbia, një ngjarje që druajnë se mund të përsëritet një ditë.

“Është fakt historik që Mali i Zi nuk e mbështetin aktin e terrorizmit, vrasjen në Sarajevë dhe ishte i mendimit se asgjë nuk mund të arrihet me atentate politike”, tha Gjukanoviç. Ai shtoi se Mali Zi hyri në luftë si një vend i vrarë e i varfëruar, pa kaluar as viti pas mbarimit të luftërave ballkanike por “bëri detyrën duke u qendruar besnik aleatëve”.

Krijimin e Jugosllavisë ai e përshkroi si një projekt ku nuk kishte vend për identitetin malazez.

“Vendimi ilegal i Parlamentit në Podgoricë, i cili ishte në thelb një instrument i përmbysjes së shtetit, në shërbim të popujve të tjerë. Pavarësia e Malit të Zi dhe dinastia u shuan”, tha Gjukanoviç.

Kjo deklaratë ka sjellë menjëherë reagimin e ashpër të Beogradit.

Profesori serb Dr. Budimir Aleksic e quajti fjalën e Gjukanoviçit një nënshtrim ndaj narrativës së Perëndimit sipas të cilës, Serbia dhe Mali i ZI e kanë fajin për Luftën e Parë Botërore dhe për luftrat e pas viteve 90. “Këto janë interpretime stereotype dhe modele të historiografisë në Perëndim, ndonëse ka studjues të pavarur që thonë se nuk ishte vrasja e Sarajevës por forca që përgatiteshin prej kohësh që sollën Luftën e Parë”, tha ai.

Dr. Aleksic tha se Milo Gjukanoviç po i nënshtrohej versionit revisionist të hisorianëve që nuk e duan popullin serb.

Vetëm Adolf Hitleri dhe Ante Paveliçi e kanë quajtur Gavrilo Principin terrorist”, tha ai.

Profesori serb këmbëngul se Mali i Zi ishte në favor të vrasjes së arqidukës dhe se një nga bashkëpunëtorët e Gavrilos ishte myslimani Muhamed Mehmedbashiq, i cili u fsheh në Nikshiq dhe ndonëse policia malazeze e dinte se ku qe, ajo nuk ua dorëzoi austriakëve.

Në fakt, debatet për këtë atentat nuk do të mbyllen ndonjëherë. Lëvizja pansllave për bashkimin e sllavëve të Jugut në atë kohë e shpalli si hero të sajën. Kjo ka ndihmuar në trajtimin e Gavrilos si hero.

Mirëpo, armatosjen e tij dhe planin e vrasjes e siguroi Dora e Zezë, organizata terroriste serbe që e vendos në një dritë krejt tjetër këtë ngjarje.

Historianët austriakë e përshkruajnë arqidukën si kundërshtarin më të fortë të militarizimit dhe fillimit të një lufte. Duket sikur serbët kanë qëlluar jo kundër një prej skifterëve që kërkonin luftë me Rusinë dhe Serbinë por mbi të vetmin udhëheqës që nuk donte.

Po edhe narrativa e Gjukanoçit është shqetësuese. Mali i Zi ishte i papërgatitur për një luftë të re edhe sepse kishte shpenzuar energji të tepërta për të marrë territore shumë më të mëdha se sa i takonte një populli aq të vogël si malazezët; një problem nga i cili po vuan edhe sot, ku përsëri nuk janë shumicë në shtetin e tyre.

Nëse Gjukanoviç qan hallin e humbjes së monarkisë, atëhere le ta kthejë republikën në monarki, po është vetë që e ka penguar familjen mbretërore të çfronëzuar për të stisur ëndrra të reja të rivendosjes në fron.

Mali i Zi në vitin 1914 nuk ishte ai qengji i pafajshëm që vepron në bazë të principeve dhe detyrimeve ndaj aleatëve ndërkombëtare, siç e përshkruan Gjukanoviçi.

Përkundrazi, kundër këshillës së aleatëve kishte këmbëngulur që jo vetëm nuk i mjaftonin trojet e tepërta dhe të paadministrueshme që kishte gllabëruar por lakmonte të merrte edhe qytetin e Shkodrës.

Krimet ndaj popullsisë shqiptare dhe bombardimi i Shkodrës me ndihmën e artilerisë serbe nuk do të harrohen nga historia e Shqipërisë. U desh këmbëngulja dhe qëndresa e shqiptarëve e gërshetuar me kundërshtimin e fuqive ndërkombëtare që malazezët në fund të hiqnin dorë. Historia e Rrethimit të Shkodrës mbetet sot e debatuar edhe mes shqiptarëve që u kapën mes Turqisë që po ikte dhe sllavëve që po vinin. Të dyja palët ushtruan presion e propagandë të fortë për të përçarë shqiptarët fetarisht e gjeografikisht, duke siguruar krisje që nuk janë mbyllur edhe sot e kësaj dite.

Në fund, nuk është çudi që arsyeja që vetë malazezët hoqën dorë nga sovraniteti i tyre nuk ishte “tradhëtia kombëtare” apo shërbimi ndaj të huajve, por frika se pa ndihmën e Serbisë nuk do t’i mbanin dot trojet e shqiptarëve që kishin përvetësuar pa të drejtë.

Sot, historia do të shkruhet e rishkruhet disa herë për t’iu përshtatur politikës së ditës po ka disa të vërteta të cilët serbët e malazezët mund t’i shpërfillin në hakërrimin e tyre të ri kundër njëri-tjetrit por që shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë e do të kujtojnë në shekuj.