Home Aktualitet Ekonomia arri...

Ekonomia arrin nivelin e parapandemisë që në tremujorin e dytë, vetëm tre sektorë nuk kapin ritmin

91
0

Ekonomia ka arritur në nivelet e para pandemisë që në tremujorin e dytë të këtij viti, duke treguar për një rikuperim të shpejtë, të udhëhequr nga ndërtimi dhe industria.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë 2021 u rrit me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Falë kësaj rritje, ekonomia kaloi nivelin e vitit 2019 duke treguar një rimëkëmbje të shpejtë. Ky rezultat mbështetet edhe nga të dhënat tremujore të PBB të përshtatura sezonalisht, të cilat eliminojnë luhatjet ciklike stinore që pëson ekonomia rregullisht. (shiko grafikun: PBB ME ÇMIMET E TREGUT Të përshtatura sezonalisht).

Ritmi i lartë i rritjes shpjegohet pjesërisht edhe nga “efekti bazë” – krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ekonomia u zvogëlua me mbi -10%. Eliminimi i hendekut të shkaktuar nga viti i kaluar, shfaq një ritëm mesatar të rritjes prej pak mbi 3% për dy vitet e fundit, tërësisht brenda mesatareve historike të rritjes në Shqipëri.

Thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kanë një kontribut pozitiv në rimëkëmbjen ekonomike, por peshën më të madhe e ka sektori i ndërtimit dhe aktivitete të lidhura me të. Krahasuar me tremujorin e dytë të 2019-ës, sektori i ndërtimit është zgjeruar me 22.8%. Për të njëjtat periudha, sektori i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme është zgjeruar me 18.8%.

Këto të dhëna shfaqin sërish varësinë e fortë që ekonomia shqiptare ka lidhur me sektorin e ndërtimit, tendencë kjo e riforcuar në vitet e fundit. Rol të ndjeshëm në rimëkëmbjen e shpejtë ka luajtur dhe industria dhe sektori i informacionit dhe telekomunikacionit. Jo rastësisht, këto janë edhe sektorë mbi të cilat masat kufizuese nuk kanë pasur efekt të ndjeshëm, ose kanë luajtur rol pozitiv, siç është rasti i sektorit të informacionit dhe telekomunikacionit. Ky i fundit është ndikuar pozitivisht nga nevojat në rritje për shërbime interneti dhe komunikimi si pasojë e punës nga shtëpia që kanë kryer kompani dhe individë të shumtë gjatë kësaj periudhe. Në këtë aspekt, ekonomia shqiptare ka ndjekur edhe tendencat botërore ku sektori i IT dhe kompanitë e lidhur me të kanë pësuar një rritje të ndjeshme.

Tre sektorë nuk arrijnë nivelet e parakrizës

Të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë se tre sektorë ende nuk kanë arritur nivelin e aktiviteti ekonomit të 2019T3, megjithëse janë rritur në krahasim me vitin e kaluar. Tre sektorët janë “Tregtia; Transporti; Aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”, dhe “Aktivitete shkencore, profesionale , administrative dhe mbështetëse”. Këto të dhëna janë të pritshme për shkak se korrespondojnë me sektorët më shumë të goditur nga masat kufizuese të pandemisë. Tregtia dhe transporti janë prekur nga vështirësia e lëvizjes, sidomos në lidhje me udhëtimet dhe transportin ndërkombëtar. Aktiviteti financiar dhe i sigurimeve është prekur nga vështirësitë e likuiditetit me të cilat janë përballur bizneset si pasojë e karantinës. Ndërsa aktivitetet shkencore, të cilat gjithsesi kanë një peshë më të ulët në PBB, janë prekur nga masat e shumta kufizuese me të cilat janë përballur institucionet e ndryshme arsimore në vend gjatë muajve të fundit (shiko grafikun: PBB ME ÇMIMET E TREGUT Të përshtatura sezonalisht, sipas aktiviteteve ekonomike).

Rimëkëmbja e shpejtë, e cilësuar nga ekonomistët si “rimëkëmbje në formë v-je” për shkak të karakteristikave të saj grafike, konfirmon pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare që në fillim të pandemisë. Ndryshe nga kriza financiare botërore e vitit 2008, kriza e vitit 2020 ishte shkaktuar tërësisht nga pengesat artificiale të krijuara nga vetë qeveritë. Heqja e pengesave ka krijuar hapësira për rimëkëmbje thuajse të menjëhershme. Fenomene të tilla janë vërejtur edhe në disa nga ekonomitë kryesore në botë. Ekonomia amerikane p.sh arriti të kalojë nivelin e para-pandemisë që në fund të tremujorit të parë të vitit./Monitor

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit