Nje shtepi vetem per vete
E Shtune, 09 Qershor 2007
Apartamenti qe Zhaku ka marre me qira eshte shume me i cuditshem nga dhoma e saj e dikurshme ne shtepine e prinderve. Edhe shtepia e re e Rudina Xhunges po arredohet me nje stil krejt ndryshe nga ai i prinderve. Sepse vajzat duan te kene me ne fund nje shtepi vetem per veten e tyre. Ashtu si Fjodora Fjora e ka pasur ketu e tre vjet me pare
Pasi te fton ne shtepine e saj, Fjodora Fjora krejt instiktivisht i ve kycin deres. Jo nje, por tre here e rrotullon celesin. E si te mos mjaftonte kaq, i ve pastaj dhe shulin e sigurimit. Por e kupton shpejt se cfare ka bere dhe te thote duke qeshur: “Eh, eshte instinkti i vajzes qe jeton vetem e qe kerkon te jete ne cdo moment e sigurt ne shtepine e saj”. Nuk i qellon shpesh te kete njerez te tjere ne shtepi. Por kjo eshte jeta qe ka zgjedhur te beje, ne nje shtepi qe eshte e tera e saja. Ku gjithcka, edhe kolltuket, edhe biblioteka, edhe kuzhina, edhe salloni jane arreduar ashtu sic ka dashur ajo. Perjashtim ka bere vetem dhoma e gjumit e prinderve te saj, dera e se ciles hapet vetem kur ata vijne nga Greqia. Por vetem per fare pak dite. Ne gjithe pjesen tjeter te vitit shtepia eshte e tera e Fjodores. Dhe ajo ndjehet vertet mire per kete.
Ashtu sic po ndjehet qe prej nje viti dhe Inida Gjata (Zhaku), qe me ne fund do te vendoste te largohej ca pallate me tutje prinderve, vetem e vetem per te shkuar ne nje apartament ku mund te jetonte ashtu sic donte ajo. Ne kete tundim duket se po bie dhe Rudina Xhunga, qe po nderton me nge nje shtepize te vogel, andej nga kodrat e liqenit, duke futur brenda saj gjithe cingerrimat dhe orendite qe i pelqejne asaj. Sepse deshiron te kete nje bote te sajen, qe s’ka mundur ta kete dot me pare ne shtepine e prinderve.
Fjodora Fjores nuk i eshte dashur te mendoje gjate per te vendosur se cfare duhej te bente: te jetonte me apo pa prinderit ne te njejten shtepi. Pas ikjes se tyre ne Greqi, ajo me apo pa dashjen e saj do te mbetej vetem ne nje shtepi te madhe. Ku prej tre vjetesh po shijon pavaresine qe mund te provohet vetem duke qene keshtu, e vetme.
Ndaj eshte e bindur se, edhe nese prinderit nuk do te kishin ikur jashte Shqiperise, ajo do te kishte bere te njejten gje: do te zgjidhte nje tjeter shtepi, larg apo prane tyre. Sigurisht qe nuk do kishte pse te blinte nje shtepi kaq te madhe, por do te sajonte nje strehez te vogel. Qe do ta arredonte sigurisht me te njejtin stil qe ka arreduar tashme shtepine e madhe te prinderve te saj. “Ne fakt eshte e kote ta quash shtepine e prinderve, sepse qe ne fillim vetem une kam jetuar ketu. Gjithcka qe sheh eshte rregulluar nga une”, tregon Fjodora, ndersa te shoqeron neper dhomat e shtepise. Duket qarte qe pikturat e varura ne mure, suveniret e ndryshme, biblioteka, tapicerite, abazhuret jane zgjedhur sipas shijes se saj. “Do te bej perseri ca ndryshime. Bufeja per shembull do te hiqet shume shpejt, sepse dua te blej nje te re qe te shkoje me shume me biblioteken”. Duket se e ka me qejf te madh te bej here pas here kesi ndryshimesh. “Te them te drejten, tani vone kam filluar te merrem me shume me shtepine, ndoshta sepse po me pelqen te rri edhe ne ambientet e tjera pervec dhomes sime te gjumit”. Fjodora te tregon se ne fillim hynte direkt e ne dhomen e saj, sepse “Nuk kisha se cfare te beja ne gjithe kete shtepi. Por pak e nga pak nisa te ambientohesha”. Gjithsesi, nuk i bie te qendroje gjate ne shtepi. Aq me pak ne dhomen e ndenjies. E aq me pak ne kuzhine. “Kur jam vetem sigurisht qe nuk para gatuaj. Kuzhina behet funksionale kur me vjen im ate nga Greqia. Atehere i gjithe regjimi im permbyset. Ai s’me le te fle aq sa dua ne mengjes, sepse vjen e me zgjon duke ma kujtuar cdo minute se do behem vone per ne pune, etj., etj.” Gjithsesi keto jane ditet kur shtepia i duket krejt ndryshe, me komode, me e mbushur, me e vogel… “Sepse te them te drejten, kjo shtepi eshte shume e madhe nga c’me duhet mua, por s’ishte zgjedhja ime dhe s’ishte vetem per mua”. Gjithsesi, ndjehet shume mire. Sidomos ne keto kohe kur ne kete shtepi te madhe eshte shtuar dhe nje banor i ri qe i ben shoqeri sa here ajo mund te mblidhet ne shtepi. Eshte nje qenush i vogel, Lino, te cilin Fjodora e ka pranuar ne shtepine e saj ne tetorin e vitit qe shkoi. Per t’i dhene pakez me shume gjalleri asaj shtepie te madhe.
Sikur te mos e kishte provuar para me shume se nje viti se cfare kenaqesie eshte te ngjise shkallet e shtepise dhe te mos i bjere ziles se deres por te nxjerre celesin nga canta, te filloje te rregulloje rremujen e mengjesit, te nxjerre nga qeset ushqimet qe ka blere, te gatuaje dhe te ftoje miq per darke, ndoshta Zhaku ende do te ishte ne medyshje per te marre vendimin qe do ta detyronte te linte shtepine e prinderve, ku kishte jetuar gjithe jeten, dhe te shperngulej ne nje apartament krejt te sajin. Por tani qe e ka shijuar te pasurit nje hapesire krejt te veten dhe te qenit zonje shtepie, eshte e sigurt se ka marre vendimin e duhur. Kishte kohe qe donte te jetonte vetem. Sepse ne gjithe keto vite gjithmone ka jetuar me te tjere. Ndaj nje shtepi krejt e saja e ka tunduar jo pak. Tani qe jeton krejtesisht vetem, eshte e bindur se nuk ka vepruar aspak gabim.
Eshte shume ndryshe nga dhoma e dikurshme ne shtepine e prinderve, apartamenti qe Zhaku ka marre me qira. Ketu cdo gje eshte vendosur me pelqimin e saj, kuzhina, mobiliet, sajimi i disa arkave qe i perdor per te futur librat. Dhe meqe shtepia nuk i jepte shume mundesi per te bere ndryshime rrenjesore, Zhakut i eshte dashur t’i hyje dore vete per te krijuar ate boten e saj sipas ngjyrave qe i pelqejne, mobilieve qe e bejne te ndihet rehat, pikturave qe e clodhin pas nje dite te ngarkuar. Dhe per gjithcka eshte kujdesur vete. Por nuk e ka bere aspak me bezdi. Madje i ka pelqyer te marre furcen e bojes se vajit per te lyer dyert, te kerkoje marangozin, te sistemoje te gjitha sendet e saj. E ka bere cdo gje me shume qejf. Sepse me ne fund po i plotesohej deshira e kahershme per te pasur nje qoshe krejt te veten. Tani qe e ka, ndihet me te vertete mire. Dhe ajo qe e kenaq me shume eshte fakti qe brenda atyre mureve gjithcka eshte e saja. Te gjitha gjerat qe u vendosen brenda shtepise, u blene menjehere pasi Zhaku mori vendimin per te lene shtepine ku kishte jetuar prej shume vitesh me prinderit. Dhe si per te shijuar deri ne fund kenaqesine qe te jep nje ambient i ri, vendosi qe ne shtepine e saj te re – vetem pak metra me tutje asaj te prinderve, tek Pallatet Agimi- te mos merrte asgje nga e vjetra, vec sendeve te saj personale. Ia nisi gjithckaje nga e para. Dhe tani qe cdo gje ka marre fund, qe nga bredhjet per te gjetur mobiliet e deri tek pritja qe muret te thaheshin, Zhaku po ndjehet me e kenaqur se kurre. Edhe pse tashme i duhet te jete vertet nje amvise, te merret vete me pazaret, me kuzhinen e me plot pune te tjera si keto. Por nuk e ka fare problem. Madje fton shpesh miq ne shtepi dhe gatuan per te gjithe. Tani eshte e bindur se kjo qe po ben eshte gjeja me e mire qe mund te beje nje njeri per veten. Zhaku ndjen se kjo lloj hapesire dhe pavaresie qe i ka krijuar vetes i ka bere shume mire dhe per punen e saj. I ka sjelle edhe nje lloj rregulli, aq sa tashme mund te gjeje kohe per gjithcka qe duhet te beje e te kete njekohesisht kohe te lire per te qendruar me miqte e saj apo dhe per t’u bere nje vizite ne shtepi prinderve te saj. Kthehet shume shpesh tek ta, jo ne ndonje dite te caktuar per te krijuar ndonje ritual te perhershem, por gjendet ne shtepine e tyre sa here qe ka kohe te lire.
Me siguri e njejta gje do te ndodhe edhe me Rudina Xhungen kur me ne fund te vendose te shperngulet tek shtepia e saj e re diku ne afersi te kodrave te liqenit. Edhe pse shtepia eshte blere qe prej shume kohesh, ajo ende nuk ka ndermarre hapin e madh per te jetuar ne te dhe ketu nuk hyn fare veshtiresia per te qene e pavarur, sepse eshte nje nga gjerat qe Rudina e ka pertypur prej kohesh. E megjithate, ende nuk ka filluar te zbraze dollapet e te paketoje sendet e saj dhe te filloje t’i coje pak nga pak tek shtepia e re, ku do t’i duhet te zgjohet me heret per te pergatitur mengjesin, te psonise ne tregun e fruta perimeve, te gatuaje, te pastroje, te merret me te gjitha vogelsirat e cingerrimat tamam si nje zonje shtepie. Ndoshta deshiron te shijoje edhe per pak kohe zgjimet ne shtepine e prinderve, dreken e ngrohte mbi tavoline, pazaret e bera, faturat e paguara. Ndryshe nga shtepia e saj, kur do t’i duhet t’u pervishet puneve e te mendoje vete per gjithcka. Ama ka kohe qe ka shijuar ecejaket per te kompletuar shtepine, te cilat kane filluar qe kur mori ne dore celesat e apartamentit te saj te ri dhe iu desh te bente nje riprogramin te kohes se saj, e cila tashme duhet te ndahej edhe ne impenjimet qe i kerkonte shtepia e re. Qe ne ate moment do te fillonte t’i shihte me sy tjeter dyqanet e mobilerive, revistat e arredimit, sallonet e perdeve, enet e kuzhines. Do te medyshej paksa mes deshires per te arreduar nje shtepi moderne apo nje shtepi antike, derisa te vendoste qe ne shtepizen e saj te mbreteronte nje nderthurje e te dyjave bashke. Nje zgjedhje qe nuk do ta lejonte te merzitej shpejt me stilin e mobilimit. E per te qene e sigurt se shtepia e saj do te dilte ashtu sic deshironte, Rudina mori ne konsiderate edhe mendimin e nje arredueseje. Sepse per Rudinen edhe mobilimi i nje shtepie eshte dicka qe duhet marre seriozisht ashtu si cdo gje tjeter qe ajo i del ne krye. Keshtu bashke me te do ta kishin me te lehte per te bere zgjedhjet e duhura, per te gjetur ate qe do t’i shkonte me per shtat shtepise. Por nderkohe vete Rudina ca zgjedhje i kishte bere kohe me pare. Disa mobilie qe i kishte pare ne Berat, nje lyerje te pare diku ne Maqedoni, nje skrivani qe kishte pare ne Shkozet, ca trare ne tavan qe i kishin terhequr vemendjen ne Kosove… ka zgjedhur me kujdes te gjitha orendite per te kompletuar nje nga nje ambientin pa mure dhe ka kombinuar e pershtatur gjithcka, derisa pak nga pak shtepia te merrte pamjen e nje qosheje te ngrohte qe i perket vetem asaj. Vecse kur dritat e studios se “Shqip” jane fikur dhe Rudina i ka dhene fund dites me nje “naten e mire” drejtuar kolegeve, rruga e kthimit vazhdon te mbetet po ajo qe ka qene gjitheheret: drejt shtepise se prinderve. Mbase do te duhet edhe pak kohe derisa te mendoje per te jetuar krejt e vetme ne shtepine e saj te re, e cila tashme eshte gati per te pritur te zonjen.