Shqiperia inkuadrohet ne turizmin me autobus
E Merkure, 06 Qershor 2007
Fjoraldi Zguro
Autobusi nuk eshte thjesht nje mjet transporti nga pika A ne B. Turizmi me autobus eshte nje mode e re dhe pervoje qe po perqafohet nga miliona evropiane dekaden e fundit. Ne kete perspektive, edhe Shqiperia ka shanse per te thithur nje pjese te ketij tregu, qe tashme leviz ne "kontinentin plake". I ketij mendimi eshte specialisti gjerman i turizmit, Michael Fleischhauer, i cili ndodhet ne vendin tone pikerisht per te trajnuar agjentet shqiptare te udhetimit. "Shqiperia eshte nje destinacion i ri per kete treg dhe ka mjaft shanse per t'u zhvilluar", pohoi Fleischhauer gjate nje interviste te dhene dje per gazeten "Koha Jone".
Faza e pare e ketij procesi do te jete pjesemarrja e nje grupi te perbere nga perfaqesues te entit te turizmit dhe agjencive turistike ne panairin nderkombetar te turizmit me autobus ne Keln te Gjermanise, ditet e para te muajit gusht. Ndryshe nga vendet e tjera te rajonit, vendi yne do marre pjese per here te pare ne nje panair te tille dhe shanset per te lidhur kontakte me tour-operatoret e njohur evropiane te ketij sektori jane te medha. Stenda shqiptare do te jete prane fqinjeve tane gjeografike si Malin e Zi, Maqedonine, Serbine, Bosnje-Hercegovinen etj. Megjithate, specialisti gjerman, pjese e nje projekti te zyres se GTZ-se ne Tirane, mendon se per te pare rezultate konkrete dhe te qendrueshme do te duhet te presim disa vjet, periudhe e cila perkon me fazen e krijimit dhe te maturimit te produktit turistik. "Pjesemarrja ne panair eshte faza e pare dhe besoj se do te duhen edhe 3-4 faza te tjera per te arritur aty ku duhet", u shpreh Fleischhauer. Pra, sipas tij, nuk do te kete nje kerkese te menjehershme per Shqiperine si destinacion, por procesi i thithjes se grupeve dhe tour-operatoreve do te funksionoje hap pas hapi. "Fillimisht, duhet te krijojme nje destinacion ne mendjen e njerezve, me pas ky destinacion duhet te gjeneroje interes dhe faza tjeter lidhet me transformimin e ketyre interesave ne kerkese. Ky proces per Shqiperine mund te zgjase 3 deri 4 vjet", sqaroi specialisti gjerman i turizmit. Gjithsesi, e gjithe kjo kerkon perkushtim nga sektori privat dhe ai publik, pasi nevojitet kohe dhe duhet pare me realizem.
Momentalisht, Shqiperia mund te shitet si pjese e nje pakete turistike rajonale. Keshtu nga Mali i Zi, Maqedonia apo Greqia, autobuset luksoze, qe kushtojne deri ne 400 mije euro, mund te zbresin pasagjeret e tyre drejt Shqiperise per disa dite te tjera. Nje gje e tille ka ndodhur me kompanine britanike Contiki Travel, e cila prej vitit te kaluar sjell turiste me autobus. Shqiperia mund te tingelloje interesante dhe te shnderrohet ne nje destinacion te mirefillte, pasi ofron elemente terheqes te natyres dhe peizazheve, historise, tradites, kultures etj. Pra, ka nje larmi interesi. "Shqiperia eshte nje vend terheqes, sidomos per tregun gjerman. Qe prej femijerise, gjermanet kane lexuar me kersheri shkrimtarin Karl Majn dhe nepermjet tij njohin vendet e Ballkanit dhe vecanerisht Shqiperine si "land of skipitars"," u shpreh Fleischhauer.
Turistet, mbi 50-vjecare
Pasagjeret e itinerareve me autobus u perkasin kryesisht moshes mbi 50 vjec. Ata preferojne programe edukuese, por jo ne kuptimin e marrjes se nje informacioni te detajuar si ne kohet e vjetra te shkolles. Ata kerkojne te marrin nje edukim te servirur ne nje forme atraktive dhe sidomos zbavitese, pra lehtesisht te asimilueshme.
Nje turne normal me autobus zgjat mesatarisht 4-5 dite. Por, ne rastet e destinacioneve larg vendbanimit turisteve, ju duhet qe te zgjedhin nje itinerar me me shume dite udhetimi. Aktualisht, turizmi me autobus ze gati 25 per qind te tregut te udhetimeve ne bote, duke u renditur ne vend te dyte pas fluturimeve.