Prishtina ne dhjetor
Nga Ismail Kadare*
E Merkure, 06 Janar 2010
Ndodhem ne Prishtine per nje qendrim te shkurter, me rastin e cmimit letrar "Rexhai Surroi". Ngjarja ndodh ne nje nga sallat e Hotel Grand-it. Atmosfera eshte e bukur dhe njekohesisht solemne. Ne program, pervec nje koncerti te shkurter klasik eshte parashikuar paraqitja e nje libri qe nuk ka lidhje me cmimin. Libri ka per titull fjalen "I izoluar" dhe per nentitull "Rrefimet nga tunelet e tmerrit". Eshte botuar per se dyti, nen patronazhin e Keshillit per mbrojtjen e te drejtave te njeriut dhe te Komitetit te Helsinkit.
Salla degjon si e ngrire. Dhe eshte e kuptueshme : libri tregon njeren nga pamjet e terrorit ne Kosove ne njeren nga periudhat e hovezimit te tij, ne pranvere te vitit 1989. Ne salle ndodhen disa nga njerezit e torturuar, deshmite e te cileve jane perfshire ne kete botim. Sepse libri perfshin kryesisht deshmite e intelektualeve shqiptare te Kosoves, qe u arrestuan, u izoluan, u fyen e u trajtuan barbarisht, si askush tjeter ne Evrope, ne gjysmen e dyte te shekullit XX. Ishin akademike, letrare, profesore, gazetare, doktore te shkencave ata qe u lidhen me pranga, u zvarriten nen goditjet e kamzhikeve, u zhveshen lakuriq e u torturuan pa meshire ne ate fund marsi.
Salla degjon si e ngrire. Dhe kjo nuk shpjegohet vetem ngaqe ne kete mjedis kulturor ndjeshmeria per intelektualet eshte me e larte se per te tjeret. Kurrsesi jo. Te pranishmit ne ceremoni e dine mire se pas tablose se frikshme te kalvarit qe pershkruhet ne kete liber, eshte nje tablo shume here me e gjere e krejt Kosoves. Ne radhe te pare tabloja e djegieve, shpernguljeve, masakrave, perdhunimeve. E atyre qe lane jeten ne kete lufte, me arme ne dore si luftetare, ose te carmatosur si viktima. E atyre qe s'u kthyen me e qe nuk deshmojne dot. E atyre qe ende jane te zhdukur nen kushedi c'toke. E te tjereve, qe ishin pa tituj e grada shkencore, por qe u denuan ngaqe ishin thjesht te nje kombesie tjeter: shqiptare.
Pas ceremonise ne "Grand", me duhet te nisem ne aeroport. Eshte jashtezakonisht ftohte. Kalendari shenon 22 dhjetor. Rruges i kerkoj Veton Surroit nje kopje te librit. Kam dy avione per te nderruar dhe me duket se asgje tjeter nuk mund te lexoj perpara ketij libri.
"I izoluar". Mbulesa e zeze me nje spikame gardiani burgjesh. Mbi gjashtedhjete deshmi. Nje liste prej 253 intelektualesh te burgosur, izoluar, torturuar. Redaktor Zenun Celaj. Recenzente Adem Demaci dhe akademik Gazmend Zajmi.
Ky i fundit ne parathenie shkruan midis te tjerash: "Nga ana e nje pushteti u deshirua jo vetem mposhtja e nje vullneti te nje populli, por edhe shembja e tere trashegimise se civilizimit juridik ne bote".
Ashtu sikurse cdo here kur hapet dosja e Kosoves, pyetje te shumta jane te pashmangshme. Nder to jane se paku tri pyetje, qe lidhen me citimin e mesiperm. E para: shkaku i vertete qe i shtyu serbet te kryenin kete aksion, qe mund te ishte me pasoja per ta. E dyta: si guxuan ta kryenin? Dhe e fundit: si guxojne ende sot te mos e denojne?
Pyetja e pare lidhet me krejt imazhin qe ishte perpjekur te krijonte Jugosllavia: vendi i shquar liberal i universit komunist, e famshme per takime shkrimtaresh e akademikesh, per festa kulturore, kinematografike, pritje e percjellje artistesh e filozofesh nga gjithe bota. Pra pyetja eshte: kjo Jugosllavi liberale, kulturedashese, festivalore, si e harroi befas kete imazh dhe u ngrit te bente te kunderten? Pergjigja eshte e thjeshte: ata nuk harruan asgje, por gjithcka e bene me nje synim cinik, te llogaritur mire, per hir te nje qellimi themelor, te cilin e quanin aq te madh, saqe pranuan edhe pasojat jo te favorshme. Ky qellim ishte thyerja morale perfundimtare e shqiptareve te Kosoves. Me fjale te tjera, duke goditur barbarisht dhe pa asnje kujdes ate qe konsiderohej "elita kulturore" e shqiptareve, Serbia donte te kalonte mesazhin e saj: ne e dime se sa te kushtueshme jane aksione te tilla dhe nuk guxojme te bejme te tilla me askend. Nuk guxojme qe akademiket, letraret apo doktoret e shkencave t'i zhveshim lakuriq, per t'i rrahur me lehte. Por me ju ne e bejme sepse ju s'jeni si te tjeret. Ju jeni te huaj ketu dhe, kryesorja, ju nuk jeni popull, por nenpopull. Ju s'keni asgje te qyteterimit kontinental, nuk keni as tradita, as art, as gjuhe normale, as njerez te shquar.
Ky interpretim mund te duket i tepruar dhe emotiv per dike qe nuk eshte ne dijeni te gjerave. Por mjafton te lexohet doktrina antishqiptare e akademikut serb Vasa Cubrillovic, qe interpretimi te duket fare i permbajtur. (Me kete rast duhet thene se kjo doktrine, ende e pa denuar nga Serbia e sotme, duhet te botohet gjeresisht ne gjithe hapesiren shqiptare dhe ate evropiane, ne menyre qe institucionet dhe zyrat e pergjumura te kuptojne se cfare tmerri eshte mizoria nderballkanase, se ku i ka rrenjet problemi ballkanik, dhe si ai nuk mund te zgjidhet pa i prere ato rrenje).
Thyerja morale ben pjese ne projektet me raciste qe ka njohur njerezimi. Per te mos u zgjatur, do te permend nje tjeter pamje te saj, qe ngjan aq e ndryshme nga terrori per te cilin po flasim: perdhunimi i qindra vajzave dhe grave shqiptare, pjesa me e madhe e kryer nga ushtaret, ne sy te prinderve, burrave dhe vellezerve te tyre. A jane perqendruar ndonjehere ne ate mase qe duhet ata qe merren me punet e Kosoves dhe te Ballkanit se c'do te thote kjo per vajzat dhe grate? A e kane menduar se c'do te thote per burrat dhe djemte? A e kane menduar se nje pjese e adoleshenteve, vellezer te ketyre vajzave dhe grave, qe, ne kohen e asaj dhune ishin dhjete vjec, tani jane njezet vjecare dhe e kane te pamundur ta shqitin nga koka e tyre ate tmerr?
Perdhunimi i grave si mjet lufte, duke synuar sidomos thyerjen e dinjitetit burreror ne disa breza, eshte llogaritur per nje sundim te gjate.
"I izoluar". Shfletoj librin me titullin gati-gati asnjanes , ne krahasim me ate qe fsheh. Ne kuptimin juridik fjala zberthehet me shpjegimin "qendrim ne vendin e caktuar". Por sa larg eshte ajo qe pershkruhet ketu.
Syte me shkojne te deshmia e akademik Rexhep Ismajlit. Me terheq vemendjen edhe per faktin se pak caste me pare e kam takuar ne sallen e ceremonise ne Hotel "Grand". Deshmia e tij ngjan me ate te te tjereve. "Ashtu neper gjume, i shkundur nga rropama e deres..." (f.83). Keshtu fillon rrefimi i arrestimit, pastaj me radhe: zhveshja, goditja, plaget, talljet. Sharjet dhe talljet gjate rrahjes jane teper te parapelqyera prej xhelateve. Ne rastin e Ismajlit polici qepet pas titullit "profesor". Me kete rast, midis fyerjeve i duket e udhes te beje pakez filozofi per gjuhen shqipe, qe eshte specialiteti i te arrestuarit. "Kam pervoje une. Keshtu ndodh gjithnje. Gjithcka fillon atje, tek ata te gjuhes".
Rrahesi injorant mund te mos dije shume gjera, por ai e di thelbin e punes se tij : eshte dicka qe s'duhet harruar kurre ne kete rremuje: gjuha shqipe. Eshte dicka qe shekuj me pare eshte kuptuar prej osmaneve, me pas prej shovinizmit grek, e tani prej serbeve. E vetmja gjuhe e ndaluar ne Evrope. Te vetmet shkronja te mallkuara ne nje ceremoni fetare.
Xanxa e gjuhes merr ndonje here ngjyra groteske. Nje tjeter profesor rrefen dialogun e tij me rrahesin "poliglot": "Parlez vous francais? me pyeti. Iu pergjigja serbisht "jo". Eh, do te ta mesoj pak! tha ..." (f.118)
Vijon rrefimi per frengjishten, dhe frengjishtja, ne kete rast, nuk eshte vecse nje grumbull goditjesh me shkopin e gomes, mbi trupin lakuriq te profesorit.
Vazhdoj leximin e librit. Deshmite vijne njera pas tjetres, njera me e hidhur se tjetra. Ne te gjitha ka dicka qe perseritet. Perseritja eshte pjese perberese e cdo gjendjeje infernale.
Jane disa gjendje qe vijne njera pas tjetres me ritmiken e ankthit: castet e arrestimit, pjesa me e madhe ne mengjes pa gdhire, ne ditet e fundit te marsit 1989 . Pastaj rrugetimi te burgu apo hetuesia. Me pas zhveshja, rrahja mes britmash. Me pas rrugetimi drejt se panjohures, ne tjeter burg.
"Me 20 mars 1989, rreth ores 23.00 shume milice me ne krye krye shefin e Sigurimit shteteror te Prizrenit, Zoran Dragovicin, me arrestuan ne menyre brutale, duke trishtuar femijet... ". (f.103)
"Me 28 mars 1989 , ne oren 04.45 ma prishen gjumin krismat ne deren e baneses s'ime..." (f.116)
"Ne driten e zbehte te mengjesit, me 28 mars 1989, ne oren 0.5 :30...)" (f.121)
"Ne mengjesin e hershem te 28 marsit, diku rreth ores 05 :00, nga gjumi me zgjuan rrapullimat e cizmeve... " (f.125)
"Mengjesin e 28 marsit 1989, ne oren 06 :00, shtepia ishte e rrethuar me milice te armatosur gjer ne dhembe... ". (f.144)
"Ishte e diel, me 26 mars heret ne mengjes..." (f.171)
"Me 28 mars 1989, njerezit e Sigurimit shteteror, te armatosur u futen ne dhomen time te fjetjes , ku isha me gruan dhe tri femijet..." (f.245)
Sic shihet, eshte vetem nje grime e tmerrit, kryesisht mengjesi i dates 28 mars 1989. Pas zgjimit te trishtueshem, vijon tejcimi i te arrestuarve ne mjediset e policise a te burgut. Atje niste faza tjeter: zhveshja, fyerjet, rrahja.
"Pas urdhrit qe te zhvisheshim, Lepi (bukuroshi), mjeku i perkedhelur keshtu nga gardianet, me nje shkop ne te cilin ishin gravuar centimetrat, maste gjurmet e zeza ne trupat tane..." (f. 88)
"Me erdhi radha mua. Gardiani, i cili merrte teshat tona, me urdheroi te zhvishesha lakuriq..." (f.164)
"Gardianet vazhdimisht bertisnin : koken poshte ! Mos shiko ! Mos fol ! Do t'ju mbysim ! Keni per te marre vesh c'eshte Serbia ! Eshtrat kemi per t'ua thyer ! Serbia eshte e forte...." (f.165)
"Me erdhi radha edhe mua dhe hyra ne korridorin e torturave..." (f.166)
"Nje here nje inspektor m'u kercenua: Do te t'i nxjerrim syte..." (f.182)
" Me ne fund me thane te zhvishesha lakuriq. Milicet me rrahen me shkopinj , shkelma, grushta, deri sa me cuan ne dhome te alivanosur..." (f.173)
"Gjuranovici nuk me pyeti asgje, vetem e degjova kur me tha : keto grushte jane dreka e sotme, me tutje do te shohim..." (f.113)
" Njeri me tha: ti punon ne TV? Te njohim mire. Ti je kryesori ! Me rridhte gjaku pa nderprere nga fytyra. Ne vend qe te me kontrollonte mjeku me tha rrepte: mos e perlyej murin me gjak !" (f.242)
"Nderkohe hyri edhe nje gardian tjeter: c'do ky skelet ketu ? tha..." (f.246)
"Edhe kater here te tjera me rrahen ne burgun e Shabacit..." (f. 229)
Ka dicka te njohur ne kete stil te foluri. Ne kete ritem, ne kete keputje shprese. Eshte jehona e ngjashme me peshperimen e banoreve te ferrit, ne pjesen e pare te poemes se famshme te Dantes.
Dhe ngjashmeria vazhdon, me udhetimet nga nje burg ne tjetrin, neper terr, neper ankth.
"Ne oren 03 :00 mberrime ne Prokuple..." (f.158)
"Nga gjysma e nates mberritem ne burgun Nderkomunal te Vranjes..." (f.163)
"Pas tri-kater oresh udhetimi mberritem ne Burgun Qendror (CZ) te Beogradit..." (f.256)
"Pas dymbedhjete ditesh na thane te pergatiteshim sepse do te na dergonin diku tjeter..." (f.259)
Dhe tmerri vazhdon.
Avioni sapo eshte ulur ne aeroportin e Ljubianes, ne pritje per te fluturuar ne Paris. Eshte jashtezakonisht ftohte, apo ndoshta me duket keshtu nga leximi i librit.
Eshte po ajo dite, 22 dhjetor 2009. Ne sallen e pritjes, ne lajmet televizive jepen pamje te ngazellimit serb ne Beograd me rastin e heqjes se vizave per BE. Dhe kjo eshte e natyrshme. Nderkaq spikeret theksojne se te dy shtetet shqiptare, Shqiperia dhe Kosova, nuk kane perfituar nga ky favor. A mund te jete nje arsye me teper qe festa e serbeve te jete me e gezueshme?
Nuk me pelqen ta besoj se ky zakon i keq ballkanik, qe hidherimi i njerit popull te shkaktoje gezim tek tjetri, po vazhdon. Kane ndodhur shume ngjarje e vdekje e kane rene shume bomba vitet e fundit, qe dicka t'u kene mesuar popujve te Ballkanit. Vite me pare, te gjithe e mbajne mend mbremjen kur Kosoves iu hoq autonomia. Stacionet televizive jepnin pamjen: Kosova e gjithe e zhytur ne terr dhe ne zi, ne kohen kur ne Beograd festohej me buje e shampanje. Por dihet se si perfundoi ajo feste dhe cfare fshihej pas ngazellimit te gabuar.
Pa bere filozofi per miresine apo mizorine natyrale te popujve, deshiroj te kujtoj nje test te cilin shqiptaret, kudo qe ndodheshin e kaluan pergjithesisht me dinjitet: ditet e bombardimit te Serbise. Shqiptaret e kishin deshiruar, pa dyshim, thyerjen e Serbise. Megjithate diten e bombardimit nuk mbaj mend as feste e as triumfalizem askund. Cka linte te kuptohej se e kishin shpresuar nje zgjidhje me te bute.
Ne qofte se mos perfitimi nga heqja e vizave shkaktoi trishtim dhe pezmatim te shumica e shqiptareve, shkak per kete nuk ka qene favori qe iu be nje vendi fqinje. Cdo popull ne thellesi te vet e ka ate mencuri sa te kuptoje se lajmi i mire ne Ballkan eshte lajm i mire per te gjithe, ashtu sic i keqi eshte i tille per kedo. Sic del qarte nga shfletimi keto dite i medias shqiptare, pezmatimi i shqiptareve ka qene, ne radhe te pare i drejtuar ndaj vetes, ndaj vendit te tyre qe nuk arriti te kaperceje pengesen. Duhet thene nderkaq se pezmatimi nuk eshte pa lidhje me favorizimin e serbeve, por kjo e dyta ka nje shpjegim me te thelle. Favorizimi shihet prej shqiptareve si nje perpjekje per nje revizionim te ngjarjeve, per nje kthim pas te historise.
Askush nuk mund te jete aq naiv saqe te mos kete vene re se keta dhjete vjet pas mbarimit te luftes vazhdon nje perpjekje e tille negacioniste. E inkurajuar prej saj, propaganda serbe shkoi me larg, duke kerkuar mjegullimin e kufirit midis shtypesve dhe viktimave, midis policise se blinduar me tanke dhe civileve, midis shtetit te pajisur me arme, topa e burgje dhe kryengritesve, shkurt, duke shkuar drejt nje simetrizimi te plote te gjithckaje. Pas kesaj nuk mbetej vecse nje hap per te quajtur te gabuar gjithcka: ndeshkimin e Serbise prej NATO-s, gjithe aksionin e perbashket te Evropes, per te perfunduar gjer te mospranimi i pavaresise se Kosoves.
Ne qofte se shqiptaret e perjetuan me dramacitet te tepruar favorizimin e Serbise, perpara se te kishte te bente me luksin e interpretimit te historise, me raportet midis harreses dhe kujteses etj. Ky favorizim ishte, sipas tyre, nje shenje e dobesimit te vullnetit evropian per mbrojtjen e lirise se brishte te Kosoves.
Libri qe kam ne dore, nje nder librat me te trishtuar qe kam lexuar, e deshmon kete. Krimet e pershkruara ketu, ndonese jane ditur, asnjehere nuk jane denuar ne ate mase qe duhet.
Me e habitshme eshte se qysh perpara konfliktit te fundit dramatik shqiptaro-serb, propaganda serbe u duk se po pergatitej per ngjarjen e ardhshme. Si ne nje vizion kinse profetik u fol per krimet qe kishin ndodhur e do te ndodhnin ne Kosove, per shpernguljet, per perdhunimet, per tmerret. Gjithcka u duk me pas si nje parashikim i sakte me te vetmin ndryshim se keto krime, sipas propagandes beogradase, nuk beheshin prej serbeve, por perkundrazi prej shqiptareve. Shkurt, xhelatet dhe viktimat kishin nderruar vendet. Gati-gati sa nuk thuhej se ishin shqiptaret ata qe po iu binin ne qafe tankeve te pafajshme serbe, dhe ishin grate shqiptare ato qe po perdhunonin ushtaret serbe!
Ne nje leter te hapur qe Vuk Drashkovic, shkrimtar dhe nacionalist i njohur serb, me ka drejtuar me 1987 nepermjet gazetes "Le Monde diplomatique" shpalosej hapur ky kryengulth i fakteve. Pasi me drejtohej me fjalet "koleg i nderuar", si kolegu kolegut, me vinte ne dijeni per gjendjen ne Kosove, ku serbet e gjore vuanin nen xhelatin shqiptar, qe ka veshur rrobat e viktimes". Nderkaq shfaqte habine se si une nuk hiqja dore nga perralla per "kombin liridashes dhe kalorsiak shqiptar" dhe e mbroja ate, ne vend qe te mbroja viktimat serbe. Pas kesaj, pasi i bente nje biografi asgjesuese kombit shqiptar te ardhur, sipas tij, nga Kaukazi, i cili s'kishte asnje vlere, madje dhe heroin kryesor, Gjuro Kastriotin, e kishte me nene serbe, (nje motiv i dashur dhe aspak origjinal ky per rimohuesit shqiptare), me krahasonte me Adolf Hitlerin ngaqe, ashtu sic ai mbronte idene e Rajhut te madh, une mbroja te njejten gje me Shqiperine e madhe. Ndryshimi i vetem ishte se, ndersa endrren e Hitlerit e kishin nderprere, sipas tij, gjemimet e topave ruse, endrra ime ende vazhdonte, ne pritje, natyrisht, te ca gjemimeve. Drashkovici ngaterrohet kaq shume ne patetizmin e tij, saqe pasi me quan perhapes te ideve anti-serbe te Vatikanit dhe te Austrise katolike, gjithmone si kolegu-kolegut me shkruan se jam ne anen e gabuar, domethene, sipas tij, ne anen e vrasesit te Arkimedit, te atyre qe dogjen Xhiordano Brunon, qe i moren jeten ne duel Pushkinit, madje qe e torturuan 27 here Kampanelen! Letra perfundon me fjalet: "Ne librin tuaj me te ri" "Krushqit jane te ngrire", barbarite e sotme te shqiptareve ne Kosove ju i quani kryengritje. Por nuk keni sqaruar se eshte fjala per kryengritje kunder njerezillekut, kultures, moralit dhe vete arsyes njerezore. Besoni vertet se Evropa dhe bota nuk do ta marrin vesh te verteten?
Letra sqaruese e "kolegut Drashkovic", u ribotua dymbedhjete vjet me pas, me 1999, ne kulmin e konfliktit ne Kosove. Ka pasur natyrisht ca prerje endrrash e ca gjemime bombash, por jo ashtu sic i kujtonte Drashkovici dhe, kryesorja ka qene se Evropa e ka kuptuar, me ne fund, te verteten, qe nuk ishte e verteta e tij.
Eshte pikerisht kjo e vertete e kuptuar dhjete vite me pare, por disi e mjegulluar me pas, qe, sic u tha me lart, shkakton shqetesimin e sotem shqiptar. Ai lidhet me nje mendim te perhapur jo vetem ne Shqiperi, por edhe jashte saj, per nje "perkedhelje" te Serbise, per kerkesa te buta ndaj saj lidhur me krimet ne Kosove. Me kete rast kushtet lehtesuese, ne kembim te Karaxhicit dhe Mlladicit, jane gjykuar teper komode per vendin agresor. Jo dy kriminele te profilit te ulet, si Karaxhici dhe Mlladici, por Cubrillovici, doktrina e tij duhet dorezuar. Nuk mund te kete normalitet ne Ballkan pa u denuar ky doktrinar bashke me projektin e tij per debimin e kombit shqiptar nga Evropa. Ky projekt makaber, ka qene "harta e rruges" e asaj qe ndodhi ne Ballkan, e sidomos ne Kosove, ne fund te shekullit XX.
Ndjeshmeria e tepruar e shqiptareve ndaj problemit te rikthimin ne Evrope rrjedh pikerisht nga humbja dy here rrjesht e kontinentit meme. Shqiptaret, ashtu si shumica e ballkanasve, duke perfshire edhe serbet, i kane te gjitha arsyet te besojne ne te ardhmen evropiane. Njera prej rrugeve qe cojne drejt saj, me e detyrueshmja, eshte krijimi i nje "nderballkanizmi" te ri: si ide, si ndjesi dhe si vullnet i perbashket per paqtim. Eshte e qarte se per kete sfide te re, te papare ne historine ballkanase, ndaj dhe me te veshtiren, duhet te punojne ne radhe te pare vete popujt e gadishullit. Dhe, me ata bashke, natyrisht Evropa.
* Shkruar per gazeten "Koha Ditore" (Prishtine) dhe "Illyria" (New York)