PERIODIKE

KERKO

Printo Artikullin Printo Artikullin  |   | 

Friedrich Ebert: Kosova, shtet i paperfunduar


E Diele, 09 Gusht 2009

Ndonese ka shpallur pavaresine, Kosova eshte nje "shtet i paperfunduar", me sovranitet te kufizuar dhe de facto i ndare ne veriun serb dhe ne jugun e qeverisur nga shqiptaret. EULEX-i ka shenuar vetem arritje modeste. Prej misionit EULEX te Bashkimit Evropian ne Kosove duhet pritur dhe kerkuar shume me teper. Parimisht ende ndiqet politika e deshtuar e UNMIK-ut. Te ketij mendimi jane dy autoret e analizes me te re te fondacionit Friedrich Ebert 'Kosova pas pavaresise' Vedran Dzhihic, lektor ne institutin e shkencave politike te Universitetit te Vjenes, dhe Helmut Kramer, profesor i ekonomise dhe i politikes nderkombetare. Ata jane autore te librit te botuar ne vitin 2006 'Bilanci i Kosoves - Po deshton bashkesia nderkombetare?'

EULEX-i ka veshtiresi te shumta

"Gjashte muaj jane zyrtarisht, por EULEX-i duhet ta kishte nisur punen shume me heret. Dhe kur shikon se si ka kaluar ky nje vit e gjysme gjithsej, ne kaos ligjor dhe peshtjellim, atehere bilanci per mendimin tone nuk eshte fort i mire. Megjithese EULEX-i arriti te shenonte perparim me strategjine e fuqizimit te ligjit dhe te depolitizimit te situates, si ne ceshtjen e institucioneve doganore dhe ne ate te gjykates se Mitrovices, ceshtjet madhore mbeten problematike. Per mendimin tim, me gjithe ngulmimin e qeverise kosovare per te kunderten, Kosova eshte ende e ndare ne dy pjese. EULEX-i nuk qe ne gjendje te ndryshonte gje ne kete situate ne veri ne pjesen e dominuar nga serbet. Ne te vertete, deri me sot edhe sukseset ne fushen e drejtesise dhe te gjyqesorit nuk kane qene aq spektakolare", thote Vedran Dzhihic. Suksesi i misionit EULEX do te varet ne mase te madhe nga konkretizimi i perspektives evropiane te Kosoves. Si i vetmi vend i Ballkanit Perendimor, qe nuk ka nenshkruar Marreveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me Bashkimin Evropian, hapi i pare do te ishte fillimi i bisedimeve per kete marreveshje, sic rekomandojne autoret e analizes, brenda kryesise suedeze te radhes ne BE.

Carl Bildt "ka hapur nje dritare"...

"Per Bashkimin Evropian ky duhet te ishte nje synim, qe ia vlen. Jam i mendimit, se gjate kryesise se Suedise me BE-ne, eshte hapur nje dritare e vogel pasi qe Carl Bildt-i ka nje pervoje te gjere me Ballkanin. Kjo dritare duhet shfrytezuar me cdo kusht. Mendoj, se eshte e domosdoshme qe nga njera ane te fillojne bisedimet per MSA-ne dhe se dyti te arrihet nje qendrim shume me i qarte i BE-se ne ceshtjen e liberalizimit te vizave. Ketu ka tashme shenja te para, por duhen hedhur hapa me te shpejta ne kete drejtim", pohon Vedran Dzhihic. Megjithate Dzhihic nenvizon se edhe gjate kryesise se Suedise shume gjera do te varen nga bashkepunimi i Beogradit dhe nga qendrimi i vendosur i BE-se ndaj tij. Kjo pasi Beogradi vazhdon te sillet me shume ne menyre penguese dhe te bllokoje kete proces, qe do te ishte shume i rendesishem per vete Beogradin. Analisti Dzhihic e vlereson pozitiv liberalizimin e vizave per Serbine ne kuader te strategjise se pergjithshme te evropianizimit te Ballkanit Perendimor, por shprehet skeptik ndaj qendrimit te saj pas kesaj. "Nje hap i pare i rendesishem ne strategjine e pergjithshme te evropianizimit. Por per sa i takon Serbise pas heqjes se detyrimit te vizave jam skeptik. Ne Serbi do te pasojne vitet e mundimshme te hapave te ngadalte te afrimit me BE-ne, dhe nuk jam i sigurt, nese BE-ja ne kete kohe do te kete fuqine per te "blere" nga Beogradi, ate qe eshte e domosdoshme ne rastin e Kosoves. Sidoqofte, trysnia nga ana e BE-se duhet shtuar edhe mbi Beogradin dhe dialogu teknik ne shume rrafshe me Prishtinen duhet te kthehet ne nje prej parakushteve per perparimin e metejshem ne procesin e evropianizimit", pohon ai. Elert Ajazaj


Te Tjera nga rubrika