Nje koalicion per te shkuar ne BE
E Shtune, 11 Korrik 2009
Ergys Petriti/ATSH
Zgjedhjet e 28 qershorit perfunduan, e ndersa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon punen per nxjerrjen e rezultateve, koalicioni i ardhshem qeverises paszgjedhor ka nisur diskutimet per konfigurimin e hartes programore te qeverisjes se ardhshme 4-vjecare. Partia Demokratike, ne krye te koalicionit te qendres se djathte "Aleanca e ndryshimit" ne zgjedhjet e pergjithshme parlamentare, e nxori ate fitues me afro 46.7 per qind te mbeshtetjes popullore ne rang vendi, sipas te dhenave paraprake te bera publike nga KQZ. Ajo la pas koalicionin e qendres se majte "Bashkimi per ndryshim" te udhehequr nga Partia Socialiste, i cili mori rreth 45.4 per qind. Grupimi i trete pjesemarres, "Aleanca Socialiste per Integrim" i udhehequr nga Levizja Socialiste per Integrim, kaperceu pragun elektoral duke mbledhur rreth 5.6 per qind te votave. Ishin keto rezultate qe e shtyne liderin historik te PD-se, kryeministrin aktual Sali Berisha, t'i drejtonte pak dite me pare publikisht nje oferte bashkepunimi kreut te LSI-se, Ilir Meta, per krijimin e nje koalicioni paszgjedhor qeverises per 4 vitet e ardhshme. "I bej ftese LSI-se qe te jete pjese e qeverise se re, qe do te mund ta quajme qeveri e integrimit te vendit ne Bashkimin Evropian," deklaroi z. Berisha ne nje konference shtypi nje jave me pare.
"Koalicioni eshte i diktuar nga rezultati i zgjedhjeve," u shpreh dy dite me pare z. Berisha ne intervisten te "Opinion" ne Tv Klan, duke shtuar se zgjerimin e koalicionit paszgjedhor do ta tentonte edhe ne rast te nje fitoreje me te thelle elektorale. Konceptin e bashkeqeverisjes me koalicion te gjere z. Berisha e ka aplikuar edhe me pare, kur partia e drejtuar prej tij ka fituar zgjedhjet ne vitin 1992, 1996 dhe 2005. Ofertes se javes se kaluar nuk vonoi t'i vinte pergjigja e kryetarit te LSI-se, ish-kryeministrit socialist Meta. "Me pergjegjesi historike dhe atdhetare e pranoj ftesen e kryetarit te koalicionit fitues, z. Berisha, per te filluar negociatat paraprake dhe per te realizuar me transparence te plote programin e qeverise te integrimit evropian," u shpreh te njejten dite z. Meta.
Kete qendrim do ta konfirmonte edhe maxhoranca e Konventes se Jashtezakonshme te LSI-se, zhvilluar tre dite me pare ne Tirane, duke i hapur zyrtarisht udhe bisedimeve per koalicion paszgjedhor me PD-ne. Kryetari i Keshillit Drejtues Kombetar te LSI-se, Edmond Haxhinasto, deklaroi pas mbledhjes se "Konventa vleresoi vendimin e LSI-se per pjesemarrje ne koalicionin qeverises si alternativen e vetme per te garantuar stabilitet politik ne vend dhe per te vazhduar proceset integruese".
Ne fakt, bashkepunimi mes se djathtes dhe se majtes ne qeverisje nuk eshte risi: zgjedhjet e vitit 1992 nxoren ne perfundim nje qeveri te perbere nga shumica e perfaqesuesve te spektrit politik, duke lene atehere ne opozite socialistet, pasardhes te Partise se Punes. Sipas Haxhinastos, "konventa konkludoi se reformat e integrimit evropian, levizja e lire e shqiptareve ne BE, reforma zgjedhore dhe pavaresia e gjyqesorit do te jene objektiva kryesore edhe per koalicionin e ardhshem qeverises."
Z. Berisha deklaroi dy dite me pare se zgjerimi i koalicionit paszgjedhor me LSI-ne vinte si shkak i afersise programore me nje parti "qe ne programin e saj ka yll polar integrimin e Shqiperise ne BE dhe punesimin si kryefjale te reformave dhe perpjekjeve te saj". Reformat ekonomike dhe programet ambicioze te ndermarra per investime ne infrastrukture dhe energjetike qe qeveria Berisha ka ndermarre gjate kater viteve te kaluara kane gjetur, ne fakt, reagime pozitive nga ana e perfaqesuesve politike te LSI-se. Ne kontrast qendrimesh me drejtuesin aktual te PS-se, Edi Rama, kreu i LSI-se Meta ka shprehur hapur mbeshtetjen politike te forces qe ai drejton per investimet madhore ne infrastrukturen rrugore te ndermarra nga qeveria Berisha, sic eshte rasti i rruges Durres-Kukes-Morine, nje investime prej mbi 1 miliard eurosh i qeverise shqiptare. Z. Berisha ka deklaruar se investimet ne infrastrukture mbeten prioritet edhe per mandatin e dyte qeverises. "Me LSI-ne ne zgjerojme ndjeshem bazen elektorale, si dhe spektrin programor te koalicionit dhe qeverise se ardhshme," deklaroi mbreme kryeministri Berisha. Ne fakt, linja e politikave qe ka zbatuar qeveria e tij kater vitet e shkuara per uljen e papunesise nepermjet thithjes se investimeve te ndryshme ne projekte te medha infrastrukturore dhe energjetike, apo per rritjen e pagave dhe pensioneve per kategori te gjera te popullsise, jane premisat e duhura per politikat sociale qe do te ndjeke qeveria e koalicionit te ri paszgjedhor mes se djathtes e se majtes, koalicion qe legjitimon edhe nje qeverisje te qendrueshme qe gezon mbeshtetjen e afro 53 per qind te votuesve shqiptare. Sinjali domethenes i ketij bashkepunimi ishte vendimi per uljen e moshes se pensionit te minatoreve ne 60 vjec qe qeveria ne detyre e kryeministrit Berisha mori pak dite pas zgjedhjeve, nje vendim qe z. Berisha e kishte premtuar gjate fushates se fundit elektorale dhe qe LSI-ja e z. Meta e kishte mbeshtetur me force prej vitit te kaluar ne parlament. Nga ana tjeter, kryeministri Berisha mbetet i hapur per shtrirjen e bashkepunimit edhe me forca te tjera, si Partia Bashkimi per te Drejtat e Njeriut (PBDNJ), aleati i deridjeshem bashkeqeverises. "Une mbetem i hapur per koalicionin," deklaroi mbreme z. Berisha ne drejtim te kesaj force politike.
Sa u takon aleateve te koalicionit parazgjedhor te "Aleances se Ndryshimit", bashkepunimi ne nivele te ndryshme me ta eshte i garantuar. Edhe zgjerimi i koalicionit paszgjedhor eshte mirepritur prej aleateve te z. Berisha. Kreu i Partise Aleanca Demokratike (AD), pjesetar i koalicionit "Aleanca e Ndryshimit", e pershendeti vendimin e marre nga LSI-ja pak dite me pare. "Pervoja pozitive qeverisese e treguar nga PD dhe posedimi i praktikes qeverisese ne LSI, jane garanci per nje bashkeqeverisje," deklaroi z. Ceka ne nje konference per shtyp.
Edhe Levizja per te Drejtat dhe Lirite e Njeriut, pjese e "Aleances Socialiste per Integrim" para zgjedhjeve, e pershendeti vendimin e marre nga LSI-ja. "Ne mbeshtesim idene dhe synimet madhore te kesaj qeverisje per integrimin e vendit ne BE, perballimin e krizes globale, ruajtjen dhe stabilitetin e vendit si dhe vazhdimin e reformave ne sektoret kyce," u shpreh kryetari i saj Ligoraq Karamelo.
Lideri i maxhorances, z. Berisha, ka deklaruar se negociatat per programin e perbashket qeverises dhe krijimin e qeverise se re do te vazhdojne edhe gjate muajit gusht, ne fund te te cilit pritet te behet publike perberja e qeverise se re. Nga ana tjeter, KQZ, nepermjet zedhenesit te saj, deklaroi dje se rezultatet perfundimtare te zgjedhjeve pritet te shpallen ne fund te muajit korrik ose ne ditet e para te muajit gusht.