PERIODIKE

KERKO

Printo Artikullin Printo Artikullin  |   | 

Nje zgjedhje si e Ilir Metes

Nga Armand Shkullaku
E Premte, 10 Korrik 2009

Emri i Ilir Metes nuk eshte i panjohur per qytetaret e Kosoves, perkundrazi. Por, keto dite ai po permendet shume, cdo dite, ne cdo edicion lajmesh, ne emisione televizive, ne analiza dhe shkrime ne krejt mediat kosovare.

Te shumte jane ata qe pyesin se kush eshte ky socialist, apo politikan i majte, qe beri koalicion me Sali Berishen? Te shumte jane ata qe tentojne te japin pergjigje. Disa e konsiderojne politikan te pergjegjshem, disa "kale troje" brenda se majtes.

Per nje pjese te madhe ka bere mire qe u bashkua me Berishen, te tjeret ngrene shume dyshime. Dilemat rreth vendimit te ish kryeministrit socialist te Shqiperise, duket se kane lene pezull edhe qendrimin e kryetarit te PDK-se, Hashim Thacin. I afert me te majten shqiptare, Thaci shpreh me se miri hezitimin per t'i dhene te drejte Rames, apo Metes, ne gjithe kete qe ndodhi.

Ne fakt, nuk eshte e lehte ta percaktosh nga anon e drejta, pa marre parasysh se si kane rrjedhur ngjarjet deri ketu, cfare perfaqeson Ilir Meta dhe pse e pati ai te pamundur nje aleance me Edi Ramen.

Kryetari i Levizjes Socialiste per Integrim eshte nje politikan pragmatik. Karriera e tij eshte ngritur kryesisht mbi pragmatizmin dhe jo mbi kodet ne baze te te cilave e akuzojne sot pa lidhje. Ndonese shume i ri, ai arriti ta krijoje nje pol brenda PS-se ne vitet e veshtira te opozites, duke mbledhur rreth vetes gjithe elementet anti-Nano ne parti.

E beri kete, here duke ngritur zerin, here duke flirtuar me kundershtaret politike, por asnjehere duke qendruar pasiv. Pranoi te bashkepunoje me Fatos Nanon kur ky u kthye fitimtar pas burgut ne parti dhe ne Qeveri, por gjithnje ruajti nje distance mosbesimi.

Duke patur pragmatizmin si "yllin polar" te tij, Ilir Meta nuk e pati te veshtire qe ta linte pas aleancen me Pandeli Majkon, i mundur nga Nano ne tetorin e vitit 1999, duke u shperblyer me postin e kryeministrit te vendit. Pikerisht ne krye te ekzekutivit u dallua hapur karakteri i tij politik.

Me qellimin e vetem mbajtjen dhe zgjatjen e pushtetit, Ilir Meta i afroi te gjithe rreth vetes, aleate dhe kundershtare brenda partise. Afroi edhe njerez teknike qe nuk kishin lidhje me PS'ne, apo me shume akoma, qe vinin nga e djathta. Ai shenoi i pari periudhen e corientimit te mediave.

Qeveria e tij ofroi ndihma financiare, ne rruge ligjore ose jo, per shtypin majtas e djathtas. Lulezuan dhjetera gazeta dhe u hapen dhjetera televizione ne nje terren te mbarsur me para publike. Biznesmenet gjithashtu i harruan preferencat partiake, te joshur nga nje kryeminister "pertej te majtes dhe se djathtes".

Zerat e dobet kritike flisnin per privatizime apo tendere me preferenca personale dhe joprofesionale. Dhe te gjitha ketyre iu shtua edhe fenomeni i opozites se opozites, te cilen Meta e sponsorizoi fort per ta eliminuar cdo rrezik nga Partia Demokratike e Sali Berishes. Ky eshte nje nga kapitujt me ilustrative te pragmatizmit te Ilir Metes, qe duke e kaluar masen, shpejt iu kthye ne te kundert te tij dhe e rrezoi nga pushteti.

Por, ne te gjithe kete aventure qeverisese, Ilir Meta ka patur ne krah nje njeri, ose me sakte nje ideolog, qe hartoi platformen mbi te cilen ai eci. Ky eshte pragmatisti tjeter i madh, Edi Rama. Ata ishin bashke ne ndarjen e pushtetit, ne marredheniet me mediat, ne seleksionimin e bizneseve, ne tentativen per ta shmangur Nanon, por vetem deri ne diten kur Meta ishte i forte.

Aleanca e tyre nuk ishte ngritur mbi parime, por mbi interesa. Edi Rama, ky njeri qe sot flet per tradhti, per kodin e nderit dhe te beses, per zemrat qe rrahin e syte qe vajtojne, simbolizon vete politikanin pragmatist pa asnje lidhje me ate idealist. Atebote ia ktheu i pari krahet Ilir Metes. Ndonese ne mbremje kishte qene ne shtepine e Metes, te nesermen ne mengjes Rama fluturoi drejt Athines me nje tufe lule ne dore per Fatos Nanon qe gjendej ne spital, e qe shume shpejt do te rimekembej per t'i marre ne duar frenat e partise dhe te Qeverise.

Historia e perbashket ka bere qe Ilir Meta dhe Edi Rama ta njohin mire njeri- tjetrin. Pragmatizmi qe i dallon mbi te tjeret ua ka shtuar dozen e mosbesimit reciprok deri ne ate shkalle sa nuk kishin lene asnje shteg te hapur per bashkepunim. Provat jane jo vetem nga e shkuara, por edhe nga zgjedhjet e 2007'es dhe Kodi Zgjedhor. Me shume se sa Berishes, ata iu ruajten njeri-tjetrit. Prandaj, akuzat ndaj Metes per tradhti e prerje ne bese tingellojne folklorike.

Ai nuk beri gje tjeter vecse i qendroi besnik pragmatizmit te tij, si fushen ku pretendon se luan me mire. Po te ishte vonuar, ndoshta te njejten gje mund ta kishte bere vete Rama. Ata nuk ndryshojne shume ne kete pike. Aleanca e re e Ilir Metes, me shume se sa nje afrim me Sali Berishen, ishte pasoje e mosbesimit ndaj Edi Rames. Prandaj, eshte e veshtire ne kete rast te percaktosh se kush ka te drejte, kush eshte i moralshem, e kush tradhtar. Ne perplasjen e madhe elektorale, kjo ishte nje beteje mes dy lidereve pragmatike brenda se majtes, pa ngjyrime ideologjike dhe parime politike.

Fitoi Ilir Meta, i cili i shkoi deri ne fund rruges se tij, asaj qe e njeh me mire. Humbi Edi Rama, qe kete radhe tentoi ta ndryshoje strategjine per ta fituar gjithe pushtetin per vete.

Te flasesh per burreri, nder, moral, ne kete rast ka shume pak kuptim. Aleanca e Ilir Metes me Sali Berishen ishte nje zgjedhje e detyruar dhe pragmatike. A fiton, apo humbe, Ilir Meta nga ky vendim, eshte dicka per te cilen e gjykon elektorati i tij dhe jo Edi Rama. Nje gje eshte e sigurt: Ilir Meta ka nje sprove te veshtire perpara - qeverisjen bashke me Sali Berishen. Ai e ka provuar se cfare ndodh kur abuzon me te qenit pragmatik.


Te Tjera nga rubrika