Prishtina kundershton Tadicin
E Enjte, 02 Korrik 2009
Zijadin Gashi
Deklaratat e presidentit te Serbise, Boris Tadic, drejtuar serbeve te Kosoves, se nuk ka kushte per pjesemarrje ne zgjedhjet e ardhshme lokale, kundershtohen nga institucionet e Kosoves dhe cilesohen si te ngjashme me deklaratat e kohes se Milloshevicit. Zevendeskryeministri Hajredin Kuci e cileson deklaraten e Tadicit si vazhdimesi te politikes se vjeter serbe ndaj Kosoves dhe shembull te nje politike qe nuk perkon me permiresimin e raporteve nderfqinjesore me Kosoven. Per dallim nga Tadic, zevendeskryeministri Kuci u ben thirrje serbeve te Kosoves qe te marrin pjese aktivisht ne procesin zgjedhor, te parapare per daten 15 nentor: "Eshte ne vazhden e politikes qe e ka pasur edhe Milloshevici me heret, e te cilen po e vazhdon edhe sot Qeveria aktuale e Beogradit. Po ashtu eshte ne vazhden e krijimit te iluzioneve dhe pengeses se minoritetit serb per t'u integruar ne institucione dhe ne jeten politike e shoqerore te Kosoves dhe natyrisht ndikon ne raportet ndershteterore ne rajon". Me tej, Kuci shprehu bindjen se qytetaret serbe te Kosoves do t'i binden realitetit dhe pjesemarrja e tyre ne jeten politike e institucionale eshte me atraktive, me e pranueshme dhe me e mire, sesa deklaratat qe i perngjajne stilit te Milloshevicit, qe vijne nga Beogradi.
Nderkohe, zedhenesi i presidentit te Kosoves, Xhavit Beqiri, thote se deklarimet e Tadicit apo te zyrtareve te Serbise nuk qendrojne, pasi qe ne Kosove jane krijuar te gjitha rrethanat per zgjedhje te lira, te drejta e demokratike. Bazuar ne takimet qe presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar me partite politike, perfshire edhe ato te pakices serbe, zedhenesi Beqiri pret qe subjektet politike dhe qytetaret serbe te marrin pjese ne zgjedhjet e ardhshme komunale ne Kosove. "Institucionet e vendit, ne koordinim edhe me ato nderkombetare, te pranishme ne Kosove, zotohen qe do te ekzistojne te gjitha rrethanat e nevojshme per zgjedhje te drejta, korrekte dhe te lira ne Kosove". "Prandaj, ne u bejme thirrje serish qytetareve serbe, subjekteve politike, qe t'i bashkengjiten procesit te pergjithshem per forcimin e demokracise ne vend dhe ta shfrytezojne te drejten e tyre qe t'i delegojne te besuarit e vet ne qeverisjet lokale", u shpreh Beqiri.
Nderkaq, zevendeskryeministri Hajredin Kuci e rikujton presidentin serb se me zgjedhjet e ardhshme, serbet do te marrin me shume pergjegjesi per te kultivuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit. Njeheresh, thekson Kuci, zgjedhjet e ardhshme jane hapi i pare kah reformat ne pushtetin lokal, ne decentralizimin dhe krijimin e komunave te reja me shumice serbe, si e parasheh edhe Plani i presidentit Ahtisari. "Qytetaret serbe jane qytetare te barabarte te Republikes se Kosoves. Kane mundesi te barabarta dhe ata qe marrin pjese ne institucione, trajtohen te tille. Po ashtu, edhe me Pakon e Ahtisarit, premtimet qe jane dhene per komuna te reja dhe shume ceshtje te tjera, jane ne realizim e siper". "Jam i bindur se qytetaret serbe ndihen mire ne Republiken e Kosoves dhe po ashtu jam i bindur se ka vullnet politik dhe mundesi politike e juridike qe ata t'i realizojne te drejtat e veta", vleresoi Kuci.
Ndryshe, presidenti serb, Boris Tadic, konsideron se pjesetaret e komunitetit serb nuk duhet te dalin ne zgjedhjet lokale te Kosoves, te caktuara te mbahen me 15 nentor. Qeveria e Serbise akoma nuk ka dale me nje qendrim te qarte rreth kesaj ceshtjeje. Mirepo, sekretari ne Ministrine e Qeverise se Serbise per Kosoven, Oliver Ivanovic, ka deklaruar se edhe Qeveria e Serbise do te dale me qendrim te njejte me ate te presidentit Tadic. Sidoqofte, kohet e fundit, edhe nje pjese e perfaqesuesve te serbeve te Kosoves, kryesisht ata te pjeses qendrore, deklarohen kunder bojkotit dhe preferojne pjesemarrjen. Nderkaq, thirrjeve per bojkotin e institucioneve te Kosoves, u pergjigjen pozitivisht kryesisht serbet e pjeses veriore.