Nje déjà vu nga Tirana
E Premte, 26 Qershor 2009
Nga Armand Shkullaku
Perplasja me e fundit ne Kosove, ajo mes Hashim Thacit dhe Ramush Haradinajt, ndoshta me e ashpra deri me sot ne skenen politike kosovare, ka shkaktuar reagimin dhe shqetesimin e shume opinionberesve ne Prishtine. Ky shqetesim shkon nga droja per tensionimin e skajshem te situates politike e deri ne destabilizimin e saj te mundshem gjate konfrontimeve elektorale. Ne kete qerthull perfshihen edhe shqetesime te tjera si ajo per gjuhen e ashper te perdorur, per radikalizmin dhe ekstremizimin e panevojshem mes forcave politike ne Kosove, etj. Te gjitha keto jane sigurisht pasoja te ndeshjes mes PDK dhe AAK, por atyre u duhet shtuar edhe nje tjeter, me e madhe dhe me e rrezikshme per demokracine kosovare. Fjala eshte per imunizimin e publikut nga akuzat per korrupsion.
Skena e disa diteve me pare, ku Haradinaj dhe Thaci leshuan ndaj njeri- tjetrit arsenalin me te rende te akuzave, ku hodhen balte me lopata mbi te shkuaren dhe te tashmen, kur preken pothuajse fundin duke permendur jo vetem korrupsionin por edhe krimin e organizuar, ngjan me nje déjà vu nga cirku politik i Tiranes. Per vite me radhe atje kane ushtuar dhe vazhdojne te klithin akuzat emblematike: Nano hajdut, Berisha kriminel, Nano padrino, Berisha vrases ose tani: Berisha i korruptuar, Rama mafioz. Aq shume jane perdorur e sterperdorur keto akuza, qe edhe nese jane te verteta, elektoratin ne Shqiperi tashme e lene krejtesisht indiferent. Ne fund te fundit ai nuk ka alternative zgjedhje. Ne nje vend ku te gjithe jane perbaltur, ku te gjithe akuzojne te gjithe per krim dhe korrupsion, zhurma behet aq e madhe sa veshet e qytetareve mesohen dhe nuk reagojne me. Publiku behet i ftohe dhe e humbet deshiren per ta ndryshuar realitetin. Ai e kupton se keto akuza nuk behen per t'u distancuar nga e keqja dhe per ta eliminuar ate, por behen thjesht per lufte politike. Se ato nuk kane qellim te zbardhin te verteta, por t'i fshehin me keq ato. Se askujt nuk i dhimbset prona publike dhe interesat e qytetareve, por synon te rrezoje kundershtarin per t'i zene vendin ne perandorine e perfitimeve te pushtetit. Denoncimet per vjedhje, korrupsion, krim dhe abuzim behen te zakonshme, nje refren monoton, qe nuk zgjon me asnje ndjeshmeri dhe nuk kercenon me askend.
Ky model, kjo déjà vu e politikes se Tiranes po perseritet keto dite edhe ne Prishtine. Palet akuzojne njera- tjetren, por asnjera prej tyre nuk eshte e interesuar seriozisht t'i hyje verifikimeve, te ngreje komisione parlamentare hetimore apo t'i drejtohet me prova (qe pretendojne se i kane) organeve te drejtesise. Kjo jo vetem sepse te dy krahet jane te perfshire, kush me shume e kush me pak, ne afera te dyshimta e korruptive dhe nuk do duan t'i hapnin petet e byrekut. Nuk eshte vetem kjo. Duke hedhur balte dhe akuza qe shkojne deri ne ekstrem, krijohet pershtypja se te gjithe jane njelloj, se kushdo qe vjen ne pushtet do vjedhe dhe do abuzoje, se ne fund te fundit elektorati eshte i denuar te zgjedhe ate qe i paraqitet si e keqja me e vogel.
Dikush ketu mund te thote, se ne nje shoqeri ku mungon nje drejtesi e pavarur apo mekanizma te tjere qe mund te ndricojne korrupsionin e qeveritareve, duhet te gezohemi qe per shkak te luftes politike ata i nxjerrin vete ne shesh te palarat njeri- tjetrit. Ne fakt nuk eshte keshtu, kjo eshte menyra me e keqe. Kjo e shnderron konkurrencen e ndershme politike ne nje lloj show, ne nje cirk ku lloj-lloj klounesh mund te dalin dhe te thone cfare u kalon ne mendje. Nese vazhdohet ne kete rruge, edhe publiku kosovar do te fitoje imunitet ndaj akuzave te tmerrshme qe degjon here per Thacin e here per Haradinajn. Ai do ta zhvendose vemendjen nga problemet reale dhe do te filloje te shnderrohet ne spektator qe pret te shohe nese Haradinaj do i buzeqeshe Thacit apo nese Thaci do t'i zgjase ndonjehere doren kundershtarit te tij. Publiku nuk do te merret me me thelbin e problemit, qe eshte grabitja e pasurive te tij dhe kufizimi i ofertes politike apo mundesise per ndryshim, por do te prese spektaklin e radhes: Sa vila ka Ramushi dhe sa para publike po perfiton Thaci apo anasjelltas. Dhe nuk do te jete e larget e dita, qe i velur nga ky show bajat, elektorati do te humbase interesin, do te behet indiferent dhe do te mesohet me te keqen. Per me teper do te humbe plotesisht edhe besimin tek organet e drejtesise.
Dueli i fundit Thaci-Haradinaj i ka te gjitha shenjat e nje rreziku te tille. Akuzat jane nga me te rendat: qe nga fondet ilegale per SHIK-un e deri tek trafiqet mafioze. Dhe asnjera pale nuk i ka depozituar faktet qe disponon ne organin e akuzes, duke bere keshtu nje tjeter shkelje te ligjit, mbajtjen fshehur te provave per t'i perdorur ato si shantazh politik. Sigurisht qe as nuk kane per ta bere nje gje tille jo vetem Thaci e Haradinaj, por as vete Prokuroria nuk do te nise ndonje hetim per akuzat e forta qe u thane ne mes te dites dhe ne te gjitha mediat. Ajo qe dihet me siguri eshte fakti se publiku rrezikon te mesohet me kete gjendje dhe gjithnje e me shume do te humbase besimin se politika dhe drejtesia nje dite do te funksionojne normalisht dhe ne sherbim te tij. Prandaj, askush nuk ka perse ferkon apo perplas duart, ne nje spektakel qe ne fund na le te zhgenjyer. Modelin e kemi shume prane dhe nuk duhet ta harrojme.