Udhe dhe Pershtypje
E Diele, 29 Mars 2009
Ky eshte nje udhe-pershkrim i historianit dhe studiuesit te njohur bere gati 30 vjet me pare ne Zvicer. Jo me shume se thjesht pershkrim, ai mund te sherbeje dhe si nje manual, sesi shkruhej publicistika shqiptare, nga pak njerez, publicistika e asaj kohe. Prurja e jashtezakonshme e shkrimeve dhe autoreve pas vitit '90, ka sjelle nje ide...sikur kjo gjini eshte levruar vetem pas ketyre viteve. Gje, e cila duke e lexuar kete pjese, ngjan si jo e vertete...
Ne Gjeneve
Nga Arben Puto*
1.
Duket se tek shqiptaret Zvicra ka pasur dikur nje force terheqese te vecante. Sigurisht cdo udhetim ne Evrope ka qene nje ngjarje e madhe per kedo qe ka jetuar per nje kohe te gjate nen Turqine, megjithese Perandoria otomane i shtrinte kufijte e saj ne tre kontinente, edhe ne Azi, edhe ne Afrike. Per shqiptarin aq shume. Nuk e di a ka pasur mundesi te beje edhe shume dallime, te percaktoje njefare preference, kur eshte ndodhur perballe drites verbuese te "vitrines evropiane". E megjithate pamja e Vendit te Alpeve ne zemer te Evropes, me nje nivel zhvillimi e qyteterimi qe ia kane zili edhe vendet e perparuara te kontinentit, e ka goditur posacerisht imagjinaten e vizitoreve te rralle nga Vendi i Maleve te Siujdheses Ballkanike. Relievi i ngjashem ka sugjeruar si duket edhe ngjashmerine e fateve dhe modeli zviceran ka ushqyer mjaft endrra te disa prej figurave te Rilindjes sone Kombetare. Njeqind e ca vjet me pare, Pashko Vasa ne librin "E verteta mbi Shqiperine dhe shqiptaret" e permendte Zvicren si nje "shembull te organizimit te qeverise se ardhshme" te Shqiperise. Parulla e "Zvicres ballkanike", te paperzier sikurse "origjinali" ne grindjet regjionale (pra neutrale), ka gjetur njefare jehone ne disa rrethe intelektuale qe kane pasur si zedhenes nje numer organesh te shtypit te periudhes se themelimit te Pavaresise. Ndoshta vete ideja e neutralizimit te Shqiperise, e frymezuar ne nje shkalle te caktuar nga nje Zvicer neutrale, qe i rezistoi proves se shekujve, ka qene nje shtytje per paralelet shqiptaro-zvicerane ne planin e fateve historike te te dy vendeve.
Per hir te se vertetes duhet shtuar ketu se "Zvicra si model" nuk eshte nje shpikje e patrioteve tane, themeluesve te Shtetit Shqiptar; ajo eshte huajtur prej tyre. Ajo ka qarkulluar prej kohe ne qarqe shume me influente se sa rrymat e nacionalizmit shqiptar: selite me te larte te politikes evropiane e kane treguar me gisht konfederaten helvetike si shembelltyren me te arrire te organizimit te qendrueshem te "paqes evropiane" ne kuptimin me te gjere te kesaj fjale: edhe si paqe te klasave, edhe si paqe te kombeve. Vete Cercilli kur relansoi me 1946 parullen e famshme te "Shteteve te bashkuara te Evropes", si nje mjet per te bllokuar "avancen komuniste" pas Luftes II, iu referua drejtpersedrejti eksperiencen zvicerane duke bere thirrje per krijimin e "Evropes se bashkuar po aq te lire dhe po aq te lumtur, - tha ai, - sa Zvicra e sotme". Sot e kesaj dite, kur flitet per konfliktin izraelo-arab, per shtrirjen e pasojave te tij te rrezikshme, vecanerisht per gjendjen ne Liban te zhytur ne kaosin e luftes civile, a nuk degjohen vazhdimisht shprehje te keqardhjes per fatin e ketij vendi, dikur "Zvicra e Lindjes se Mesme"? Me nje mungese te plote te ndjenjes se mases "ideali" zviceran eshte cuar deri ne Lindjen e Larget per te sherbyer p.sh., ne mendjen e disa njerezve, si model per zgjidhjen e ceshtjes kamboxhiane ose te nje tjetre te kesaj natyre. Sigurisht, pra, nuk ka qene nje mendim i izoluar, por nje opinion i perhapur gjeresisht ky qe e ka paraqitur Zvicren si objekt te "admirimeve dhe te imitimeve" nga anet me te ndryshme.
Keto me vinin ne mendje kur nje dite te shkelqyer pranverore te vitit 1978, fluturonim me aeroplan mbi Alpet zvicerane...
Asnje re ne horizont dhe aeroplani duket si i mberthyer ne nje pike fikse te kupes qiellore. Poshte nje bukuri e bardhe e pafund ne nje kontrast te cuditshem me mavine e thelle te qiejve! Me ballin mbeshtetur ne xhamin e dritares qe kam ne krah ndjek me shikimin, si ne nje ekran me ngjyra, vargun e maleve qe keputet aty-ketu nga "brazdat" e thella te luginave. Ujerat ketu nuk e kane lehte te cajne shtigje neper keto barriera malore te njepasnjeshme, ndaj peizazhi zviceran na hap perpara pamjen e mjaft liqejve, por jo edhe - po aq - te lumenjve. Ne "ekran" rishfaqen malet, male pa mbarim, here me te uleta e here me te larta, here me te aferta e here me te largeta, here me masive e here me shtathedhur me majat e mprehta qe ngjiten e ngjiten e duket sikur do te gervishtin barkun e anijes sone luftarake. Nje pamje e njohur per ne shqiptaret kur kalojme me aeroplan mbi Alpet tona te Veriut. Pezull atje lart, gati 10 mije metra mbi siperfaqen tokesore, ndodhem perballe dimensioneve te hatashme te Natyres se gjithmbareshme dhe per nje cast pushtohem nga nje ndjenje hutimi e humbjeje ne hapesire. Rreth meje ne kabine nuk ve re me asnje levizje, ndersa zhurma e mbytur, monotone e motoreve shkrihet pak nga pak ne veshet e mesuar me qetesine absolute. Atje lart me duket se bej njohjen e pare me Gjithesine e kjo me jep pershtypjen e vetmise, nje vetmi qe fton jo vetem per soditje, por edhe per meditime.
Ma ka enda te rrah ne mendjen time temen e dashur te endrrave te te pareve. Kam pasur rast ta pershkoj Zvicren nja 10 vjet me pare me tren nga nje skaj ne tjetrin - pa u ndalur fare. Kam ruajtur qe atehere nje ide te pergjithshme te panorames tokesore, te cilen e riprodhon aq bukur kartepostalja karakteristike me livadhet e gjelbra ku kullotin paqesisht lopet e majme laramane. Tani i plotesoj keto skena bukolike edhe me panoramen ajrore, te dominuar nga lartesite malore. Megjithate mezi pres te zbres ne toke qe te kenaq kureshtjen time. Cfare valle i ka shtyre me shume bashkatdhetaret tane per te tilla krahasime? Do te qendroj vete i dyte per njefare kohe per te marre pjese ne nje konference nderkombetare dhe me siguri qe do te kem rast te njihem per se afermi me vendin, me njerezit, me jeten dhe problemet e tyre. Hetoj ne veten time dhe me duhet te pohoj se vij ketu me vullnet te mire, dhe thelle ruaj nje ndjenje habie per kete vend "te jashtezakonshem", qe ka mundur te qendroje menjane aq lufterave shkaktare te shume mjerimeve dhe shkaterrimeve. Nje kend i menjanuar, nje oaz paqeje ne mes te zjarreve evropiane! Kollaj ta perfytyrojme: Evropa qe zihet e kacafytet ne oborr dhe Zvicra qe shikon ne dritare!
Filli i mendimit me nderpritet kur aeroplani hyn ne zbritje. Pershtypja fillestare rrenacake nuk vazhdon shume: ajo qe atje lart dukej si nje pike e palevizshme, nderkaq ka mbuluar qindra kilometra dhe tani ze toke ne aeroportin e Zyrihut. Por vetem per disa caste. Sa per nje nderrim pasagjeresh: disa zbresin ketu, te tjere hyjne per te vazhduar bashke me ne me tutje. Fluturimi per ne Gjeneve perbehet vetem prej dy manovrave te njepasnjeshme: ngjitje dhe menjehere zbritje. Nje udhetim qe me tren behet ne rreth 5 ore, me "busin" ajror shkon jo me shume se 1.2 ore. Edhe lartesia e fluturimit nuk eshte shume e madhe. As ndijimi (sensacioni) i te levizurit ne hapesire nuk eshte me iluzor dhe sa me afer tokes aq me shume te kujton udhetimin ne nje rruge te gjere automobilistike.
Befas ndodhemi mbi nje siperfaqe ujore. Eshte liqeni i Lemanit, ne skajin perendimor te te cilit shtrihet Gjeneva. Nderkaq po bie muzgu qe hedh dalengadale mbi gjithcka nje vello te perhime. Qindra e qindra drita e rrethojne liqenin anembane dhe perpara syve shfaqet nje pamje fantastike: nje kolane gjigante perlash te shndritshme ne gjoksin farfurites te nje hyjnie te perrallave. Me tej perseri drita, nje det dritash shumengjyreshe: eshte qyteti, qe fillon ne te dy anet e liqenit e ngjitet pastaj ne kodrinen perreth; ne sfond Mon-Blani (Mont-Blanc) mbreti i maleve, qe u qendron koheve dhe stineve me bardhesine e tij te perjetshme. Erresira e nates nuk ka rene ende dhe nga lart dallohet levizje e madhe mjetesh dhe njerezish: nje jete mizash perdhese qe merr dalengadale dimensionet reale.
2.
Kujtoja se Gjeneva do te ishte me e madhe. Ne vend marrim vesh se popullsia e saj nuk eshte me shume se 300 mije veta, bashke me lagjet periferike. Por ajo eshte "metropoli" i nje numri te madh organizatash e konferencash nderkombetare. Nje cudi tjeter eshte se Zvicra nuk eshte as anetare e Organizates se Kombeve te Bashkuara. Pas Luftes I-re Boterore ajo pati strehuar ne territorin e vet (ketu ne Gjeneve) Lidhjen e Kombeve dhe popullsia pati vendosur me referendum, me votim te pergjithshem (nje fenomen mjaft i shpeshte ne praktiken konstitucionale zvicerane) pjesemarrjen e rregullt te Zvicres ne radhet e kesaj organizate. Ne vitet '30 aty u ndertua edhe selia e saj "Pallati i Kombeve" (Palais des Nations). Por shpejt Konfederata u tremb nga te ashtuquajturat "sanksione ekonomike" qe Lidhja vendosi me 1935 si "ndeshkim" te Italise fashiste per agresionin e saj kunder Abisinise se pafajshme. Ajo nuk deshi t'i zbatonte as keto masa gjysmake, duke i paraqitur si te papajtueshme me poziten e saj neutrale. Kjo qe edhe arsyeja qe ajo nuk hyri fare ne organizaten e re nderkombetare qe u krijua pas Luftes II ne vend te Lidhjes se Kombeve (OKB).
Gjate qendrimit tone, ne shtyp flitej me insistim se kjo gjendje tani duhej te ndryshonte, se me nje referendum te ri popullsia do te thirrej te aprovonte anetaresine e plote te Zvicres ne OKB nen parullen e pergjithshme: "Neutrale po, por jo indiferente per fatet e njerezimit ne boten e sotme". Sic duket Konfederata e ka kuptuar tanime se nuk do te kete shume probleme me nje organizate, ku detyrimet e anetareve kane marre nje permbajtje fiktive.
Nderkaq kjo nuk e ka penguar Zvicren te strehoje me qindra organizata dhe konferenca nderkombetare. Gjeneva eshte selia e deges evropiane te OKB-se (qe e ka ne Nju Jork qendren e saj kryesore). Vec Pallatit te Kombeve, te cilit pas lufte i jane shtuar pallate te tjera anekse, jane ngritur e ngrihen rreth e rrotull gratacele te tera, te cilat po e mbushin gjithe anen lindore te qytetit, duke e kthyer ne nje lagje te organizatave nderkombetare.
Zakonisht, kur behet fjale per Zvicren, per zhvillimin e saj ekonomik e industrial, per pasurite dhe te ardhurat e saj, mund te degjohen te permenden industria mekanike, ajo e mjeteve te precizonit te larte, farmaceutike, e letres; dhe ne cdo rast ajo e oreve nuk lihet pas dore. Cdo manual informativ do t'i cilesoje keto si shtyllat tradicionale dhe vazhdimisht te perteritura, te ekonomise zvicerane, si burimet kryesore te pasurise kolosale te nje vendi me popullsi 6-milionesh, per me teper me perberje etnike heterogjene. Vete zviceraneve u pelqen te vene ne dukje varferine e plote te vendit te tyre ne lende te para, varferi te cilen e kompenson gjeresisht "le savoir-faire", zgjuarsia e "aftesite krijuese e sajuese" te vecanta te banoreve te ketyre Alpeve.
Me qellim ose jo, ketu behen dy harresa te rendesishme: bankat dhe organizatat nderkombetare.
Sigurisht, bankat jane nje teme mjaft e nderlikuar e delikate dhe me duhet te pranoj se nuk kam as kompetencen me te vogel ne kete ceshtje. Por, nuk duhet ndonje shkence e madhe per te thene se Zvicra eshte vendi par excellence, tipik i bankave dhe zor se ka nje vend tjeter, qofte edhe me te madh, ku te ndihet me shume prania e tyre. Ne cdo kend rruge ne Gjeneve shikon nje filial banke. Kur hyn ne to nepermjet dyerve te xhamta qe hapen perpara teje ne menyre automatike, - pa qene nevoja te thuash as "sesam" si ne perrallen e njohur te "Nje mije e nje net", - kur ndodhesh brenda ne sallat here me te ndricuara e here me te zymta midis blloqeve te renda te mermereve dhe sporteleve transparente, ku tip-tapet ritmike te makinave te shkrimit e llogaritese nuk e prishin dot qetesine e pergjithshme, kridhesh vetvetiu si pa e kuptuar ne nje atmosfere kishtare, gati mistike. Nuk eshte Tempulli i Zotit, nuk ka aty as ungjill, as altare, as rite te ngurosura liturgjike. E megjithate secila prej ketyre sallave eshte nje faltore ku ekzaltohet ne cdo akt, ne cdo hap nje Perendi e madhe: Paraja, qe ka nje force aq te dukshme dhe njekohesisht aq misterioze ne boten kapitaliste. Mund te duket se cdo gje ketu behet prane ketyre banakeve, ne driten e neoneve perpara syve te klienteve, si ne cdo institucion tjeter te sherbimeve publike. Ne te vertete, dihet prej te gjitheve se masa e madhe e operacioneve kryhet prapa ketyre mureve, diku atje lart ne qetesine dhe fshehtesine e drejtorive e te zyrave vartese. Bile fijet e filialet te cojne ne qender, deri ne Zyrih, qe njihet si "kryeqyteti i bankave".
Rreptesia e "sekretit bankar" ne Zvicer eshte po ashtu e njohur, proverbiale. Ajo pershkruhet shpesh si nje shenje e seriozitetit, soliditetit te bankave zvicerane. Ky rregull i pashkruar te cilit i permbahen prej kohesh bankieret zvicerane, u sanksionua me 1934 edhe me nje ligj te vecante. Per rolin qe lot ai ne gjithe jeten e vendit mund te gjykojme nga keto fjale te nje bankieri te Zyrihut: "Sekreti bankar eshte ndoshta simbol i lirise zvicerane. Pa te drejten per sekret nuk ka as liri". Dhe "kursimtaret" vijne ketu nga bota mbare. Mirepo fakte te shumta, qe kane dale ne siperfaqe, tregojne se "sekreti bankar" eshte nje pretekst per te mbuluar origjinen e vertete te parave te medha qe depozitohen ne bankat zvicerane. Tanime eshte e ditur boterisht se si mbreterit e shfronezuar ashtu edhe spekulantet e ndryshem, evazoret e taksave apo bandat e organizuara te industrise se "grabitjes se personave" ne vende te ndryshme gjejne ne kasafortat e bankave zvicerane skutat me te erreta e me te sigurta te "fitimeve te tyre". Keta te fundit perfitojne pikerisht nga sherbimet e bankave te ketushme per te "ricikluar", per te rihedhur ne qarkullim shumat e majme qe u ndukin viktimave. Degjuam te thuhet se "rrembimi i personave" vecanerisht ne Itali, zor se do te kishte ate lulezim qe ka sot, sikur te mos inkurajohej terthorazi prej Zvicre. Nga kjo mund te kuptohet se c'i mbeti reputacionit qe i eshte krijuar Zvicres, si vendi i asnjanesise rigoroze, i rregullave dhe zakoneve solide e te pastra si bora e Alpeve ne frymen e tradites se bukur e te cilter qe njohim nga vepra shileriane. Kur mendon pastaj se ky vend ka me shume banka se sa ndermarrje, dege prodhuese, atehere vetvetiu konkludon se Zvicra e sotme eshte kryesisht nje shtet - saraf me te gjitha tiparet e kesaj figure tipike te ekonomise parazitare. Dhe biseda lidhur me rruget e erreta, prapaskenat e uleta nuk mbaron me kaq, lista do te zgjatej shume po te behej fjale per aktivitetet e shoqerive multinacionale zvicerane qe i shtrijne fijet ne shume vende.
Por te kthehemi tek organizatat nderkombetare, te cilat jane nder artikujt me rentabel per Zvicren, edhe pse se statistikat zyrtare nuk figurojne kurre si zera te vecante. Eshte padyshim nje prove tjeter e "savoir faire"-it zviceran qe nje mori e tere agjencish e institucionesh ndershteterore, me struktura shpesh te renduara e te koklavitura, te krijuara per t'i sherbyer "komunitetit nderkombetar" (qe nga ato te "bamiresise" si Kryqi i Kuq, deri tek ato te shendetesise) Zvicra i ka kthyer ne te mire te saj ne radhe te pare. Nga njera ane Zvicra dhe sidomos Gjeneva, jane bere Meka e diplomateve dhe delegateve te ndryshem qe vijne me shumice nga te gjitha anet dhe rrine aty per periudha te gjata kohe, duke derdhur para te madhe. (Jo me kot Gjeneva eshte sot nje nga qytete me te shtrenjta, ne mos me i shtrenjti ne shkalle boterore). Nga ana tjeter nje pjese e mire e buxheteve te ketyre organizatave mbetet ne toke zvicerane: ketu ndertohen godinat shumekateshe, vendas jane shumica e nepunesve qe marrin rroga te fryra e qe i bien botes anembane si emisare te kesaj apo asaj organizate. Nder te gjithe ata qe sot u pelqen ta quajne veten "qytetare te botes" me siguri nje numer mjaft i madh jane prej ketyre kantoneve: porse kane arsye sepse kjo "bote" ua kthen shumefish sherbimet e tyre.
Vijon
Botuar tek Nentori, periodiku kulturor i vitit 1979. Botuar me lejen e autorit