PERIODIKE

KERKO

Printo Artikullin Printo Artikullin  |  Komento artikullin Komento artikullin  |  Shiko komentet

"Ju rrefej pengjet e mi"


E Merkure, 25 Mars 2009

Edhe pse jeton ne New York, dhe leviz cdo muaj ne kontinente te ndryshem, sopranoja Ermonela Jaho e ka zemren ne vendlindje. Ne nje interviste per "KJ", ajo shprehet per mallin dhe dashurine qe ka per Tiranen, si dhe per veshtiresite qe ka hasur per te qene atje ku eshte sot, ne majat e muzikes operistike boterore.

Vini nga nje familje me tradite ushtarake. Babai juaj ka sherbyer si ushtarak me Forcat e Armatosura Shqiptare, e po keshtu ka qene edhe gjyshi juaj. Ka ndonje gje "ushtarake" ne karakterin tuaj? Ndoshta disiplina?

Eshte e vertete, gjithashtu edhe vellai i madh, Fatos Jaho, eshte neuropsikiater ne Spitalin Ushtarak. Nje fryme e tille ka ndikuar shume tek karakteri im, duke perfshire edhe disiplinen, vlerat e te ciles i kam njohur dhe i njoh ne cdo hap te jetes sime dhe sidomos kur flitet ne art, disiplina dhe vendosmeria jane komponentet kryesore te ekuacionit, e te qenurit artiste. Personalisht mendoj qe ne cdo dege apo drejtim te jetes, nevojitet nje gje e tille.

Ju keni nje dhunti te vecante per te mesuar disa gjuhe. Flisni mire italisht, frengjisht, spanjisht, anglisht dhe gjermanisht. Si ia beni, ua kap veshi shpejt apo perkushtoheni?

Ne cdo arritje kerkohet perkushtim. Une kendoj ne gjuhe te ndryshme dhe parimi im eshte te transmetoj emocione te sinqerta te publiku dhe qe te funksionoje nje gje e tille, duhet qe ti vete te kesh te qarte cfare do te thone fjalet qe thua, pjesa te cilen kendon, personazhi etj., pa te cilat mbetesh jo i kompletuar. Keshtu, qe te arrish nje efekt te tille ne publik, duhet te njohesh sfumaturat e asaj gjuhe, ose te pakten te asaj qe po interpreton, kjo ben diferencen e nje kengetari qe perserit ne menyre papagalleske fjalet dhe muziken, dhe te nje kengetari qe po jep nje emocion te vertete, qe buron nga zemra, duke filluar nga zemra e artistit dhe arrin tek ajo e spektatorit.

Kur keni degjuar per here te pare nje opera dhe keni thene "kjo ben per mua"? Po familja juaj ka ndikuar ne kete zgjedhje?

Per here te pare kam pare ne televizor filmin "Madama Butterfly" dhe mbaj mend qe mami im u perlot, por une nuk e kuptoja pse, sepse isha shume e vogel. Me pas ajo me tregoi historine, por edhe ne ate moment isha shume larg kuptimit te operes si gjini muzikore, ashtu edhe nga ajo e ngjarjes. Ndersa momenti qe vendosa se do te merresha me kete zanat, ka qene ne moshen 14-vjecare, kur kam pare per here te pare ne jeten time operen "Traviata"ne Teatrin e Operes dhe Baletit, se bashku me vellane tim. Nuk e di si dhe pse, por dicka magjike me pushtoi te gjithen dhe ne ate moment vendosa qe opera ishte dimensioni i zemres, shpirtit, jetes sime. Familja ime ka ndikuar jashte mase ne kete zgjedhje, sepse me ka lene te lire te enderroj dhe ka respektuar kete enderr, kete zgjedhje qe une bera ne moshen 14-vjecare dhe per kete gje i detyrohem.

Jetoni ne New York me familjen tuaj. Keni nder mend te ktheheni perfundimisht ne Shqiperi?

Ne kete moment nuk kam pergjigjen definitive. Por sigurisht shpresoj qe gjate viteve qe karriera ime do te zgjase, me shume mundesi do te paraqiten per te dhene kontributin tim ne skenen operistike te vendlindjes. Jetes nuk i dihet....

Edhe shoku juaj eshte muzikant gjithashtu, te dy merreni me te njejtin zhaner?

Shoku im i jetes ka mbaruar per muzike ne Tirane. Jemi rritur se bashku me muziken, edhe pse tani ai merret me nje profesion tjeter, zgjidhjet e jetes.

Aktivitetet tuaja menaxhohen nga nje prej agjencive me prestigjioze ne bote "Bruce&Alen Columbia International". Cdo te thote kjo per ju?

Te jesh i prezantuar nga nje agjenci prestigjioze eshte teper e rendesishme, por ajo mbetet dicka teper zyrtare, nese nuk bazohet edhe nga nje raport human dhe miqesor. Agjencia prestigjioze mund te te jape mundesi gjithashtu prestigjioze, por varet nga artisti nese eshte ne ate nivel qe te qendroje ne ate maje, ne te kundert zbritja eshte teper e shpejte. Duhet te jesh gati per ate moment te rendesishem te jetes tende ne cdo fushe, qofte ajo profesionale apo jetesore.

Sa e veshtire ka qene per ju, te arrini deri ketu ku jeni sot? A mund te themi se keni qene e perkedhelura e fatit?

Teper e veshtire dhe nuk mund te them qe kam qene e perkedhelura e fatit. Fatin secili e ben me duart e veta, te pakten nje perqindje te madhe te tij. Jane bere shume sakrifica dhe jane kaluar shume veshtiresi, duke filluar nga mbijetesa etj, te cilat kurre nuk i kisha parashikuar kur vendosa te bej nje hap te tille. Jane kapercyer te gjitha, sepse forca e dashurise dhe besimit qe kisha ne vetvete per te arritur aty ku jam tani, me ka diktuar rrugen e zgjidhjes te cdo momenti te veshtire. Fitoi pasioni im.

C'mendim keni per koleget tuaj ne Shqiperi?

T'ju them te drejten, nuk kam pasur shume kontakte me koleget e mi ne Shqiperi, pervec se ne dy rastet qe kam kenduar ne TOB me ta dhe koha e provave ka qene pune 2-3 dite. Mund te them qe jane shume te talentuar, por duhen kuptuar kushtet ne te cilat zhvillojne aktivitetin e tyre si artiste, keshtu qe edhe menyra e te punuarit eshte si rrjedhoje e tyre.

A ju mungojne duartrokitjet e publikut shqiptar. Si jeni ndjere kur keni performuar ne skenen e TOB-it, ketu ne Tirane?

Une jam larguar shume e re nga vendi im, ne nje moshe kur studioja akoma dhe nuk kisha kenduar asnjehere ne nje opera ne TOB. Por, kur c'rrenjosesh nga vendi yt, gjithmone eshte ai kujtimi, ose me mire imagjinata e te qenit para publikut te vendit tend, qe flet gjuhen tende, qe te jep ate flladin e embel te dickaje familjare, edhe per mua kjo ka qene dhe sa me teper kalonte koha, aq me teper rritej mungesa e nje fenomeni te tille. Dy here m'u dha rasti te kendoja ne TOB, por ajo qe me mbushi zemren dhe kete boshllek te sapo pershkruar me lart, ka qene "Traviata" me rolin e Violetes. Kendimi i "Traviates" ne TOB mbylli edhe nje cikel te jetes sime, realizimin e endrres sime, sepse pikerisht ne ate teater kisha pare operen e pare dhe ne ate moment vendosa te ardhmen e jetes sime. Pritja shume entuziaste qe me bere publiku shqiptar me kete rol, ishte kurorezimi i endrres sime.

Cila eshte aria qe e keni me perzemert nga ato qe keni interpretuar?

Do t'ju tingelloje pak anakronike, por aria qe me ka dhene me shume emocione dhe ende me jep kur e kendoj edhe sot e kesaj dite, eshte "Asaman o moj lule". Eshte i vetmi moment qe kur fillon introduksioni i kesaj pjese, zemra ime rreh aq fort, sikur do te dale dhe te fluturoje. Cdo tingull i dale nga zeri im dridhet ashtu sic dridhem une kur zbres nga avioni dhe kerkoj me sy te mbushur me lot, njerezit e mi te familjes qe me presin.

Na tregoni dicka per rolin qe sapo interpretuat?

Opera eshte "Turandot"dhe roli im quhet Liu. Roli qe interpretoj ketu eshte ai i nje vajze te varfer, te nje skllaveje. Shkurtimisht mund t'ju them qe eshte misherimi i miresise, sakrifices, pastertise shpirterore dhe e vetemohimit per dashurine, ne te cilen ajo beson ne menyre totale, virtyte keto te cilat do bejne te zgjedhe vdekjen per te shpetuar dashurine e saj.

Keni ndonje peng, cfare doni te arrini me teper?

Nga ana profesionale ne menyre absolute nuk kam asnje peng, ndersa nga ana tjeter do doja te beja me teper per nenen time, per te cilen tani eshte teper vone, si dhe per motren time.

Ju vjen keq qe shume talente shqiptare, ne fusha te ndryshme, jane shume te njohur ne arenen nderkombetare, pasi jane larguar nga Shqiperia?

Ky eshte nje fenomen teper normal, sidomos ne kushtet e sotme.

Vendi yne ka nxjerre talente, por nuk ka pasur mundesite, qofte financiare, qofte nje pergatitje sociale dhe psikologjike, per te njohur madheshtine e "femijeve" te tij, keshtu qe ata jane vleresuar ndoshta me shume, jashte kufijve. Kjo eshte normale, por ajo qe me ben te me vije keq, eshte mosnjohja me pas. Me besoni, kushdo qe te behemi, perqafimi dhe njohja ne vendin tend eshte shume me i madh nga ana shpirterore per ne, sesa ai i huaj. Eshte nje ndjenje qe lidhet me rrenjet e tua.

Gjeja qe mbani me shpesh me vete besoj se jane valixhet. Me duket se heren e fundit qe erdhet ne Shqiperi, ju humben disa prej tyre?

Valixhet jane ana materiale e ketij zanati, ajo shtepize e vogel qe leviz me ty. Por qe mund te zevendesohet ne raste si ajo qe permendet ju.

Por gjeja me e shtrenjte qe mbaj me vete, eshte akoma malli, dashuria e pashtershme per familjen time, per vendin tim. Kohet e fundit, kesaj pakete shpirterore i eshte shtuar edhe nje kapese e thjeshte flokesh e sime meje, qe fatkeqesisht nuk jeton me.

Nje pershendetje per artdashesit shqiptare?

Qendroni artiste ne shpirt. Nuk eshte e thene patjeter te ngjitesh ne skene, per ta arritur dicka te tille. Ndonjehere detaje fare te thjeshta, pasqyrojne nje shpirt te bukur njerezor. Gjithashtu iu them: Ju dua shume, jeni vertete fantastike!

Intervistoi: Fjoralba Shahaj


Komento artikullin | Shiko komentet (1 komente)
Te Tjera nga rubrika