Dosja "Hoxha", akuzat prapavija politike
E Shtune, 19 Korrik 2008
Tirane - Rihapja e dosjes se biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, fsheh pas saj prapavijat politike, ne te cilen u perfshi prokuroria. Keshtu e kane cilesuar dje avokatet mbrojtes, akuzat e ngritura ndaj tre klienteve te tyre per veprat penale "rrembimin e pasoje vdekjen" e biznesmenit Hoxha. Asnjeri prej tyre nuk ka paraqitur prova ne lidhje me kete proces gjyqesor. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, ka vendosur te pranoje te gjitha provat e paraqitura nga ana e organit te akuzes ne ngarkim te tre te pandehurve. Seanca e djeshme gjyqesore ka startuar me degjimin e avokatit mbrojtes te te pandehurit Arben Sefgjinit. Ky i fundit i ka bere me dije gjykates se akuza e ngritur nga ana e prokurorise nuk eshte e mbeshtetur ne prova. Sipas tij, kjo ceshtje eshte zgjidhur nje here nga ana e prokurorise, ndersa klienti i tij jo vetem qe kishte fituar pafajesine, por nga ana tjeter kishte marre edhe shperblim nga shteti per burgim te padrejte. "Nuk shikojme asnje prove te re qe nga provat qe ka pasur me pare prokuroria. Ceshtja u rihap per shkak te lojerave politike dhe nuk eshte ne gjendje t'i vazhdoje edhe sot keto lojera", ka deklaruar dje avokati mbrojtjes i te pandehurit Arben Sefgjini, Zef Nika. Sipas tij, klienti i tij ne ate kohe ka qene nje zyrtar i shtetit me nje pozicion te caktuar, dhe per kete nuk kerkon qe gjykata te marre prova, pasi klienti i tij nuk eshte subjekt i kesaj vepre penale, per te cilen akuzohet nga ana e prokurorise. Nga ana tjeter, avokati mbrojtes i te pandehurit Avni Koldashi ka bere me dije se akuzat e ngritura ne ngarkim te klientit te tij jane te pabazuara ne ligj dhe ne prova. Ai sqaroi se klienti i tij ka zbatuar vetem nje urdher me korrektese, duke kryer vetem detyren e tij, por kjo nuk eshte veper penale. "Klienti im eshte i pafajshem. Akuza eshte pushuar ne vitin 2004 se nuk ka kryer veper penale", deklaroi dje avokati mbrojtes i te pandehurit Avni Koldashi, Hasef Haderaj. Nga ana tjeter, vete i pandehuri Avni Koldashi ka bere me dije se ndodhej teresisht i gabuar ne banken e te akuzuarve. "Nuk ekziston asnje fakt per kete akuze, nuk ka fakte, pasi per ate kam marre nje rroge. Nuk eshte kryer asgje joligjore nga une. Prokuroria nuk ka asnje prove te re nga ajo kohe", ka sqaruar Koldashi. Sipas tij, kjo nuk eshte nje ceshtje e re, por nje mashtrim nga ana e prokurorise. Ndersa habia e tij konsistonte nese vete akuza ishte ne mbrojtje te personave, te cilet akuzohej se i kishte rrembyer, apo pas tyre fshihej ndonje person tjeter. I pandehuri Koldashi ka bere me dije se edhe pse kishte fituar pafajesine, disa vite me pare, deri me sot nuk ka arritur te gjente nje pune, kjo per faktin se te gjithe perpiqeshin ta largonin. Ai deklaroi se do te provonte pafajesine e tij ne kete proces gjyqesor. Pas degjimit te deklarimit te te pandehurit Avni Koldashi, i cili i vetmi nga te pandehurit e tjere ishte prezent ne salle radhen e ka marre avokati mbrojtes i te pandehurit Ilir Kumbaro. Sipas mbrojtjes dosja ne ngarkim te klientit te tij, i cili gjykohet ne mungese duhet t'i kalonte serish ne prokurori, pasi e vetmja gje qe dihet per te deri me sot jane disa te dhena qe ndodhen ne certifikaten qe ka vene ne dispozicion prokuroria.
Deshmite
Gruaja dhe djali i biznesmenit Remzi Hoxha jane dy deshmitaret e pare te ketij procesi gjyqesor. Keta te fundit jane thirrur nga prokuroria per te deshmuar ne seancen e radhes per te dhene shpjegimet e tyre.
Ngjarja
Biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, u mor peng me 12 tetor te vitit 1995 teksa ishte duke dale nga punishtja e tij duralumini. Pas zhdukjes se tij dyshimet vertiten ne faktin se ai mund te jete varrosur ne Vajin te Lezhes.