Festat e Kosoves, "loje fjalesh" per 28 Nentorin
E Premte, 23 Maj 2008
"Loje fjalesh" eshte shnderruar debati mes deputeteve dhe qeverise ne Prishtine, lidhur me festat zyrtare te Republikes se Kosoves por dje besohet se kompromisi u arrit me tri propozime te reja. Ndersa qeveria thote se i permbahet pakos "Ahtisari" dhe s'mund te sanksionoje festa kombetare qe i perkasin nje shteti tjeter (Shqiperise), deputetet kembengulin per te kujtuar cdo vit me feste zyrtare, 28 Nentorin, Dita e Flamurit. Gjithsesi, Kryeministri ka deklaruar se festat e zemres per kosovaret nuk do te hasin ne pengesa, perkundrazi, mund te kremtohen nga kushdo.
Ne kete "vorbull" debatesh, Qeveria, ne koordinim me perfaqesuesit e pranise nderkombetare, ka propozuar qe keto data te emerohen me emra te rinj dhe te perfshihen vetem si aneks ne ligjin per festat. Ndaj dje, nje komision 'ad hoc', i perbere nga te gjitha partite parlamentare, shqyrtoi disa rekomandime, duke dale me tri propozime te reja kompromisi. Si zgjidhje alternative eshte propozuar qe disa data historike te Kosoves dhe te shqiptareve te hyjne si aneks i ligjit, duke i modifikuar edhe emrat e ketyre festave. Kjo zgjidhje alternative, u sqarua nga deputeti Ibrahim Makolli, nga komisioni 'ad hoc' per ligjet e pakos se Ahtisaarit. "Jane tri propozime qe Kuvendi i Kosoves te nxjerre nje deklarate, e cila do t'i bashkohet, do te jete aneks i Ligjit per festat zyrtare ne Republiken e Kosoves, ne te cilat jane permbledhur 6 Marsi, qe nuk eshte menduar te quhet edhe me tutje Dita e Veteraneve ose Deshmoreve, 12 qershori - dita e Lirise ose dita e Falenderimeve, apo dita e Paqes, dhe 28 Nentori si dita e Shqiptareve", tha Makolli.
Lidhur me keto propozime, te cilat Kuvendit i kane ardhur pas konsultimeve me Zyren e Kryeministrit dhe ate te Presidentit te Kosoves, deputeti Lulezim Zeneli, po nga komisioni 'ad hoc', tha dje se i mbetet secilit grup parlamentar qe te marre qendrim perkates, qendrime keto qe do te prezantohen ne seancen e neserme plenare. "Eshte heret te flitet per nje propozim te mundshem, i cili do te jete si zgjidhje alternative, ne menyre qe te procedohet dhe te marre miratimin ne seance plenare. Po presim; t'i pranojme se pari propozimet e tilla dhe pastaj mbi ato propozime ne do te diskutojme dhe marrim qendrimin perfundimtar. Pretendojme qe tri datat qe jane esenciale, duhet te merren dhe adresohen permes ligjit ne Kuvendin e Kosoves", tha Zeneli.
Dileme dhe pengesa nderkombetare
Ceshtja e festave zyrtare ne Republiken e Kosoves mbetet jo vetem dileme, por edhe pjese e konsultave dhe kompromiseve ndermjet subjekteve politike vendore dhe perfaqesuesve te pranise nderkombetare. Identiteti i ri i Kosoves si shtet, duke i perjashtuar festat kombetare te shumices, sipas nje kalendari festiv te prezantuar ne Ligjin per festat nga ana e qeverise, eshte kundershtuar nga Kuvendi. Deputetet kane kerkuar qe ky kalendar t'i permbaje edhe tri festa tjera, ate te Clirimit, Diten e Deshmoreve dhe 28 Nentorin. Por, kjo kerkese e deputeteve, duket se nuk ka nje konsensus te plote me nderkombetaret.
Vendos Kuvendi
Eshte Kuvendi i Kosoves, ai i cili ne fund do te vendose nese do t'i pranoje apo jo rekomandimet alternative per aneksin e ligjit per festat, pasi qe si pjese e Ligjit per festat zyrtare figurojne vetem 17 shkurti - Dita e Pavaresise dhe Dita e Kushtetutes. Kurse te nente festat tjera zyrtare te Kosoves qe figurojne ne kete ligj, jane festa nderkombetare apo fetare.
Kryeministri mbron projektligjin
Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaci, ka mbrojtur edhe dje vendimin e qeverise se tij per te hequr nga kalendari zyrtar i shtetit te ri diten e festes zyrtare te flamurit. Megjithate ai pranoi se vendimi eshte me teper imponim i zbatimit te planit "Ahtisari". "Percaktimi i festave eshte nje detyrim i parashtruar nga pakoja "Ahtisari", e cila duhet implementuar", evidentoi Thaci. Ai sqaroi se gjithcka eshte punuar ne bashkepunim me spektrin politik. Eshte nje ceshtje e diskutuar nga Ekipi i Unitetit dhe eshte proceduar prej Grupit strategjik ne Qeverine e Kosoves. "Edhe Kuvendi do te thote fjalen e vet. Gjithcka do te behet sipas vendimit unik te institucioneve te Kosoves. Simbolet dhe festat kombetare do te festohen ne Kosove, por do te kemi edhe festat shteterore", ka pohuar Thaci.
Edhe te huajt, padurim per "15 qershorin"
Data 15 qershor eshte mirepritur nga Grupi Drejtues per Kosoven, i cili, permes nje deklarate per media, ka thekuar se ne kete dite, autoritetet e Kosoves dhe Perfaqesuesi Nderkombetar Civil do te marrin pergjegjesite e tyre te plota, te percaktuara ne pakon e "Ahtisarit" dhe ne Kushtetute. Ky grup thuhet ne deklarate ka vene re se perpjekjet per lehtesimin e pranise nderkombetare ne Kosove po vazhdojne dhe konsideron se Qeveria e Kosoves duhet te perfshihet plotesisht.