"E vrava per te marre hakun e Jaho Smoqit"
E Shtune, 17 Maj 2008
Ekzekutimi ne qytetin e Shijakut te komisionerit te ish-deputetit Sokol Olldashi erdhi pas nje historie 5-vjecare hakmarrjeje brenda fisit. Grabitja me pasoje vdekjen e Jaho Smoqit ne vitin 2003, nuk do te mbaronte vetem me denimin e te dyshuarit Fatos Balla nga Gjykata e Durresit. Kusheriri i dyte i Smoqit akuzohet si autor i vrasjes se Hysen Beges, dy dite me pare, ne lagjen "Erzen". Policia e Durresit deklaroi dje se kishte arrestuar pas ndalimit qe i beri dy ore pas krimit, Nazmi Rramillin, 24 vjec, me detyre ushtar me pagese ne komanden e Zall-Herrit. Ndersa kishte marre lejen ne repart per disa dite, i riu ka planifikuar edhe ekzekutimin, akt per te cilin perdori nje automatik "kallashnikov" dhe nje motor me skafander. Gjate marrjes ne pyetje nga policia e Durresit, diten e djeshme, ushtari ka pohuar se "e vrava per te marre hakun e Jaho Smoqit". Ndersa u ndalua nga patrullat e policise se Tiranes ne rrugicat e lagjes "Kombinat", 24-vjecarit iu kapen ne cilesine e proves materiale detonatore e fisheke, ndersa arma ishte hedhur ne nje kanal pas krimit.
Hetimet
Edhe pse eshte marre per 12 ore ne pyetje nen masen e ndalimit si i dyshuar per vrasjen ne Shijak, ushtari komando Nazmi Rramilli, banues ne fshatin Hardhishte, te komunes Gjepalaj te Durresit, nuk ka pranuar te jape me shume detaje rreth akuzes qe i eshte ngritur. Ai ka mohuar te flase rreth bashkepunetoreve, por ka pohuar se kishte qelluar para shtepise Hysen Begen me bresheri. Policia tha se 24-vjecari eshte i aferm i Jaho Smoqit, pronarit te nje eurollotoje qe u masakrua ne familjen e tij pas nje akti grabitjeje nga kater persona te maskuar. Babai i Ramillit e kishte djale halle Smoqin, nderkohe qe viktima ishte baxhanak me ish komisionerin e Olldashit, Hysen Begen. Ushtari 24 dyshonte se Bega, me emrin qe gezonte ne komunitet ishte i perfshire ne krimin e ndodhur pese vite me pare po ne Shijak. Nga hetimet e kohes rezultoi se nje prej autoreve kishte dijeni per parate qe mbante ne banese Smoqi dhe ky mund te ishte baxhanaku Hysen Bega, i shoqeruar dhe me pas i liruar nga policia. Gjithsesi motivi zyrtar sipas policise per ekzekutimin me bresheri te 45-vjecarit eshte "hakmarrja" dhe ka ngritur akuzat e "vrasjes me paramendim" dhe te "armembajtjes pa leje".
Operacioni
Menjehere pasi ndodhi krimi i bujshem ne lagjen "Erzen" te Shijakut, rreth ores 19:00, forca te shumta te policise jane mobilizuar per kapjen e te dyshuarit. Jane ngritur postblloqe te shumta, por te pasuksesshme ne rruget e qytezes dhe ne Durres. Ka qene policia e Tiranes, qe ka hasur motorin dhe drejtuesin ne periferi te Kombinatit ne baze te karakteristikave te dhena, nje mjet tip "Scooter". Menjehere patrullat jane vene ne ndjekje, por i dyshuari nuk ka ndaluar. Ai eshte futur neper rrugicat e lagjes per t'i shpetuar ndjekjes, derisa eshte rrethuar nga uniformat blu dhe ndaluar rreth ores 21:00 te mbremjes. I riu nuk ka dhene shpjegime te shumta, duke u mbrojtur se ishte fshehur neper rrugica, pasi mendonte se policia do i vinte gjobe apo sekuestronte motorin. Mengjesin e djeshem, ai eshte arrestuar si i dyshuar, pasi ne banese u zbuluan nje pistolete elektrike, fisheke, krehra dhe detonatore. Nderkohe qe automatiku tip "Kallashnikov" i ka kaluar Laboratorit Qendror te Kriminalistikes per ekspertize balistike dhe gjurmet e gishterinjve. Nazmi Rramilli konfirmohet se eshte ushtar me pagese ne Brigaden e Reagimit te Shpejte me qender ne Zall-Herr. "Gjate interesimit eshte mesuar se ai aktivizohej prej nje viti ne kete repart dhe dispononte nje dokument identifikimi", thane burime zyrtare te policise. Drejtuesit e repartit kane bere te ditur se 24-vjecari ishte larguar me leje per ne shtepi me rastin e fundjaves dhe do te rikthehej, por nuk ka dhene shpjegime rreth arsyeve.
K.J
Zbulohet arsenali me arme
"Nga veprimet e para hetimore rezultoi se i dyshuari mendonte se viktima ishte perfshire ne vrasjen e djalit te halles se babait te tij, ne vitin 2003, ngjarje per te cilen eshte denuar me burgim dhe vuan denimin shtetasi Fatos Balla". Keshtu u shprehen zyrtare te Policise se Shtetit dje per gazeten "KJ", rreth vrasjes se bujshme ne Shijak. Gjate kontrollit u be e mundur gjetja dhe bllokimi ne cilesine e proves materiale i armes se krimit, automatik model 56, se bashku me dy krehra, te cilet pas ngjarjes ishin hedhur ne nje kanal nga autori. "Ne banese u gjeten e bllokuan ne cilesine e proves materiale edhe 5 krehra automatiku, pa fisheke, 2 kapsolla detonatore dhe 1 pistolete elektrike te cilat i mbante pa leje", tha policia.
Historia e konfliktit, parate e Eurollotos
I riu ka treguar se Jaho Smoqi, biznesmeni i vrare gjate nje grabitjeje ne shtepine e tij ne fshatin Sallmone, ishte djali i halles se babait te tij. Ndonese per vrasjen eshte denuar Fatos Balla, i cili po shlyen 22 vitet e burgut, sipas nje vendimi gjykate te formes se prere, familjaret e Smoqit asnjehere nuk kane qene te bindur per autoresine e Balles ne kete krim, duke thene se vrasja eshte kryer nga persona brenda familjes. Sipas Nazmi Rramillit, Hysen Bega, baba i tre femijeve, ka perfituar nga krushqia qe kishte me biznesmenin Smoqi dhe ka organizuar dhe ka marre pjese ne grabitjen qe perfundoi me vrasjen e pronarit te "Eurollotos" dhe plagosjen e se shoqes, ngjarje e ndodhur ne nentor te vitit 2003. Vete 24-vjecari ka treguar se krimin e ka kryer i vetem. Policia tha se vrasesi ka shkuar me nje motor te vogel ne shtepine e Hysen Beges, me fytyre te mbuluar nga skafandra, dhe ka zbrazur 17 plumba kallashnikovi kunder tij. Pas ngjarjes, ai eshte larguar me shpejtesi drejt kryeqytetit. Duke ndjekur itinerarin e pershkuar me motor nga vrasesi, policia arriti te gjeje dje edhe armen me te cilen mendohet se eshte kryer vrasja.
I dyshuari, komando ne misionin e Bosnjes
Pak kohe me pare, Nazmi Ramilli ka marre pjese ne kontingjentin shqiptar te paqeruajtesve qe sherbeu ne Bosnje. Kete fakt e kane konfirmuar edhe drejtues te repartit te Zall-Herrit ne kryeqytet. Por, se fundi ai sherbente ne brigade, i aktivizuar ne stervitje dhe veprime te tjera ushtarake, ndersa paguhej me nje rroge. Sipas ushtarakeve, ai njihet si qites i mire dhe me pergatitje te larte ushtarake per cfaredolloj situate. Kete fakt e tregon edhe fiziku i te dyshuarit, apo arsenali i gjetur ne banese gjate kontrollit te ushtruar nga policia ne fshatin Hardhishte. Por drejtuesit e repartit e kane vleresuar maksimalisht per korrektesen gjate detyres.
Familjaret, asnje prononcim per mediat
Familjaret e te dyshuarit Nazmi Ramilli kane qene te mbyllur ne banese gjate dites se djeshme dhe nuk kane preferuar te flasin rreth ngjarjes. Me e rende paraqitej situata ne familjen Bega ne lagjen "Erzeni", ku asnje prej te afermve te viktimes nuk ka pranuar te jape deklarata, ndersa kane percjelle ne banesen e fundit te ndjerin. Ata kane penguar cdo tentative te gazetareve, nderkohe qe policia ka marre masa te larta sigurie ne zone per te shmangur cdo perplasje te metejshme. Burime zyrtare thane se palet ne konflikt jane me lidhje farefisnie dhe krushqie mes tyre dhe se motivi ka qene vetem "hakmarrja". Viktima Bega ka qene baxhanaku i Jaho Smoqit dhe u dyshua nga familjaret si bashkepunetor ne vrasjen e biznesmenit ne nentor te vitit 2003.