Serbet e Kosoves, pro perpjekjeve per decentralizim
E Merkure, 14 Maj 2008
Perfaqesuesit e serbeve te Kosoves konsiderojne se pjesa teknike e planit te Marti Ahtisarit paraqet baze te mire per perparimin e metejshem te procesit te decentralizimit ne shtetin me te ri te botes. Qeveria e Prishtines ne perpjekje per te mesuar se "cfare mendojne serbet per decentralizimin?", ka testuar popullsine minoritare dhe ka arritur ne perfundimin e mesiperm. Per me teper, jo vetem fjalet e qytetareve te thjeshte, por dhe zyrtareve qe i perfaqesojne ata, jane me nota optimiste.
Nenkryetarja e Keshillit Nacional Serb, Rada Trajkovic, thote se propozimi i Ahtisarit eshte baze e mire per mbijetesen funksionale te serbeve ne Kosove. "Pjesa teknike e planit te Ahtisarit eshte baze e mire per krijimin e kushteve per nje mbijetese funksionale te serbeve ne Kosove, kuptohet, se bashku me disa mekanizma plotesues, qe do te bejne te mundur qe te kemi nje qeverisje lokale, e cila mund te lidhet me nivelin horizontal edhe me pikepamje etnike, gje qe askush nuk e ve ne pyetje. Ky pushtet do te kishte edhe lidhje institucionale me Beogradin", pohon Rada Trajkovic.
Kurse, kryetari i Keshillit Nacional Serb te Mitrovices se veriut, Nebojsha Joviq, pretendon se per palen serbe eshte i papranueshem plani i Ahtisarit, i cili eshte edhe baze per procesin e decentralizimit ne Kosove. "Kur behet fjale per planin e Ahtisarit, per serbet eshte absolutisht i papranueshem, por nese ka gjera pozitive dhe sigurisht se i ka, duhet te ruhet per bisedimet e reja. Dhe, ne te ardhmen, me mirekuptim duhet pranuar cilindo propozim te pales serbe, si dhe cilindo ndryshim te pales shqiptare, pasi qe nese deshirojme nje zgjidhje qe do te jete funksionale ne terren, duhet pasur parasysh propozimet e dy paleve", tha Jovic.
Sakaq, Trajkovic thekson se procesi i decentralizimit duhet te perkrahet me faktin se nuk do te behet legalizimi i pastrimit etnik te Kosoves. "Ne te gjitha vendet ku serbet edhe me tej jetojne, duhet te gjenden modalitetet e veteqeverisjes, te cilat do te bejne te mundur qe ata edhe me tej te jetojne aty", tha Trajkovic.
Nga ana tjeter, ministri i Pushteti Lokal, Sadri Ferati, evidenton se pavaresisht nga vullneti dhe gatishmeria e institucioneve te Kosoves qe te fillohet me realizimin e procesit te decentralizimit, refuzimi i serbeve te Kosoves qe te jene pjese e ketij procesi, do ta pamundesoje realizimin e tij. Sidoqofte, ne baze te planit te Ahtisaarit, parashikohet qe ne Kosove te formohen 5 komuna te reja me shumice serbe. Po ashtu, pritet te zgjerohen kufijte kadastrale te Komunes se Novoberdes, ne te cilen popullata serbe perben shumicen.