Dule: Bollano po mbron ligjin ne Himare
Bisedoi: Jakin Marena
E Hene, 12 Maj 2008
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, ne nje interviste per "Koha Jone" eshte shprehur se kreu i bashkise se Himares, Bollano ka respektuar vetem ligjin, ne lidhje me ceshtjen e pronave. Pasi per te, kjo zone eshte mbushur me ndertime te paligjshme dhe ai ka bere jo vetem denoncimin publik, por edhe ate gjyqesor. Pikerisht, sipas Dules, njerez me interesa te paligjshme kane drejtuar keto sulme ndaj kreut te bashkise se Himares. Duke i veshur sipas tij, dhe deklarata te paqena antikombetare. Dule flet dhe per ndryshimet ne qeveri, ndryshimet kushtetuese dhe regjistrimin e popullsise.
Ku konsistojne defektet e kesaj qeverisjeje ne te cilen beni pjese prej tre vjetesh, dhe perparesite e saj?
E verteta eshte, dhe kete e kemi pohuar ne menyre te perseritur, se ambiciet tona nga qeveria ku jemi pjese, ishin me te medha. Dhe ky nuk eshte rezultat i nje gjykimi subjektiv. Ekzistonin te gjitha premisat, pas zgjedhjeve te vitit 2005 qe qeverisja qe doli prej tyre, te realizonte nje "klik" cilesor ne zhvillimet politike ne vend, ne menyren e administrim te jetes publike te vendit, ne baze te nje vizioni afatmesem dhe afatgjate, ne baze te prioritarizimit te qarte te objektivave ne sherbim te ketij te ketij vizioni. Dhe natyrisht te gjitha keto ne sherbim te permiresimit te dukshem te jetes se perditshme te qytetarit shqiptar dhe te shoqerise shqiptare. Kjo nuk eshte realizuar ne shkallen qe ne prisnim ta realizonim. Qeverisja e sotme eshte nje qeverisje e ngjashme me ato te meparshmet, qofshin ato te "Koalicionit per Integrim" apo te "Aleances per Shtetin" ku ne ishim ne aleance me te majtet. Por sidoqofte nuk duhet per asnje moment te harrojme se eshte edhe nje vit deri ne perfundim te mandatit dhe ende ekzistojne te gjitha shanset per realizimin e ketij dallimi cilesor. Nga ana tjeter nuk mund te mohohet se brenda ketij mandati kemi dy stacione mjaft te rendesishme: nenshkrimi i MSA me BE-ne dhe marrja e fteses per ne NATO. Eshte sfida jone e koalicionit qeverises, por dhe e gjithe klases politike qe keto dy evenimente te nje rendesie me te vertete historike dhe strategjike, ne te gjithe historine e shtetit modern shqiptar, te mos lejojme qe te perdoren dhe te zhvleresohen si slogane per konsumin politik te dites, por te fitojne permbajtjen e vertete. Mendoni se do t'i jepje nje "kolpo" qeverisje per kete vit qe ka mbetur nje riformatim i kabinetit qeveritar?
Eshte nje kerkese e thene dhe e sterthene kjo, por qe ne fund te fundit gjykimin e fundit e ka ai qe ka dhe pergjegjesine me te madhe. Dhe ky eshte Kryeministri. Ne gjykohemi per qendrimet tona politike, dhe opinioni publik e di kerkesen tone te vazhdueshme per riformatim te kabinetit. Gjithmone ne sherbim te vizionit qe permenda me lart dhe objektivave qartesisht te prioritarizuara. Ridimensionimi i ketyre prioriteteve kerkon nje rifreskim te kabinetit, me qellim qe ti jape vrull te ri, nje nxitje te re, realizimit te ketyre objektivave ne sherbim te atij vizioni. Por eshte momenti qe nuk deshirojme te vazhdojme me ate motiv, e kemi thene qarte ne komentin tone, eshte kompetenca e ekzekutivit dhe ne do te respektojme zgjedhjen e tij. Por qe natyrisht duke ndare qarte dhe pergjegjesite, sepse ne e kemi degjuar qarte dhe mbi kete baze presim te degjohemi, sikurse dhe ai e ka degjuar qarte por nuk e ka marre parasysh, por qe do te gjykohet qarte nga elektorati, sic gjykohen gjithe politikanet.
Ne sondazhet e fundit, perceptimi i korrupsionit eshte ne nivel shume te larte, 13% me i larte se ne vitet 2006 por dhe ne 2005. Mendoni se ketu duhet vene "dore"?
Fenomeni eshte ekzistues. Ka qene here me intensiv, here ne zmbrapsje, por ka qene gjithmone i pranishem, ne te gjitha qeverite dhe gjate gjithe periudhes postkomuniste. Deshirojme te jemi te qarte, sikurse gjithsecili kerkon te jete i qarte ne kete vend, se ne qoftese se ne nje kohe shume te shkurter, nuk demonstrojme nje vullnet te pathyeshem kunder korrupsionit, e kombinuar kjo me ngritjen e mekanizmave eficente ne luften kunder tij, dihet se korrupsioni do te vere ne rrezik vete ekzistencen e shtetit te se drejtes. Eshte nga ato fenomene qe duhet te luftohen ne menyre eficente, ne menyre drastike me rezultate gjithmone kufizuese dhe minimizuese per te, pasi dihet se hakmarrja e tij eshte shume e madhe, duke kercenuar dhe vete ekzistencen e shtetit te se drejtes.
Ndryshimet kushtetuese preken sistemin zgjedhor, Presidentin etj. Ju si parti te vogla, sa te shqetesuara jeni per reformen zgjedhore?
Jemi te shqetesuar per faktin se reforma zgjedhore e trumbetuar prej muajsh u devijuar nga objektivi i saj paresor, qe ishte eliminimi i aspekteve problematike te konstatuara gjate proceseve te meparshme zgjedhore dhe u perqendrua ne nje aspekt i cili nuk ka qene problematik, qe eshte sistemi zgjedhor. Pra, ishte vullneti i dy forcave te medha politike dhe ne beme oponencen tone ne disa drejtime, ne aktivitetin tone parlamentar, ne komisionin e ligjeve, ne aktivitetin politik ne prezantimin tone ne media, nje oponence konstruktive e ketij ndryshimi. Konstatuam se qendrimet tona nuk paten influencen qe ne prisnim, si ne opinionin publik ashtu edhe midis radheve te politikes. Nga ana tjeter, partite, te cilat u grupuan ne oponence te PD e PS, deshtuan ne unifikimin e qendrimit te tyre politik, ne lidhje me sistemin zgjedhor. Te gjitha shikonin jo deren, por se e si te krijonin dritare per favorizime te njeanshme te njeres apo forces tjeter politike, ne dem te nje ceshtjeje te perbashket te te gjitha ketyre forcave, qe ishte berja e mundur e deshtimit te iniciatives se PD dhe PS-se. Natyrisht, une do te doja te riktheja vemendjen ne aspektin e kartave te identitetit, pergatitjen ne kohe, pergatitjen ne cilesine e duhur por dhe shperndarjen e tyre perpara zgjedhjeve te ardhshme parlamentare. Se dyti, krijimi i listave te pakontestueshme, larg ndikimit te militanteve partiake ne formulimin e tyre, por qe te jene produkt vetem i struktures administrative shteterore qe jane gjendjet civile. Se treti, ngritja e komisioneve zgjedhore te te gjitha niveleve jo partiake. Eshte momenti qe t'i besohet nepunesit civil, administrates se ketij vendi, krijimi i nje procesi zgjedhor. Se katerti, eshte shume e rendesishme qe te gjitha forcat politike te bien dakord per t'u dhene te drejten per te votuar emigranteve ne vendet ku ata punojne e jetojne. Ndersa per aspektet e tjera te ndryshimeve Kushtetuese, besoj se ishin te sforcuara, te fragmentarizuara dhe ne sherbim te politikes se dites. Sidoqofte koha do ta gjykoje. Ne jemi te mendimit se ndoshta ka ardhur momenti, 10 vjet pas funksionimit te Kushtetutes se Republikes, ajo te rishikohet. Por duke pasur parasysh me kontestimet qe iu bene asaj me bojkotimet e opozites se atehershme, eshte momenti qe ne keto realitete te reja te konsensusit mes forcave te medha politike, kjo te rishikohet. Kjo duhet te konsistojne ne ngritjen e nje komisioni te ndryshimeve ne Kushtetute, ku nuk duhet te marre pjese vetem politika, por dhe eksperte te fushes por dhe te shoqerise civile, per te thithur ekspertizen nderkombetare. Pse jo dhe nje debat me te gjere shoqeror, sepse proceset ne vendin tone, duke perfshire dhe ndryshimet ne Kushtetute, jane qe ne zanafillen e tyre te deshtuara ne qofte se nuk bejne bashkudhetare te tyre qytetarin. Rrjedhimisht, jemi shume te vemendshem, ndjekim nga afer dhe themi pa eksese mendimin dhe vleresimin tone dhe shpresojme qe reflektimi te jete ne keto kuadre maturie nga te gjitha forcat politike.
Pra, jeni per Referendumin?
Referendumi sot te kishte kuptim ne kushte te tjera dhe ne forma te tjera. Ai eshte forma me e larte e shprehjes ne demokraci. Por mendoni se jemi 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Zhvillimi i nje referendumi ne kushtet e tensionimit ekstrem, sic ka nisur qendrimi per nje zhvillim te tille, me siguri matematike do te na coje ne kontestimin e produktit te ketij referendumi, qe do te na coje per pasoje ne nje situate zgjedhore in-extremis te polarizuar, eshte teper e demshme per zhvillimet politike ne vend. Sidomos per kete kohe kur kerkohet pershpejtimi i ritmeve te reformave. Kemi nje zhvillim cilesor ne jeten politike te vendit, do te thoja edhe llojesor per nga menyra e te ushtruarit te politikes deri me sot. Per here te pare realizohet ne shkallen qe realizohet sot, nje konsensus midis partise kryesore qeverisese dhe partise kryesore te opozites. Per ne, bashkepunimi ne keto aspekte te rendesishme, sic jane ato te integrimit, midis PD dhe PS, eshte me i rendesishem se sa bashkepunimi i PD me ne, aleatet e saj ne qeverisje ose i PS me aleatet e vet ne opozite.
Ka pasur akuza ne drejtim te kryebashkiakut te Himares per thirrje antikombetare te tij. Si i konsideroni keto akuza?
Ne menyre te perseritur, nepermjet medieve dhe deklarimeve publike kemi kerkuar qe ato qe disponojne deklarata antikombetare te zotit Bollano, ti vene ne dijeni te opinionit publik dhe strukturave kompetente shteterore. Degjojme vetem komente rreth deklaratave hipotetike "antikombetare dhe antikushtetuese" te zotit Bollano, qe une nuk i kam degjuar dhe pare ndonjehere. Nuk eshte ky thelbi, kjo eshte nje tymnaje e inskenuar ne menyre mjeshterore, per te hequr vemendjen nga perplasja e vertete qe ekziston ne Himare midis zotit Bollano dhe interesave te paligjshme dhe jashtezakonisht te medha. Te cilat lidhen me abuzimin e tentuar dhe ne nje mase te realizuar, gjate drejtim bashkiak te para ardhjes se zotit Bollano dhe te cilin ai e ka denoncuar si ne nivel gjyqesor ashtu dhe ne nivel politik. Keto interesa, duke pare se nuk ekziston mundesi kompromisi me zotin Bollano, ne dem te interesave turistike te Himares, perpiqen ta demonizojne ate, te penalizojne komunitetin e Himares, dhe ketu karta e nacionalizmit eshte me lehtesisht e gelltitshme nga opinioni publik. Por fatmiresisht per te drejten, per zotin Bollano dhe per ne qe e mbeshtesim, kjo nuk ndodh ne erresire. Kjo ndodh ne veshtrimi e vezhgimin sistematik te komunitetit nderkombetar, i cili ne menyre shume diskrete eshte shprehur ne vazhdimesi ne mbeshtetje te zotit Bollano dhe te aktivitetit te tij. Rrjedhimisht, eshte momenti qe edhe mediat te reflektojne. Sepse disa thirrje "nacionaliste" te disa analisteve ne media, mbrojne interesa te jashteligjshme, te cilat vene ne rrezik jo vetem pronen e disa individeve, jo vetem pronat e nje komuniteti, por te gjithe perspektiven turistike te nje zone jo cfaredo, por te perles se turizmit te vendit dhe qe mund te behet nje destinacion i lakmueshem me politika te drejta, sic jane ato qe propozon zoti Bollano ne te gjithe rajonin.
Ka akuza ne drejtim te bllokimit te pronave nga ana e Bollanos. Sa ne dijeni jeni?
Ka nje problem i cili kerkon zgjidhje ne zonen e Himares. Eshte nje problem i cili duhet trajtuar me realizem, konstruktivitet dhe me parimin qe prona t'i jepet atij qe i takon ne baze te ligjit, ne baze te moralit, ne baze te tradites, dhe jo atij, i cili duke disponuar nje media ne Tirane, pretendon dhe kerkon qe ta rrembeje kete prone. Shkoni e shikoni dhe une vertet cuditem se si nuk e kane bere kete gje mediat deri me tani, te cilat me kaq zell sulmojne zotin Bollano. Te denonconin masakren qe eshte bere ne Himare para ardhjes se Bollanos ne krye te bashkise, ne ngritjen e godinave 10 apo me shume kateshe ne zemer te Himares. Shkoni dhe shikoni bregdetin dalmat, te Malit te Zi, Greqise dhe ne rast se do te gjeni nje precedent te nje masakre te tille urbanistike sic eshte ajo qe ka ndodhur ne Himare dhe ajo qe kerkon te behet prej ketyre interesave te paligjshme ne Himare, atehere dhe une do te merrja anen e atyre qe po sulmojne ne menyre sistematike dhe te paskrupullt zotin Bollano.
Po per regjistrimi e popullsise, cili eshte qendrimi juaj?
Qendrimi yne eshte i qarte, i unifikuar me qendrimin e nderkombetareve per standardet me bashkekohore nen juridiksionin e vendeve te KE-se. Regjistrimi i popullsise, jemi i vetmi vend qe nuk e kemi bere ne baze te standardeve te KE-se. Regjistrimi i pergjithshem i popullsise presupozon qe krahas gjeneraliteteve te tjera te gjithe qytetaret te kene te drejten te kene dhe perkatesine e tyre fetare, apo mosperkatesine fetare, perkatesine e tyre etnike, dhe gjuhen e tyre amtare. Kjo nuk ka ndodhur asnjehere ne kushte lirie dhe demokracie ne Shqiperi.