PERIODIKE

KERKO

Printo Artikullin Printo Artikullin  |  Komento artikullin Komento artikullin  |  Shiko komentet
Bukuresht, dy dite, per nje pritje te gjate!

Bukuresht, dy dite, per nje pritje te gjate!

Nga Blendi Fevziu
E Enjte, 10 Prill 2008

Mamurras, Prill 1990

Me e veshtira ishte stervitja komplekse! Ne oren 2 te nates, ndersa pjesa me e madhe e zboristeve nuk kish nisur te dremiste ende, nje sirene therese dhe e lodhshme ulerinte fort. Ne kapanonin prej 320 vetash shfaqeshin furishem te gjithe oficeret e kampit, ndersa komandanti i batalionit, bertiste me nje megafon dore:

- Shoke ushtare alarm! NATO dhe Traktati i Varshaves po sulmojne Shqiperine. Cohuni, cohuni! Alarm!

Ne katin e dyte te krevatit marinar flinte Ben Blushi, ndersa ne krahun tim, Edvin Shvarci. Zgjoheshim te gjithe te tmerruar, ndersa kolona e gjate vihej ne levizje 15 minuta me vone. Ecnim pa pushim per me shume se kater ore kodrave te Mamurrasit, te bindur se as Traktati i Varshaves dhe as NATO nuk kishin ndonje interes te vecante per Shqiperine dhe ne te gdhire, rreth ores 06:00 te mengjesit, kishim zene pozicion ne kodren e varrezave ose buze transhese se hekurudhes. Platiteshim te sterlodhur ne toke, ndersa nje tren 40 vjet i vjeter qe donte plot 5 ore te shkonte nga Tirana ne Shkoder cafuciste ngadale me udhetaret ende te pergjumur. Pushket e vjetra model 56 ishin leshuar ne toke, bashke me pajisjet kundergaz, lopatat xheniere dhe canten e rende ushtarake mbushur me bomba false dhe plot cikerrima pa vlere. 20 minuta me vone, grupi i oficereve drejtues shfaqej mbi transhe, duke shqiptuar frazen standard qe e degjoja per te tretin vit rresht:

- NATO dhe Traktati i Varshaves u shkaterruan, urime dhe suksese shoke ushtare!

Asnje nga ushtaret nuk donte t'ia dinte per kete. Shumica e tyre qene poete te rinj ose garipe te bulevardit, qe komunizmin e shihnin tani si nje rrobe demode qe nuk donin ta vishnin me.

Ishte viti 1990, pranvere. Isha ne vitin e trete te Fakultetit Filologjik dhe as qe mund ta mendoja se plot 18 vjet me pas, nje mengjes te 3 prillit 2008, do te hyja bashke me karvanin e makinave te delegacionit zyrtar shqiptar ne Pallatin e vjeter te Causheskut per te asistuar ne evenimentin me te madh te integrimit shqiptar qe nga ajo kohe, ftesen per anetaresim ne NATO. Shvarci, shoku i vjeter i fakultetit, ishte bashke me mua, ne ekipin e Presidentit; Andi Bejtja, studenti qe thyente gjithnje rregullat e zborit dhe nuk vendoste qafore, drejtonte transmetimin maratone si drejtor i lajmeve ne TV Klan, ndersa komandanti i vjeter i batalionit e kishte gjetur tashme rrugen e jetes ne tregun cam, duke shitur lule plastike dhe zbukurime per ceremoni. Pothuajse gjithe shoket e mi kishin nisur nje jete te re dhe asnje prej tyre nuk kishte pasur nevoje ta mbronte atdheun nga asnje agresion. Traktati i Varshaves nuk ekzistonte prej afro 17 vitesh, ndersa Presidenti dhe Kryeministri i Shqiperise po trokisnin ne deren e NATO-s per t'i besuar asaj sigurine e vendit te tyre!

Bukuresht, 2 prill 2008

Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha kane mberritur ne Bukuresht nga rruge te ndryshme. Delegacioni eshte vendosur ne Ramada Plaza Hotel, nje ish-kompleks i vjeter i rinovuar se fundmi, prane aeroportit. Nje delegacion i gjere, ku perfshihet edhe ministri i Jashtem, Basha dhe ai i emeruar rishtaz i Mbrojtjes, Oketa. Delegacioni eshte i madh, i plote, padyshim nder delegacionet me te medhenj, me te cilet Shqiperia eshte perfaqesuar ndonjehere. Ne levizjet e ngathta te nje paraditeje te lire ndihet ankthi. Ftesa ngjan e sigurt, por problemi i Maqedonise i komplikon problemet. Greqia ka deklaruar se do ta bllokoje ftesen e saj nese nuk nderron emrin Maqedoni qe perkon me nje krahine veriore te Greqise. Maqedonia nuk e nderron duke e konsideruar kete ceshtje te identitetit te saj. Duket se dy vendet jane perfshire ne nje dalldi nacionaliste dhe Shqiperia ndjek e dritheruar kete debat, gjithsesi me shpresen se nuk do te ndikoje ne vendimin per te. Aq me teper qe ne mengjes, Presidenti amerikan ka uruar publikisht tre vendet.

Bukureshti eshte i gjithi i blinduar. Rruget jane bllokuar, trafiku eshte nderprere, ndersa kanalet televizive jane fokusuar vetem te prania e Bush ne Bukuresht. Pak merren me samitin: Bush u nis per Kostanca! Bush mberriti! Bush po takon Baseskun! Bush u kthye! Bush po leviz ne qytet. Kamerat e ndjekin live gjithkund. Ne oren 15:20, ndersa nxitoj per ne qendren e EBU, ku do lidhem direkt me lajmet e TV Klan, ne korridor ndesh me eskorten e Presidentit. Me dhjetera vete, furia e te cileve me shtyne ne ane, ndersa Presidenti kalon i rrethuar nga sherbimet sekrete amerikane, zv.sekretari i Shtetit dhe disa oficere te larte.

Qendra e transmetimit te EBU eshte ne oborrin e godines se Causheskut, ku zhvillohet Samiti. Mbi 30 pozicione per t'ju ardhur ne ndihme 3800 gazetareve te akredituar qe pasqyrojne direkt aktivitetin e 6000 perfaqesuesve te shteteve. Shifra rekord per cdo samit deri me sot. Godina e stermadhe qendron mbi ne. Ne vitet '80-te ajo eshte ndertuar nga Caushesku si godina e dyte me e madhe e botes pas asaj te Pentagonit. Nje rezidence dhe seli gjigante ndertuar me material vendi qe duhet te kete kushtuar disa miliarde dollare dhe qe zhyti vendin ne ate kohe ne uri dhe mjerim. Sot sherben si qender takimesh nderkombetare, por rrenimi ka filluar te duket ne fasaden dhe korridoret e saj. Si cdo gje e ndertuar ne kohen e komunizmit, edhe ajo vuan nga mungesa e cilesise.

Ne 15:30 lidhen se pari direkt me TV KLAN. Ne Tirane ka po ashtu vemendje. Televizionet kane parashikuar transmetime maratone te nesermen. Gazetaret e tjere te huaj qe njoh me urojne. Entuziazmi i tyre perplaset ende me friken dhe mosbesimin qe nuk na ndahet.

Shetis pak neper qytet. Ka ndryshuar pak qe nga tetori i 1991, kur kam qene aty per here te pare dhe te fundit. Ka me shume prani te firmave nderkombetare, por godinat jane te palyera dhe dyqanet ende shume te thjeshte.

Ne mbremje jemi ulur te gjithe ne hollin e hotelit. Kryeministri i Belgjikes, qe qendron po aty, niset per ne darken e fundit te vendeve anetare ku do merret vendimi i plote. NATO ka neser tre probleme madhore: Zgjerimin, ku perfshihet debati mes Maqedonise dhe Greqise; Afganistanin dhe problemin e fillimit te procedures per Ukrainen dhe Gjeorgjine. Nje problem qe ka ndeshur refuzimin e plote rus.

Kryeministri Berisha eshte ngjitur ne dhome. Vetem ne ditet e pavaresise se Kosoves e kam pare me te shqetesuar dhe te ankthshem. Duket se dridhet nga cdo lajm qe vjen, ndjek cdo koment me frike se mund te ndikoje per ne. Presidenti Topi eshte ulur ne holl me nje grup nga delegacioni. Biseda eshte e qete, jo konkrete, por duket se kushdo ka ankth per ate qe po ndodh ne darke. Here-here ndonje shton me shume per besim shprehjen: mos u merzitni, ka marre fund, do e kemi. Nga Maqedonia dhe Kosova telefonojne vazhdimisht. Duket se ne Kosove e perjetojne edhe me me pasion. Fatmir Limaj me rrefen se televizionet serbe kane nisur transmetime te gjata ku komentatoret deklarojne se Shqiperia nuk do ta marre ftesen ne asnje menyre ne samit.

Ne 21:55 telefoni celular i Artur Kukos, ambasadorit tone ne NATO, tringellin nje here. Kuko ka qendruar gjate me syte ne ekranin e tij ate nate. Biseda eshte e shkurter:

- E morem, thote ai si me hutim. Qe nga fillimi i karrieres se tij diplomatike, 20 vjet me pare, ku eshte lajmi me i rendesishem i jetes se tij.

Tavolina shperthen nga gezimi. Presidenti ngrihet ne kembe. Vijne lajmet e para. Maqedonia nuk kalon dot. Ftesa konsiderohet e marre ne parim, por kjo s'do te ndodhe neser. Ajo do te ulet ne tryeze ne diten qe do te gjeje zgjidhje me Greqine. Ju nis nje mesazh te thjeshte politikaneve qe ju intereson ky lajm: Maqedonia u bllokua. Shqiperia kaloi!

Pak sekonda me pas nisin reagimet e para. Hashim Thaci, Ben Blushi, Pandeli Majko, Menduh Thaci.

Presidenti ngjitet lart, ndersa Kuko dhe une nisemi per ne transmetim direkt ne qendren e EBU, rreth 30 minuta larg nga hoteli. Lajmin e jap me thenien qe ka magjepsur shqiptaret qe prej 17 shkurtit: NATO, U KRY!

Kuko jep nje interviste te shkurter dhe realiste. Kur mbaron, gazetaret e Kosoves, ata shqiptare te Maqedonise dhe disa te tjere gjeorgjiane apo ukrainas na perqafojne me entuziazem. Ka urime kudo. Nje ambasador evropiano-verior qe eshte pak me larg, shton me shaka: dikur NATO ishte organizata e vendeve atlantike, ku njerezit takohen me distance dhe ftohte. Tani duhet te mesohemi me perqafimet e Mesdheut, por edhe kjo eshte e bukur. Qeshin te gjithe me nje ze. Ballkani dhe Lindja feston gjithnje keshtu. Me zhurme dhe perqafime. Sot kemi vertet rast ta bejme kete.





3 prill 2008

Ne ora 10:30, makinat e delegacionit me flamurin e Shqiperise jane vendosur ne hyrjen qendrore te hotelit. Jane te gjithe te veshur ne menyren me formale te mundshme. Kravatat e kuqe dominojne mes kemisheve te bardha dhe kostumeve te zinj. Ka nje lloj solemniteti qe ndihet ne ajer, ne levizjet e gjithsecilit, madje edhe ne sjelljen e shoqeruesve. Jemi anetare te NATO-s, aleances me te madhe te globit dhe befas, ky vendim duket se ka sjelle nje status te ri te ne.

Nisemi duke pershkuar me shpejtesi thuajse gjithe qytetin e shkrete. Ne hyrjen qendrore, njerezit e sigurimit, nuk shohin qe disa nga gazetaret kane baxha te thjeshta qe nuk i lejojne per te hyre aty. Ne fakt, edhe aty ku siguria eshte me e madhe se kurre, gjithnje ka pasiguri. Presidenti dhe Kryeministri ndahen nga grupi dhe shoqerohen ne sallen e Samitit. Ne 20 minuta qe qendrojme ne hyrje te saj, vijne e ikin personalitete nga me te rendesishmet ne bote. Presidenti Karzai me supereskorten e tij; Presidenti Jushenko i Ukraines, Shakashvili i Gjeorgjise, Basesku i Rumanise, Dora Bakojanis me Karamanlisin, Kryeministri i Hungarise, ajo e Zelandes se Re dhe Gordon Braun.

Mbledhja ka filluar, por vendet qe pritet t'i bashkohen aleances nuk jane ftuar ende. Qendrojne ne sallen ngjitur. Per nje cast edhe ministrat e Jashtem e te Mbrojtjes te vendeve anetare nxirren jashte. Kreret e shteteve dhe qeverive duan te diskutojne me qetesi problemin kryesor, ftesen per Ukrainen dhe Gjeorgjine. Nje ftese qe refuzohet ashper nga Rusia e Putin. Edhe Gjermanet jane kunder. Brenda duket se ka tension. Seanca e fteses se Shqiperise, e parashikuar per ne ora 11:00, nuk ka nisur ende ne ora 13:00. Ne Tirane ka tension. Televizionet qe kane nisur transmetime maratone nuk dine se si t'i vazhdojne ato. Ka fjale se ftesa po shtyhet. Eshte panik i kote qe ne Bukuresht nuk ekziston. Per disa caste qendroj prane delegacionit maqedonas, qe vonesa e ka bere te shpresoje serish. Mendojne se mund te jete per ta. Por, jane tejet te nervozuar. Akuzojne Shqiperine, thuajse eshte faji yne qe mes tyre dhe grekeve ka nisur nje histori tipike ballkanike, nje histori qe e ka zanafillen nja 3000 vjet me pare.

Pas ores 13:00, pritet qe seanca te filloje. Bush mberrin pak minuta me vone dhe i hedh doren ne qafe ministrit Basha. Qendron pak me delegacionin shqiptar dhe qesh me batuten e Bashes: Ne 8 vjet ju keni bere me shume anetare NATO sesa Papa shenjtore! Seanca fillon dhe Shefer fton ne tavoline delegacionet e Kroacise dhe Shqiperise. Gjithcka me pas eshte e njohur. Ekranet e tv shperndajne ne te gjithe globin fjalimet e Presidentit dhe Kryeministrit shqiptar. Topi eshte me protokollar, Berisha ka nje fjalim te mbeshtetur mbi emocionet. Ai rikujton nje kohe dhe nje filozofi tjeter qe befas, po merr fund edhe zyrtarisht tashme ne ate salle. Per ironi, ne sallen ku Nikolae Caushesku do te bente mbledhjet e Byrose Politike. Ne fakt, historia, po tregohet bujare me te. Ne maj 1992, si Presidenti i pare post-komunist i Shqiperise, ai kishte trokitur ne deren e NATO-s ne Bruksel per te dorezuar kerkesen e Shqiperise demokratike per anetaresim. Kishte kerkuar falje per absurditetin 46-vjecar dhe kishte shpresuar. 16 vjet me pas, vite te mbushura me plot protagonizma absurde shqiptare, por edhe transformim, po kishte rastin, ai vete, te ulej ne tavolinen e aleances si i barabarte. Shqiperia, vendi me i izoluar i botes, vendi i 1 milion bunkereve, vendi i 1700 km klon kufitar, vendi i 100 mije te burgosurve politike, vendi qe kishte ndaluar edhe besimin te Zoti, vendi i absurdit ideologjik dhe njeriut te ri, vendi pa disidence dhe mbi te gjitha, vendi me i varfer i globit, tashme ishte i barabarte, se paku zyrtarisht, ne tavolinen e madhe te sigurise, me SHBA, Britanine, Francen, Gjermanine...

M'u kujtua edhe nje here stervitja komplekse, kodrat e Mamurrasit dhe thirrja piskame e oficereve:

- NATO dhe Traktati i Varshaves po sulmojne Shqiperine!

Nuk e kishin sulmuar kurre. Madje ne qeme perpjekur plot 17 vjet per t'u bere pjese e saj. Nuk e di se c'mendonte ato momente Shvarci qe perkthente fjalimin e Presidentit, por jam i sigurt se kodrat e hirta te Mamurrasit, ishin ende perpara tij.

Ne 15:30 hyra serish ne transmetim. Gazetaret shqiptare te Maqedonise me treguan se ne Tetove kishte nisur festa.

- Ne hyme, me thane, ata ngelen!

Ju drejtoheshin maqedonasve me ata, thuajse nuk qene pjese e tyre.

Ne mbremje, delegacioni ishte mbledhur serish ne hotel. Kryeministri i Belgjikes hyri duke thene nje "urime" te plote, qe nuk dihej se kujt i drejtohej konkretisht. Ne pergjithesi ishte nje urim per Shqiperine. Delegacioni yne ishte me i zhurmshmi dhe qeshte me ze te larte. Topi dhe Berisha qene ulur bashke ne nje kend te hollit. Ndiheshim te lodhur, por asnjeri nuk shkonte te flinte. Mosha dhe breza te ndryshem, te gjithe anetaret e delegacionit e perjetonin ne menyra te ndryshme kete qe kishte ndodhur ate dite. Nuk e di pse une mendoja vetem ate dite te larget te vitit 1990. Sillja ne mend shoket qe kishin ikur larg, qe jetonin ne bote dhe nuk e di pse u kujtova se pavaresisht absurdit, izolimit, idiotesive te asaj kohe, asnjehere s'kishim dyshuar per kete dite. E kishim ndjere thelle brenda vetes, ndersa ecnim te armatosur mbi kodrat e Mamurrasit, se ne i takonim asaj bote, botes te cilen na kishin nisur ta luftonim ne imagjinate. Por qe ne s'e kishin luftuar kurre! Thjesht, e kishim admiruar dhe qeme sulur drejt saj ne rastin me te pare... Tashme, ajo po na thoshte: Welcome!


Komento artikullin | Shiko komentet (46 komente)
Te Tjera nga rubrika