Merret nen hetim kreu i Logjistikes
E Premte, 28 Mars 2008
Redinalda Caushaj
Drejtori i Logjistikes ne Ministrine e Mbrojtjes eshte marre dje nen hetim nga Prokuroria e Tiranes. Dashnor Caushi nuk do te paraqitet me ne cilesine e personit qe ka dijeni rreth tragjedise se Gerdecit, por si ushtarak nen hetim per veprimet e kryera dhe zbatimin e urdhrave te leshuar per transportin e municioneve e pajisjeve te tjera. Kreu i Logjistikes eshte edhe personi qe ka kaluar te gjithe urdhrat apo ka kryer ciklimin e tyre. Burime nga organi i akuzes konfirmuan lajmin per marrjen nen hetim te Dashnor Caushit, nderkohe qe ende nuk dihet akuza qe rendon mbi te.
Thirrja nen hetim
Qe prej dates 17 mars te ketij viti, ushtaraku i larte, qe eshte dhe pjese e Shtabit te Pergjithshem te Ushtrise, eshte paraqitur pothuajse cdo dite ne Prokurorine e Tiranes per ngjarjen qe kushtoi jeten e 24 personave. Dashnor Caushi cilesohet si njeriu qe ka zbatuar urdhrat ne lidhje me transportin e municioneve me mjetet e ushtrise, ashtu edhe sic ishte urdheruar per furnizimin e ndermarrjes shteterore MEICO me arme, sic percaktohej ne urdhrat e cikluara. Burimet sqaruan se Caushi eshte marre nen hetim nga ana e Prokurorise se Tiranes, ku edhe do te verifikohet pozicioni i tij ne kete ngjarje. Kreu i Logjistikes per 10 dite me radhe eshte thirrur ne organin e akuzes per te dhene shpjegimet e tij per levizjen e mjeteve dhe ngarkesave dhe se cilet ishin njerezit qe e kishin urdheruar.
Shpjegimet
Per ore te tera, drejtori i Logjistikes eshte detyruar qe te shpjegoje urdhrat e zbatuara e te firmosura prej tij, dokumentet e sekuestruara nga ana e organit te akuzes pas ngjarjes ne Gerdec, me 15 mars te ketij viti. Grupi i kater prokuroreve te ceshtjes ka marre shpjegimet e nevojshme, derisa diten e djeshme i ka komunikuar se do te jete nen hetim dhe se nuk duhet te levize jashte vendit, deri ne perfundim te investigimit. Drejtori i Logjistikes cilesohet si personi qe ka zbatuar te gjithe urdhrat, te cilat nxirreshin per transportin e municioneve me automjete, hyrje-daljet e automjeteve te ushtrise ne depot e armatimit. Mesohet se Caushi ka dhene shpjegime duke ballafaquar edhe dokumentet e firmosura prej tij, ne lidhje me sasine e armatimeve qe jane transportuar. Ai ka mohuar te jete i perfshire ne abuzime e shkelje, duke argumentuar se ka zbatuar vetem urdhrat qe jepeshin nga lart. Madje, ai eshte shprehur i gatshem te tregoje per cdo dokument apo shkrese te cikluar dhe arsyet perse sherbenin.
Gerdeci, edhe tre gjenerale te pyetur
Prokuroria e Tiranes, te ciles i jane shtuar hetues nga Krimet e Renda dhe Task-Forca, ka marre ne pyetje ne cilesine e personave qe kane dijeni edhe tre gjenerale te tjere te Shtabit te Pergjithshem apo drejtues te Forcave te Armatosura. I pari eshte kreu i Shtabit, Luan Hoxha, i cili ka hequr pergjegjesite nga vetja per tragjedine e Gerdecit ne dy thirrjet qe i jane bere. Ndersa drejtuesi i Komandes se Bashkuar, Shpetim Spahiu, ka deklaruar se nuk kishte informacione per aktivitetin ne repartin e Gerdecit dhe se ishin kryer kontrolle ne shume reparte, por ne Gerdec jo i hollesishem. Gjenerali i trete i thirrur per pyetje ka qene gjenerali qe drejton Forcat Ajrore, Astrit Jaupi, i cili ka shpjeguar per kontrollin me radar te transportit ajror ushtarak e civil rreth dyshimeve per trafik armesh. Gjithashtu ka shpjeguar dyshimet nese ka pasur raketa ne repart.