PERIODIKE

KERKO

Printo Artikullin Printo Artikullin  |  Komento artikullin Komento artikullin  |  Shiko komentet
Te vertetat e bukura te Ani Wilms

Te vertetat e bukura te Ani Wilms

Zefina Hasani
E Shtune, 10 Nentor 2007

Vetem pak muaj me pare, mes nje grupimi te vogel miqsh, te mbledhur tek “Friend’s book house”, Ani Wilms do te promovonte librin e saj te ri “Vrasje ne rrugen e veriut”. Atehere u organizua nje ceremoni shume private, pa shume buje. Ndoshta sepse zhurma e madhe ishte lene te behej pak me vone. Duket se koha eshte tani.

Jo me kot Ani Wilms gjendet keto dite perseri ne Tirane. Ne Panairin e Librit eshte programuar dhe ceremonia e promovimit te romanit te saj te dyte. Ajo eshte gati tashme te perballet me nje auditor te tere: me shkrimtare, kritike te letersise e madje dhe me gazetare, per te dhene pergjigjet e cdo lloj kurioziteti qe mund te ngjalle romani e sidomos prania e asaj vete ne kete panair.

Ftese qe s’do ta kishte pranuar kurrsesi atehere kur hodhi ne treg librin e saj te pare- kryesisht autobiografik- “Pritje te bukura” (maj 2000), me te cilin do ta trondiste jo pak Tiranen. Me ate rrefim provokues- sa te vertete aq edhe te trilluar- per qeveritaret dhe eliten shqiptare te pas viteve ’90, te cilen arriti ta njohe nga afer si e fejuara e nje prej funksionareve te larte te qeverise se pare pluraliste (e Artan Hoxhes, ministrit te Bashkepunimit Ekonomik me Jashte ne ato kohe, sot kryetar i Keshillit Mbikeqyres te KESH-it), Ani Wilms as qe do ta mendonte dot ardhjen nga Gjermania ne Tirane per ta promovuar mes njerezve kete roman. “Sepse e dija qe do te beja skandal e se reagimet e figurave qe ishin perfshire ne kete roman do te me shqetesonin. Erdha vetem kater muaj pas botimit te librit, por u qendrova larg reagimeve te drejtperdrejta te njerezve”, shpjegohet vete Ani, duke te thene se edhe sot e kesaj dite nuk i di mire komentet

qe u bene ne ato kohe. Sepse ajo cfare i ka interesuar qe ne krye te heres, me shume se provokimi, ishte deshira per te cliruar veten nga shija e keqe qe i kishte lene morali i genjeshtert i shoqerise shqiptare i asaj kohe, i cili duket se e ka bezdisur aq shume, sa vendosi t’i jape me ne fund nje shuplake te forte. Asgje me shume se ky lloj rrefimi autobiografik nuk do t’i sherbente Ani Wilms-it per t’u derguar te gjitheve mesazhin e qarte: S’jam me pjese e genjeshtrave tuaja.

Nese do ta ishte ende ketu ne Tirane, sigurisht qe nuk do te gjente forca ta jepte kete shuplake. Duke qene larg, ne Berlin- ku iku ne tetorin e 1994-es me nje burse studimi e ku me pas do te martohej me bankierin Eerner Wilms- e pati me te lehte te vendoste se nuk kishte pse ta vriste me mendjen se cfare do te jete e moralshme ne kete liber e cfare jo. Por gjithsesi, ndersa me veten do te tregohej krejt doreleshuar ne rrefime, duke e zbuluar pothuajse 100%, deri dhe ne ndjesite me intime, me te tjeret do te perpiqej te tregohej me e kujdesshme. Ne fakt jo me te gjithe. Neper faqet e romanit “Pritje te bukura” gjen krejt te zbuluara (ndonese me pseudonime) disa prej personazheve te njohur te botes se politikes e artit, me gjithe historite e lidhjeve te tyre, qe ishin bere objekt thashethemesh ne vitet ’90. Dhe, sic tregon vete Ani Wilms, askush prej tyre (vec Kadarese), deri ne momentin qe libri mberriti ne Tirane, nuk e ka ditur se ne Berlin po shkruheshin historite e tyre. “As Tani e as Genc Ruli, qe jane personazhe kryesore ne kete roman, nuk kane ditur asgje. Por une i njihja mire ata, e dija sa djem te kultivuar ishin, ndaj dhe besoja se nuk do te reagonin keq. Ndryshe nuk do te kisha guxuar t’i zbuloja ne ate menyre. Dhe ne fund, ashtu sic edhe e prisja, ata me pergezuan pasi e kishin lexuar librin”. Ndoshta sepse dhe ata e njihnin mire Anin dhe ishin te vetmit qe mund ta kuptonin me mire se kushdo tjeter deshiren e saj per te rrefyer, ashtu sipas menyres se saj, ato dy vitet (kur ishte e fejuara e ministrit Hoxha) qe do te vulosnin ate pjese te jetes se saj; ate nevojen per ta thene se ishte e ndergjegjshme se kishte perjetuar nje gje shume te vecante, nje epoke qe preku gjithe boten.

Vetem nje ngacmim i tille do t’i jepte Ani Wilms- qe nuk kishte tentuar asnjehere me pare ne letersi- guximin per te shkruar nje roman te tere. Vetem duke pasur ne duar nje teme per te cilen ishte shume e sigurt e personazhe te gatshem, te cilet nuk kishte pse t’i shpikte, ndjeu se do ta kishte shume te thjeshte te ndertonte nje liber te tere, qe do te prezantohej ne treg me titullin “Pritje te bukura” e me emrin e saj Ani Wilms.

Atehere shkrimi i nje romani, ndersa vazhdonte punet e saj akademike, u be thjesht per hobi. Sepse atehere s’mendonte se do t’i hynte ndonjehere shume seriozisht krijimtarise letrare. Sic duket se i ka hyre tani.

Sapo ka sjelle ne treg romanin e saj te dyte, “Vrasje ne rrugen e veriut”, nje liber ky kryekeput ndryshe nga ai i pari, per te cilin i eshte dashur te shpenzoje shume kohe e te merret me shume studime historike. Dhe ajo nuk heziton ta pranoje se “E pata shume te veshtire ta perfundoja kete liber”. Ani te rrefen se ne fakt nje pjese e informacionit historik i hedhur ne ate roman fillimisht eshte gjendur ne arkivat e shtetit me nje tjeter qellim.

Pasi do ta kapte perseri fillin e historise, prej se cilit kishte tentuar te shkeputej ne Gjermani, ne kohet kur do te synonte te merrej seriozisht me arkeologjine, Ani Wilms do te niste punen kerkimore per te pergatitur disertacionin me teme “Elitat politike te Zogut”. Ndaj ardhjet e saj ne Shqiperi do te beheshin edhe me te shpeshta, per te germuar ne dokumentrt e Arkivit te Shtetit. Por, ndersa keto dokumente dhe informacione shtoheshin dite pas dite ne dosjet e saj te punes, nje pyetje e vazhdueshme nisi t’ia ngacmonte keq mendjen: Po kush valle do ta lexoje gjithe kete pune studimore? “Ndaj vendosa te bej roman me gjithe kete informacion. Profesori ne Gjermani dhe familja ime ketu ne Shqiperi u zhgenjyen shume, ndersa une vete ndjehesha mire, pasi kisha kuptuar se kishte ardhur koha te bente dicka ndryshe”. Domethene te kthehej nga ajo studentja gjithnje shume e rregullt dhe shembullore ne mesime (si ne Tirane ashtu dhe ne Berlin), nga ajo akademikja qe nuk nge kryet per ore te tera nga studimet historike, ne nje shkrimtare qe ta zoteroje ajo vete kohen dhe jo koha ate. Pra, Ani Wilms kishte vendosur te bente ndryshimin e madh, te shkeputej me ne fund nga jeta akademike ne Gjermani. “Sigurisht qe nuk ishte kaq e thjeshte. Ne fillim me duhej t’i mbushja mendjen vetes per kete ndryshim e pastaj te tjereve. E kur vendosa, ndjeva se prape s’ishte e lehte, sepse po me ndryshonte i gjithe regjimi i jetes. S’kishte me orare strikte seminaresh, takimesh… Por me e veshtira per t’u perballuar ishte ndryshimi i raporteve me te tjeret. Pasi ke bere gjithmone nje jete shume te disiplinuar te gjithe presin prej teje te sillesh si perhere dhe nuk arrijne te kuptojne sjelljen tende te re e kujtojne se ti nuk je me ne rregull, nuk je mire”. Ne te vertete ajo ndjehej me mire se kurre ndonjehere ndersa zgjohej ne mengjes jo me per te rendur drejt Institutit te Evropes Lindore (ku ishte e angazhuar se fundmi) por drejt kafenese se saj te preferuar, fare prane shtepise, per te hapur kompjutetin e per te vijuar rrefimin ne romanin e saj te ri, derisa t’i vinte piken e fundit. Per ta sjelle me pas ne Tirane e per ta promovuar ne vere ne “Friend’s book house”, ne nje feste private, mes ca miqve te ngushte. Ndersa per ne nje kohe pak me te vone, ishte programuar nje promovim edhe me i zhurmshem. Duket se kjo kohe ka mberritur. Jo me kot Ani Wilms gjendet ne Tirane, e gatshme per t’u perballur me cdo lloj pyetje e ngacmimi. Edhe per librin e saj te pare.

E verteta e historise me Kadarene

Linja me e guximshme e romanit te saj “Pritje te bukura” ishte ajo e nje historie te zjarrte dashurie mes personazhit kryesor, Dianes, qe ishte 100% Ani (ajo e pohon vete kete) me shkrimtarin V.G, te cilin lexuesit e indentifikuan menjehere me Ismail Kadarene (dhe ajo vete nuk e mohon). Por, tani pas kaq shume vitesh, Ani pohon se ne fakt ne gjithe kete histori te vertete jane vetem dy personazhet, pra ajo dhe Kadare. “Gjithcka tjeter eshte nje loder e imja. Historia e dashurise me shkrimtarin eshte e enderrt, krejt e shpikur, pervec pjeses se adhurimit te lexuesit (jo erotik), ndaj nje shkrimtari te madh. Thene ndryshe, eshte historia e zakonshme e nje fanseje, te ciles une i hodha pak piper”.

Ai vete, Kadareja, e ka ditur se Ani Wilms po trillonte kryekeput nje histori qe shkonte deri dhe ne rrefimin e nje marredhenieje (te enderrt) te nxehte ne shtrat. “Duhej t’i merrja leje para se ta implikoja ne nje histori te tille te dykuptimte. I thashe Kadarese se dua te shkruaj nje roman per trazicionin e se nje histori te tille doja ta sillja duke i hedhur ca ereza persiper. I thashe se me duhej dicka e vecante. Se me duhej nje karakter me peshe, qe t’i jepte peshe dhe ketij rrefimi”. Dhe Kadareja kishte pranuar. Marreveshja u pranua menjehere. C’ka te le te kuptosh se gjithsesi mes saj dhe shkrimtarit ekzistonte nje marredhenie e ngushte. “Po,- pranon vete Ani. -Jemi njohur dhe bere miq qe ne kohet kur isha e fejuara e ministrit dhe e kam ndjere qe atehere dashamiresine e tij ndaj meje”. Ndaj dhe ka guxuar te kerkoje aprovimin e tij per ta implikuar ne nje histori te zjarrte dashurie, qe do ta lexonin te gjithe, here si te enderrt e here si te vertete.

Dy histori dashurie

Artan Hoxha, ish-ministri i Bashkepunimit Ekonomik me Jashte dhe e fejuara e tij, Ani Habibi (mbiemri i saj i vajzerise), ishin nje nga ciftet me interesante ne jeten mondane (nese mund ta quajme keshtu) te vitit 1992. Por historia e tyre e dashurise do te shuhej pak e nga pak ne dy vitet kur Hoxha kishte kete post. “Tanin e kam dashur shume,- pohon Ani edhe pas kaq shume vitesh,- por ai humbi ne detyrimet e pergjegjesite e punes qe kishte, ndersa une humba ne kerkimin e vetvetes, derisa kuptuam se nuk mund te vazhdonim me. Forcat qe vepruan mbi marredhenien tone ishim shume te largeta, ndaj nuk jap dot asnje gjykim te sakte”. Krisjen e kishin ndjere qe heret, por marredhenia do te rrezikohej edhe me shume kur koha dhe rrethanat nuk ishin me aspak ne favor te tyre. “Ashtu si erdhen punet ne nuk kishim kohe e mundesi zgjedhjeje. Ndaj ai iku ne Milano, ndersa une per ne Berlin. Nese s’do ta kishim ndjere krisjen, ndoshta do te kishim ikur te dy ne Gjermani, ku une, ne cdo rast do te kisha ikur. Sepse, pasi kreva studimet per histori, kisha nje deshire te madhe te kryeja studime pasuniversitare, te behesha nje intelektuale e vertete”.

Edhe keshtu larg, ne muajt e pare, do te mund t’i ruanin deri diku marredheniet mes tyre. Gjithsesi, nuk do mund te zgjaste shume kjo nderlidhje. Ne janarin e 1995-es, Ani do te njihej me burrin, mbiemrin e se cilit mban tani. Njohja dhe bashkejetesa me Werner Wilms do te perfundonte pese vjet me pas ne martese. Qe duket se po funksionon mjaft mire edhe sot e kesaj dite.


Komento artikullin | Shiko komentet (4 komente)
Te Tjera nga rubrika