Sejdiu: 20 shtete per pavaresine e Kosoves
E Merkure, 24 Tetor 2007
Interviste e Presidentit te Kosoves dhene gazetarit Blendi Fevziu per Emisionin Opinion+ ne Tv Klan
56-vjecar, me nje karriere 33-vjecare si profesor i juridikut, me ambicie politike, gjithnje i pranishem, por jo perhere protagonist, Fatmir Sejdiu, Presidenti i Kosoves, duket me se i ndergjegjshem per misionin e tij. Fati e ka sjelle qe juristi i vjeter te jete ne krye te popullit te tij ne nje moment me shume sesa historik per te. Dy muaj me vone, ai pritet te vendose firmen e tij mbi aktin e pavaresise qe Parlamenti i Kosoves mund te shpalle tashme. Duke e shnderruar endrren e vjeter, shekullore te kosovareve ne realitet.
I qete, pothuajse pa asnje lloj ekspresioni, ai pergjigjet ne interviste, duke i qendruar strikt te gjitha kornizave qe koha i ka vendosur politikisht. Nuk shkon kurre me tej se c’duhet dhe as shqipton asgje me shume sesa ajo qe perserit prej dy vitesh thuajse perdite. Ai e njeh momentin delikat, por po kaq sa momenti, ky eshte edhe stili i tij.
Karriera e Sejdiut ka qene e tille. Ka lindur me 23 tetor 1951 ne Pakashtice te komunes se Podujeves. Shkollimin fillor dhe te mesem i ka mbaruar ne Podujeve dhe me pas ka vijuar studimet ne Fakultetin e Drejtesise ne Universitetin e Prishtines. Me 1974, ne vitin e shpalljes se autonomise se Kosoves, ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur disertacionin e doktorates.
Qe nga kjo kohe, per 33 vjet me radhe ka qene profesor ne Fakultetin Juridik dhe ne ate te Shkencave Politike te Universitetit te Prishtines. Eshte specializuar ne France ne Universitetin “Paris 2”, ne vitin 1984 dhe ne SHBA, Arizona State University disa vjet me vone. Ka publikuar punime shkencore nga fusha juridike-historike dhe juridike- kushtetuese, si dhe libra te vecante nga keto fusha.
Por me shume se sa mesimdhenia, politika do te ishte nje dimension i rendesishem i jetes se tij. Me 23 dhjetor 1989, Fatmir Sejdiu u be pjesemarres i Kuvendit themelues te Lidhjes Demokratike te Kosoves. Ne Kuvendin e Pare Zgjedhor, ne vitin 1991, eshte zgjedhur anetar i Keshillit te Pergjithshem dhe me 1992 anetar i Kryesise se LDK-se, ndersa me 1994 Sekretar i Pergjithshem i saj. Ka qene anetar i Komisionit Qendror per organizimin e Referendumit per pavaresine e Kosoves me 1991.
Karriera e tij ka qene e impostuar mire. Eshte zgjedhur deputet ne Kuvendin e Republikes se Kosoves me 1992 dhe me 1998. Me 1998 ka qene Sekretar i Pergjithshem i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit per Ceshtje Kushtetuese. Me 2001, ne zgjedhjet e para demokratike te pasluftes, eshte zgjedhur deputet ne Kuvendin e Kosoves dhe anetar i Kryesise se Kuvendit, poste qe i ka rifituar serish me 2004.
Karriera e tij do te kulmonte me 10 shkurt 2006, kur pas vdekjes se Ibrahim Rugoves, themeluesit te LDK-se dhe liderit te levizjes paqesore te Shqiptareve te Kosoves, Fatmir Sejdiu u zgjodh President i Kosoves me dy te tretat e votave te deputeteve te Kuvendit.
Qe nga dita qe eshte ngjitur ne krye te Presidences se Kosoves, me 10 shkurt te vitit 2006, Fatmir Sejdiu, shefi i dyte i shtetit kosovar, e ka ditur shume mire dicka. Presidenca reale kosovare fillon me te. Ajo e para, e Rugoves, me shume sesa nje posti administrativ, i takon liderit te nje populli, njeriut qe besoi nje enderr dhe pas thuajse 17 vitesh, ne ditet e fundit te jetes se tij e coi fare prane realitetit, thuajse e preku ate. Sejdiu e di mire se me shume se nje ish-President, Rugova eshte nje mit dhe te zevendesosh nje mit eshte thuajse e pamundur. Ndaj, miti dhe Presidenti aktual, qendrojne bashke, ne po ate zyre te vjeter ne sheshin “Nene Tereza”, bashke me parlamentin, dy institucionet qe pritet te ngjallin endrren shekullore te kosovareve per pavaresi.
Perse eshte komplikuar ceshtja e statusit te Kosoves?
Une mund te them se eshte vertet nje periudhe e ndjeshmerise se madhe, eshte nje periudhe qe deshiron rezultatin e vet. Ceshtja e Kosoves eshte e pjekur ne vendimmarrje. Kosova eshte e gatshme te startoje dhe ne kuptimin e njohjes nderkombetare te funksionoje si shtet ne kuadrin e familjeve te vendeve te lira. Natyrisht, ajo e deshiron kete mbeshtetje per te perfunduar nje proces te perbashket.
Perse u komplikua kaq papritur statusi?
Une mendoj se ka qene rezultat i drejtperdrejte i asaj qe ndodhi ne Keshillin e Sigurimit gjate muajve te veres. Ju e dini kercenimin qe dha Federata Ruse permes perfaqesuesit te saj te perhershem ne Keshillin e Sigurimit. Mbase mund te jete edhe ndonje ndjenje e ndonje prej vendeve te Bashkimit Evropian qe te nxirret nje konsensus i perbashket i te gjitheve. Por, me duhet te them se ishte nje mbeshtetje e tyre e pergjithshme per te mbeshtetur paketen “Ahtisari”.
A keni informacion se perse Rusia e radikalizoi qendrimin e saj?
Une mendoj se ceshtja e Kosoves nuk eshte ceshtje themelore per Rusine. Jane ceshtje qe jane boterisht te ditura, perplasje te tjera, per interesa te tjera, te niveleve me te larta ato qe e komplikojne ate. Per ne, ceshtja e Kosoves eshte ceshtje jetike, ceshtje ekzistence. Ndersa Federata Ruse qe ne takimet e atehershme, mund te them edhe me vonshme qe ka pasur, ka objektive te tjera, me te cilat opinioni i gjere mendoj se eshte njohur. Prandaj, ndoshta, kete kohe shtese do ta quaj me teper si nje pjese, jo e gatishmerise se plote se si te gjejme nje rruge, apo pjese te perpjekjeve per te bindur Rusine qe te jete mbeshtetese.
Zoti President, c’do te ndodhe me 11 dhjetor?
Realisht, ne presim nje raport nga ana e Keshillit te Sigurimit dhe nga ana e Treshes te sekretareve te Pergjithshem. Per ne eshte e rendesishme qe ky raport te jete objekt ne kuptimin e kesaj rrjedhe, ne angazhimet shtese. Presim qe realisht te konstatohet se nuk ka nje rezultat konkret, edhe pse mund te jete dikush qe pret dicka tjeter. Une mund te them se qendrimet e paleve jane diametralisht te kunderta. Serbia vazhdon me qendrimin e saj qe e ka pasur nga fillimi, edhe ne kohen e projektit “Ahtisari”. S’mund te themi se keto bisedime tani jane te parat dhe si pretendon Serbia t’i diagnostikoje. Eshte nje periudhe e 14 muajve te perballjeve qe kemi pas permes delegacioneve tona ne Vjene me presidentin Ahtisari dhe dy takime me nivele me te larta perfaqesues. Ne i kemi shterur te gjitha termat. Natyrisht eshte nje perseritje e kesaj materie qe eshte bere. Prandaj, une pres qe te jete nje perpjekje procedurale shume e shpejte.
C’do me thene perpjekje procedurale shume e shpejte?
Une mendoj se duhet te studiohet mire rruga se si te procedohet ne pjesen menjehere pas raportimit nga ana e Treshes nderkombetare. Nuk e di se sa do te kete perpjekje per te dhene edhe nje here ne shqyrtim ne Keshillin e Sigurimit. Mbase mund te jete nje perpjekje e pare, por mendoj se duhet analizuar mire nga ana e faktoreve anetare te tjere te Keshillit te Sigurimit qe nuk mund te mbetet peng procesi, te behet eventualisht edhe ndonje gje alternative, e cila do te kapercente kete situate dhe per t’i hapur perspektiva rajonit.
A eshte e pergatitur Kosova qe te shpalle pavaresine e njeanshme pas 10 dhjetorit?
Kosova eshte e pergatitur per te marre vendimet e veta. Por, mendoj se keto vendime do t’i marre ne nje koordinim te mire me gjithe vendet qe kane mbeshtetur dhe mbeshtesin fuqishem vizionin tone politik. Per ne eshte me rendesi qe kemi dhene prova te bollshme ne kete ecje te deritanishme se jemi te gatshem qe tani edhe me heret te vazhdojme nje jete stabile si formacion shteteror, apo si shtet i qendrueshem. Duke pasur parasysh po ashtu edhe mjaft objektive te tjera, qe i kemi paralele, prandaj do te sqaroja dicka ne ate qe ju thoni nje rikonfirmim i vullnetit politik te popullit te Kosoves ne Kuvendin e Kosoves, do ta beje Kuvendi i Kosoves. Pra, eshte e njeanshme nga ana jone, por eshte shume e rendesishme qe do te jete nje koordinim i nevojshem.
A keni nje “Ok” nga SHBA-ja per kete shpallje te njeanshme?
Ne kemi nje ecje te suksesshme ne kete partneritet, nje bashkepunim jashtezakonisht te sinqerte dhe mendoj se SHBA-ja, e ka thene jo njehere, por e kane thene shume qarte, nga nivelet me te larta perfaqesuese te tyre. Ju e dini dhe e mbani mend shume mire deklaraten e Presidentit Bush edhe ne Rome, edhe gjate vizites ne Shqiperi. Prandaj, ne themi se qendrimi i tyre eshte serioz dhe nuk eshte loje. Per ne eshte shume me rendesi qe te mbajme koherencen tone ne kete bashkepunim te jemi serioze. Po kesisoj edhe Kosova deshiron njohjen nderkombetare. Une sot pata rastin qe te bisedoj me studentet per ceshtjen e statusit dhe t’ju them rreth dy ose tre fjale se per Kosoven, eshte e rendesishme qe pas momentit te rideklarimit te vullnetit te saj politike (edhe pse eshte i rideklaruar, kujtoni deklaraten e 2 korrikut te 1990), qe menjehere pasoje njohja nderkombetare. Prandaj ne po punojme ne kete drejtim dhe eshte e rendesishme qe pavaresia e Kosoves te realizohet.
Sa shtete jane te gatshme te njohin Kosoven?
Une mendoj se ekziston nje numer i madh. Mendoj se pothuajse te gjitha vendet e rendesishme jane te gatshme ta bejne kete. Eshte shume e rendesishme, flas ato qe jane anetare te perhershme te Keshillit te Sigurimit, me perjashtim te qendrimit jo racional qe ka Federata Ruse dhe nje qendrim neto qe ka Kina deri tani. Por Kina nuk ka qendrim bllokues, ka qene nje qasje korrekte e saj gjate procesit Ahtisari dhe ne kemi pasur mundesi te komunikojme me perfaqesues permanent te tyre ne Kombet e Bashkuara dhe mendoj se edhe vendet kyce te Bashkimit Evropian jane ne kete rend. E sigurt mund te them se ka edhe shume vende te botes se trete, qe me kete projekt jane te gatshme te japin mbeshtetjen e tyre. Prandaj ne na nevojitet qe te sigurojme numrin maksimal te nje njohjeje apo te nje luksi te madh te te gjithe vendeve qe do te japin kete njohje.
Keni nje numer te perafert te ketyre vendeve qe mund ta njohin Kosoven?
Mund te them se ne Evrope apo ne Bashkimin Evropian do te jene me teper se 20 vende qe jane te gatshme menjehere qe te shkojme ne nje njohje te drejtperdrejt te shtetit te Kosoves. Them se SHBA-ja, jo nje here, por shume here e kane bere publik qendrimin e tyre dhe mendoj se ka edhe shume vende te botes se trete qe jane dakord.
Cili eshte skenari qe i trembeni ne rast te njohjes se njeanshme te pavaresise?
Une mund t’ju them se cdo veprim qe do ta bejme, do ta bejme mire. Per ne eshte e mjaftueshme te themi qe Kosova vertet do te beje hapin e vet qe te funksionoje si Kosove e gjithe qytetareve. Te mos jape asnje shkas te mundshem qe dikush te trembet nga pavaresia e Kosoves, qe dikush te mendoje thjesht me nje qendrim negativ per shtetin e Kosoves, si shtet i pavarur dhe qe dikush ne realitet te kete gravitime te tjere. E di se ka provokacione te tilla per shpalljen e njeanshme ne pjese te caktuara te Kosoves.
A mund te coje kjo ne ndarjen e pjeses veriore te Kosoves dhe ne grumbullimin e serbeve atje...
Ka paralajmerime te tilla nga pala serbe, por nga njerez qe jane mbeshtetur e instruktuar deri tani nga Beogradi qe te bejne dicka te ngjashme. Per ne eshte e rendesishme qe te krijojme formacionin e plote te njohjes se Kosoves ne teresine e vet territoriale, te plote dhe ai kete qendrim eshte i shprehur ne gatishmerine e parimeve te grupit te kontaktit, parime qe jane shume te qarta nga viti 2005. Kini parasysh se para disa kohesh u hap kjo teme ne forma te ndryshme, qofte nepermjet keqinterpretimit te deklaratave, apo ne ndonje forme tjeter, se mund te kete eventualisht copezim te territorial te Kosoves dhe reagime qe pasojne. Une mund te them nje dicka qe eshte edhe nje qendrim zyrtar i Kosoves: nuk mund te jete Kosova pre e ndarjeve territoriale, apo plotesimit te ambicieve te tjera edhe kjo ceshtje te mbetet me kaq. Eshte nje loje e rrezikshme qe nuk e ka fundin e vete te lehte dhe prandaj per ne eshte shume me rendesi respektimi i ketij realiteti e insistues ne kufijte ekzistues te Kosoves, kufij qe i quaj edhe nderkombetar.
A do te ishte e predispozuar Kosova te bente nje shkembim territoresh me Serbine?
Jo, nuk e kemi hapur kete teme dhe nuk do ta hapim kete teme asnjehere. Per ne eshte shume e rendesishme qe shqiptaret ne luginen e Presheves te jene nje faktor i rendesishem ne realizimin e te drejtave te tyre dhe te stabilitetit ne ecje, duke pasur parasysh edhe castin e pergjithshem qe te jene te integruar ne procese demokratike dhe shumecka tjeter.
E dyta, une mund te them se mund te ishte nje teme qe me te vertete do te hapte edhe shume tema te tjera. Nuk eshte problemi i Republika Serpskes, sikur serbet e potenciojne. Ka edhe probleme te tjera qe mund te hapen ne rajon dhe qe paraqesin vertet nje sfide te re, te kaperceje ne stade te tjera qe do te ishin te rrezikshme. Prandaj, ne deshirojme, flas ndoshta ne shtese te kesaj, nje stabilitet te Maqedonise, respektimin e sovranitetit te saj dhe rolin aktiv qe kane shqiptaret, si element shtet-formues ne shtetin e Maqedonise, dhe kujdesin e vecante qe ata kane ne rritjen dhe ngritjen e tyre.
Perse jeni i sigurt, zoti President, qe pavaresimi e Kosoves do te ndikoje ne stabilitetin e Maqedonise dhe jo te kunderten?
Po eshte nje ceshtje qe na e shtrojne gjithmone te tjere. Une s’mund te them se cfare eshte nje term kompleks, qe shpeshhere jane kundershtaret e pavaresise se Kosoves. Cfare do te ndodhe ne Maqedoni nese Kosova do te pavaresohet? Mendoj se do te permbushet nje objektiv shume i qarte i nje popullsie mbi dy milione qe te kete stabilitetin e saj. Ne kete kuader, kam parasysh edhe reflektimin e Kosoves ne marredheniet e mira qe ka pas dhe ka me Maqedonine. Une mund them me pergjegjesi te vecante qe keto raporte qe kemi me Maqedonine do t’i quaja si partner strategjike te fqinjesise se mire, jane marredhenie qe rrezatojne edhe ne kontekste te tjera. Marredhenie korrekte po keshtu kemi edhe me Malin e Zi, si dhe marredheniet me Shqiperine do te jene te rendesishme. Ne deshirojme stabilitet, nuk hyjme ne pazare apo ide qe mund te qarkullojne.
A mund te stimuloje elemente radikale ne Maqedoni zgjatja e problemit te statusit?
Jo. Ajo do te jete po them nje permbushje e nje ambicie e perbashket. Sepse s’mund te izolohen as shqiptaret ne Maqedoni ne mbeshtetje te proceseve ne Kosove, edhe ata kane deklaruar ndonjehere. Para disa ditesh, kisha nje takim me disa lidere politike kryesore te partive ne Maqedoni. Edhe ata na japin kete mbeshtetje dhe kete vizion qe kemi sot.
Ne rast njohjeje ose shpallje te njeanshme te pavaresise, si do te jene raportet mes Kosoves dhe Serbise? Ju thate se do keni raporte perfekt me Maqedonine. Nuk po diskutoj Shqiperine, Malin e Zi. Po me Serbine?
Une e di qe keto raporte qe do te jene te lehta qe ne fillimin e vet. Keni parasysh qe Serbia ende mban ate tension qe ka prezantuar edhe me heret, mban ate tension fatkeqesisht edhe me kercenime lufte, me garden e Car Llazarit dhe te formave te tjera. Ata duan te deshmojne se nuk do te njohin kurre dhe asnjehere shtetin e pavarur te Kosoves, nuk do te lejojne te krijohet nje shtet i dyte shqiptar ne Ballkan, se te gjitha shtetet qe do te njohin pavaresine e Kosoves do te jene shtete qe do te jene ne raporte te prishura ne te ardhmen me Serbine, dhe Serbia eshte aq e fuqishme qe te kercenoje te gjithe boten. Prandaj, per ne, eshte shume e rendesishme qe ne te japim oferten tone dhe vizionin per te ditur se cfare ato duhet te jete dhe pikerisht kete kemi prezantuar ne takimet e deritanishme te ketyre angazhimeve permes nje traktati. Ne ate traktat realisht kemi bere nje elaborim te qendrueshem te gjitha atyre vizioneve qe kemi edhe ne dokumentin “Ahtisari”. D.m.th: Kosova eshte e gatshme qe te jape, te mbaje dhe te zotohet per te gjithe garancite qe ka dhene per poziten e komunitetit te pakices serbe brenda saj. Eshte e gatshme qe te ndertoje raporte te mira ndershteterore me komunikimin e lire te qytetareve, ne aspektin e marredhenieve ekonomike, te raporteve rajonale dhe shume aspekte te tjera. Natyrisht te kete respekt per aspekte specifike qe duhet te kete Serbia ne kujdes per minoritetin serb ne Kosove. Prandaj ne keto i kemi pranuar, garantojme se do t’i zbatojme dhe kete garanci do ta japim edhe ne kuader dhe ne prezence te bashkesise nderkombetare.
E keni frike se nje veprim i tille i juaji mund te provokoje nderhyrjen ushtarake ose te dhunshme serbe?
Cdo veprim qe Kosova do te beje do te jete nje veprim i matur dhe nje veprim i kombinuar me gjithe mbeshtetesit e pavaresise se Kosoves, flas per vendet qe e kane shprehur kete gatishmeri te mbeshtetjes se saj dhe mendoj se po ashtu nuk eshte llogari e Serbise qe t’i hyje nje aventure te re, te pergjakjeve ne Evropen Juglindore. Mos harroni se Serbia duhet dhe i ka peng thjesht ato veprime qe i ka bere ndaj Kosoves, Bosnjes, Kroacise dhe vendeve te tjera. Do te jete shume e nevojshme nje qasje e re e saj per interes te popullit te saj. Mendoj se me kete qasje, ata do te hyne ne projektin e tyre te metejshem, po e besoj me dije te reja, ata do te shkurtojne rrugen e tyre per stabilitetin e brendshem.
A mund te kete nje embargo ekonomike zoti President? Ka nje volum te madh te shkembimeve tregtare edhe sot me Serbine.
Ka qarkullime tregtare, sikur edhe me boten tjeter. Kosova ka qene ne sanksione te dyfishta edhe ne periudha te mehershme. Me kujtohet periudha kur kane qene sanksionet ndaj Jugosllavise. Kosova ka qene ne skalione te krijuara nga ana e Serbise. Kane dashur me cdo kusht qe te zhbejne qenien tone, ekzistencen tone, por ne kemi vullnet ta kapercejme kete gjendje. Kemi zhvilluar rruge te shumta per kete.
Si do te mbijetoje ekonomikisht nje Kosove e pavarur, zoti President?
Ata qe thone se Kosova do te qendroje ekonomikisht e pavarur me ndihmen e Serbise, e kane gabim. Kosova ka resurset e veta. Kosova ka potencialet e veta dhe ato resurse mjaftojne qe te kanalizohen si duhet dhe te rigjenerohen. Nuk eshte malli i Serbise per njerezit e Kosoves. Malli i saj, deshira e saj, apo ambicia e saj jane pasurite e Kosoves. Fatmiresisht, Kosova i ka keto pasuri. Kosova duhet te hyje ne nje udhe te re aktive te zhvillimit te saj ekonomik.
Cila eshte pasuria kryesore e Kosoves?
Jane pasurite minerare qe jane nje pasuri e pashtershme, si ajo e Trepces, baseni i ferro-nikelit. Eshte nje toke e mrekullueshme toka e Kosoves. Nje pasuri e vecante jane resurset njerezore qe ka Kosova. Ka nje popullsi te moshes se re. Rreth 60% te popullsise se pergjithshme te Kosoves jane te rinj.
Ka edhe papunesine me te larte te Evropes?
E ka edhe kete sepse...
Dua nje pergjigje te sinqerte dhe jo standarde. A mund te bashkejetojne shqiptaret dhe minoranca serbe ne nje Kosove te pavarur. Pra, a mund te jete Kosova nje shtet multietnik mbas asaj qe ka ndodhur per shume vite. Nuk them per nje shekull, por po marr vetem vitet ’98 -‘99 qe kane qene tejet tragjike.
Une besoj qe te gjithe njerezit qe e duan Kosoven si vendin e vet, si vendlindjen e tyre, do te kene mundesine qe te bashkejetojne me te tjeret. Per ne eshte nje ceshtje qe mund te zberthehet edhe me gjere, ne variantin qe ju kerkoni. Kosova nuk mund te harroje ate qe ka perjetuar. Dhe eshte nje pjese e nje pergjegjesie te vecante qytetare serbe, e asaj pjese qe ka qene robe e politikes shtypese, politikes se gjenocidit ndaj Kosoves. Keta njerez i kemi perballe. Ne kemi relacion te qendrueshem per qenien e tyre ne Kosove. Kam parasysh te gjithe qytetaret e Kosoves, jo per ata qe kane bere krime.
Sa e veshtire eshte bashkejetesa?
Une nuk mund te them se eshte e lehte. S’mund te them se do te kapercehen procese te menjehershme me afrimet e pergjithshme te qytetareve dhe me integrimin qe duhet te kene shtetet moderne. Ne nje projekt te perbashket te ecjes per zhvillimin e Kosoves dhe posacerisht ne zhvillimet ekonomike, gjithkush mund ta gjeje veten te sigurt.
Zoti Presidenti, endrra e madhe e shqiptareve ketej dhe andej kufirit, qe me 28 nentor 1912 dhe deri me sot, ka qene bashkimi i Shqiperise me Kosoven. Qe prej 1990, Kosova mori nje drejtim tjeter, nje drejtim qe lidhet me krijimin e kontureve te nje shteti te pavarur. Sa eshte reduktuar dhe sa eshte e pranishme ende endrra e bashkimit kombetar?
Mund te them se per ne eshte me e rendesishme te realizojme pavaresine e Kosoves. Eshte nje vizion i vecante dhe i mbeshtetur nga qytetaret e Kosoves, nga populli, nga shumica shqiptare. Ne radhe te pare mendoj se ekziston nje ujdi e pergjithshme ne kete ecje, me kompleksin te themi elementit shqiptar rreth per rreth. Ne kemi hyre ne nje faze te integrimit shpirteror. Por, une mendoj se me nje mbeshtetje te qendrueshme dhe te efektshme qe ka dhene Shqiperia gjate kesaj periudhe te qendrimit tone dhe te asaj qe kane dhene shqiptaret ne Maqedoni, apo shqiptaret e Malit te Zi, Kosova po zgjidh nje moment te rendesishem. Per ne eshte me rendesi qe te realizojme pavaresine e Kosoves. Eshte me e rendesishme qe se bashku me Shqiperine te ecim ne integrimet euroatlantike. Ndertimi i Kosoves si shtet i pavarur dhe sovran eshte nje realitet dhe kete realitet duhet te cmojme, duhet te jete ne dobi te plote te asaj qe realisht shqiptaret te plotesojne endrren qe kane pas.
Cilat jane integrimet e rendesishme shpirterore, sic cilesuat edhe ju, qe kane ndikuar?
Mund te them jane ato te aspekteve kulturore dhe te niveleve te tjera, bashkepunimet ekonomike jane dicka tjeter. Eshte e natyrshme qe ne keto procese kufijte te mos jene barriere.
Po ceshtja e simboleve?
Eshte nje problem i vecante qe ne e kemi biseduar edhe me heret. Eshte nje qasje jo themelore. Natyrisht, qe dy shtete nuk mund te kene te njejtat simbole identike ne prezantimin e tyre ne Kombet e Bashkuara, apo ne Bashkimin Evropian. Ne Kosove kemi nje flamur qe ne e kemi percaktuar me konsensus te perbashket me Ekipin e Unitetit, simboli apo flamuri kombetar historik shqiptar do te jete i respektuar njesoj. Do te rregullohet me ligj menyra e perdorimit te tij, ne baze te Kushtetutes.
Pra, simbolet administrative do te ndahen nga ato kombetare?
Simboli administrativ do te jete nje prezantim tjeter, sigurisht do te gjendet nje model nga konkursi i gjate, ka pasur nje numer te madh idesh dhe per nje afat kohor do te behet nje seleksionim i tyre.
Mendoni se pavaresia e Kosoves do te sjelle dy identitete te ndryshme shqiptare?
Mendoj se jo. Per ne eshte me rendesi qe te krijohet nje formacion shteteror i qendrueshem. Qe te permbushe aspiratat dhe ambiciet e qytetareve te saj dhe qe njerezit te ndihen komode.
Ka nje debat per ndertimin e rruges Durres-Kukes-Morine-Prishtine! C’do te thote kjo rruge per Kosoven?
Kjo eshte nje ide e hershme qe e ka potencuar edhe Presidenti i ndjere Rugova. Per Kosoven eshte jetike qe njerezit do te kete mundesine qe te mberrijne shpejt ne Durres, apo Tirane, apo vende te tjera te Shqiperise. Une ju them se komunikimi normal shume dinamik mes qytetareve te nje etnie eshte shume i rendesishem. Po kaq i rendesishem eshte edhe per aspektet e zhvillimit ekonomik. Per ne eshte i rendesishem vendimi qe eshte marre qe Porti i Shengjinit te jete ne sherbim te ekonomise se Kosoves dhe e falenderojme qeverine shqiptare per nje hap te tille.
Eshte praktikisht e mundur kjo apo nje deshire e mire?
Jo, une mendoj se ka disa veshtiresi objektive per realizimin rruges, por do avancoje ne te ardhmen, sepse eshte ne interesin edhe te Shqiperise qe kjo rruge te sherbeje per komunikimet.
Zoti President, ju jeni ne nje moment shume te rendesishem te statusit, por keni hyre edhe ne nje faze te rendesishme sic jane zgjedhjet. A e pengojne ose a i krijojne probleme zgjedhjet statusit final te Kosoves?
Kemi bere analiza te shumta rreth kesaj ceshtjeje. Ka qene nje vendim i perbashket me ekipin e unitetin dhe me faktorin nderkombetar te Kosoves. Qe Kosova duhet te mbaje premtime demokratike dhe procesin zgjedhor.
Ju si Ekip i Unitetit, paradite zhvilloni nje fushate partiake dhe pasdite te jeni te unifikuar ne nje takim per statusin. A realizohet kjo?
Pyetja eshte e drejte. Deri tani mendoj se kemi mbajtur nje konsensus te perbashket edhe ne marrjen e vendimeve edhe ne politikat qe kemi ndertuar me heret. Mendoj se kete fryme duhet ta mbajme edhe tani. Eshte delikate. E kam fjalen per partite politike qe marrin pjese ne ekipin e unitetit te pozites dhe opozites, sepse ato kane projektet e tyre per t’i prezantuar. Une do te bej perpjekje personale qe te mbaj kete rol qe kam pasur deri ne fund.
Cila ka qene karriera juaj brenda Lidhjes Demokratike te Kosoves?
Une jam nga anetaret pjesemarres ne Kuvendin themelues te Lidhjes Demokratike te Kosoves dhe nga kjo periudhe ne vitin ‘91 kam pas nderin qe te zgjidhem anetar i Keshillit te Pergjithshem. Ne vit me vone ne Kryesine e LDK-se dhe Sekretar i Pergjithshem dy vite me vone. Me vone me kane kandiduar dhe kam pasur edhe cilesine e deputetit te Kuvendit te Kosoves. Ne kuvendin e gjashte te Lidhjes Demokratike te Kosoves kam marre detyren e kryetarit.
Cilat kane qene raportet tuaja me Presidentin Rugova?
Absolutisht te mira. Une kam pasur privilegjin qe te punoje me nje njeri te jashtezakonshem. Shume nga mesimet e tij dhe pjesen e rrugetimit te tij, qe ai ka pasur, perpiqemi qe t’i kemi edhe ne rrugetimin tone!
Nese une ju pyes a eshte e veshtire te jesh President i Kosoves pas Ibrahim Rugoves?
Eshte sfide e vecante. Per shume aspekte te nje periudhe te gjate qe ka pas Presidenti Rugova. Jo vetem ne procesin e ecjes demokratike per Kosoven, por edhe te proceseve te medha per Kosoven. Mendoj qe eshte pjese e sfidave te tjera qe kemi ne keto kohe.
Si ndiheni qe pikerisht ne mandatin tuaj Kosova do te shkoje drejt pavaresise, drejt nje endrre njeshekullore?
Kosova shkon drejt pavaresise dhe kjo do te arrihet. Eshte shume e sakte.
Si ndiheni qe ndodh pikerisht ne mandatin tuaj?
Eshte nje privilegj personal edhe per mua, por edhe per gjithe brezin. Eshte nje kohe qe ne bashke, edhe me te rinj dhe me te vjeter, po mbyllim nje cikel qe ka qene ambicie e aspiratave te tyre.
Kur e keni vizituar per here te pare Shqiperine?
Une per here te pare e kam vizituar Shqiperine ne vitin 1979. Ne kuader te bashkepunimit universitar. Qe atehere ka mbetur nje bashkepunim i imi me profesore ne fusha qe keni pasur.
Ju jeni pedagog i njohur i Universitetit te Prishtines. A vazhdoni te jepni mesim?
Jo, kam nderprere mesimet ne UT. Eshte ceshtje qe me pengon dhe me mungon shume. Gjej ndonje shkas eventual, qe jane te arsyeshme, qe te jem mes studenteve. Mund te jete koincidence qe sot kam pasur nje vizite ne Fakultetin Ekonomik dhe Juridik ku ishte nje auditor me 400 studente, nje debat per ceshtjet e statusit, ku degjoja kureshtjen e tyre.
Pas largimit nga politika, do ktheheni serish ne universitet?
Eshte nje profesion dhe angazhim i imi i natyrshem.
Intervistoi Blendi Fevziu
Prishtine 20 tetor 2007