Moratorium për gjuetinë, ligjërim i paligjshmërisë!

Premte, 24 Janar 2014 10:07 Shkruar nga  Lexuar 196 herë
Voto këtë artikull
(2 vota)

Para Vitit të Ri, së bashku dhe me persona të tjerë, jam ftuar në një dëgjesë të organizuar nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit, për të dhënë mendime rreth një moratoriumi për gjuetinw në vendin tonë, si përfaqësues i Federatës Shqiptare të Gjuetarëve dhe Peshkatarëve Sportivë. Ashtu si dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë dëgjesë, dhamë mendime si grupe interesi dhe diskutuam së bashku me deputetët, anëtarë të Komisionit.

Të them të drejtën, nga ato që u thanë dhe u diskutuan aty, dola i bindur që këtë shqetësim të madh, Parlamenti ynë i nderuar mund ta zgjidhte pa u ngutur edhe në aspektin kohor dhe atë ligjor. Në aspektin kohor (sezoni i gjuetisë mbyllet në muajin mars dhe fillon në muajin shtator), përveç se nuk shpëtojmë nga ndonjë dëm i madh, por edhe siguronim kohën e duhur për ta bërë “ulur” moratoriumin.

Në praktikën tonë parlamentare dhe jo vetëm tonën, moratoriumet janë të pakët, për të mos thënë fare, as në vendet me demokracinë më të prapambetur. Ne si vend kemi një shembull të moratoriumit të skafeve, që u miratua në atë kohë, me “dhunën” e kartonëve të mazhorancës. Opozita u akuzua se po mbronte interesat e skafistëve, pra interesat e veta dhe opininoni i gjerë e kuptoi se moratoriumi ishte kërkesë e BE-së, masat e cilit do të kufizonin trafikun e klandestinëve dhe të drogës. Se ç’ndodhi më vonë, gjatë viteve të zbatimit të tij, nuk dua t’a komentoj, por gjithsesi mendoj se për një gjë kaq të rëndësishme për vendin tonë, them se ia vlejti.

A ja vlen vërtet (të paktën para qershorit), kur ne mendojmë se Europa do të hapë dyert për ne, një moratorium për gjuetinë?! E për çfarë? Sepse organizmat dhe strukturat shtetërore, përgjegjëse, nuk zbatojnë ligjin.

Z. Ministër i Mjedisit:

A e dini se ligji nr. 10 006, datë 23.10.2008 “Për mbrojtjen e faunës së egër” është një ligj bashkëkohor dhe i përafruar me legjislacionin e BE-së dhe se Ministria që ju drejtoni nuk e ka zbatuar dhe nuk po e zbaton në asnjë nen të tij?

Cila është baza e të dhënave mbi të cilën është kërkuar moratoriumi dhe sa vite ka që Ministria nuk kryen inventarizimin e faunës së egër?

A e dini se Ministria që ju drejtoni mund të ndalojë përkohësisht gjuetinë për llojet e rrezikuar dhe të bëjë qarkullimin e zonave të gjuetisë?

Cili është bashkëpunimi i Ministrisë tuaj me Ministrinë e Brendshme dhe me pushtetin vendor, për këtë problem?

A do të sekuestrohen armët e gjahut në rastin e miratimit të moratoriumit, ashtu siç sekuestroheshin mjetet motorike, në rastin e moratoriumit të skafeve?

A e dini ju zoti Ministër se nga gjuetia e ligjshme në Shqipëri, në vitet 2000 siguroheshin rreth 500 milionë lekë të ardhura për shtetin dhe se mbi 10.000 mijë familje shqiptare sigurojnë të ardhura prej saj?

Kam edhe shumë pyetje të tjera, por besoj se këto mjaftojnë. Më erdhi ndërmend një bisedë me një shok, kur po demonstrohej për mos pranimin e armëve kimike, para disa kohëve. Në ekran u shfaq “qytetari i përpjekur” Sazan Guri. Pyetja e shokut tim ishte: “Çfarë do të bëjë Sazan Guri po erdhën armët kimike?” Përgjigja ime ishte: “Pa tjetër do të bëjë vlerësimin e ndikimeve në mjedis”.

I madhi Franklin ka thënë: “Ligjet e buta rrallë përfillen dhe ligjet e ashpra, rrallë zbatohen”.

Unë për vete mendoj se është më mirë të mos përfillen, se sa të mos zbatohen.

Kol Malaj

Kryetar i Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve

Lini një koment

Te nderuar lexues!
Koha Jone nuk do te botoje asnje koment qe permban fjalor jo qytetar ,shpifje apo fyerje.
Jeni te mirepritur te shprehni mendimin tuaj mbi ate qe po lexoni per dukurine apo fenomennin qe pershkruhet ne lajmet tona.
Faleminderit