Vizion i qartë për promovimin e vlerave kombëtare dhe zhvillimin e turizmit

Merkure, 08 Janar 2014 10:51 Shkruar nga  Lexuar 358 herë
Voto këtë artikull
(2 vota)

Intervistë me Ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni

Abuzimet me reklamat, Gjermeni: Përgjegjësit para drejtësisë

Në një vend që për 23 vjet nuk ka investuar asgjë në industritë e rënda, pasuritë natyrore turistike mbeten e vetmja shpresë për tw gjeneruar të ardhura dhe zhvillim. Kjo “formulë ekonomike” ka qenë në programet e qeverive që kanë kaluar në periudhën e pas viteve ’90, por deri më sot projektet kanë mbetur në letër dhe fondet kanë “humbur” rrugës. Me një tjetër vizion, energji të reja dhe vendosmërinë për të ndryshuar gjithçka, këtë mision tashmë e ka marrë ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.

Një sfidë jo e lehtë, teksa mendonte se turizmi nuk është vetëm zhvillimi i vendit, por edhe kartëvizita e Shqipërisë në BE dhe në Botë. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ministrja Gjermeni flet për hapat e parë të reformave në dikasterin që ka marrë përsipër të drejtoj. Ndërsa shton se vështirësitë nuk janë të pakta, Ministrja shprehet se ndryshimi do të duket që këtë vit gjatë sezonit turistik. “Gjërat nuk mund të ndryshohen me "shkop magjik", por në këtë vit që ka nisur përveç mikpritjes shqiptare, gatimeve të veçanta bio, trashëgimisë kulturore, plazheve me ujin e kristaltë, turistët e huaj do të gjejnë shërbime më cilësore dhe infrastrukturë më të mirë se një vit më parë”,- shprehet Gjermeni.

Veç projekteve dhe reformave ligjore në këtë dikaster, Gjermeni flet dhe për lënien e mandatit të deputetit nga ministrat, duke u shprehur se një vendim i tillë do ta bëjë me efiçente qeverinë. Ministrja flet dhe për largimin e Zonjës së Parë Odeta Nishani nga struktura e kësaj ministrie, duke u shprehur se “dorëheqja e saj është një akt personal”. Jashtë vëmendjes se drejtueses së re të Ministrisë nuk mbeten dhe abuzimet e bërë nga paraardhësit e qeverisjes së kaluar në këtë ministri. Gjermeni thotë se ka “nisur një proces auditimi në të gjitha institucionet e varësisë dhe rezultatet për të gjitha shkeljet e konstatuara do të bëhen shumë shpejt publike dhe sigurisht që përgjegjësit duhet të përgjigjen përpara drejtësisë”.

Znj. Gjermeni, pas rreth tre muajsh në qeverisje, kur parashikohet të bëhet ndryshimi i ligjit për Turizmin? Dhe në cilat pika do fokusoheni më shumë?

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit filloi në qytetin e Korçës procesin gjithëpërfshirës të konsultimeve me të gjithë grupet e interesit, me qëllim rishikimin e Ligjit për Turizmin. Pjesëmarrja në takimin e parë më 20 dhjetor ishte vërtet shumë e gjerë, pasi veç strukturave vendore të qarqeve të Korçës dhe Gjirokastër, ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të shoqatave të turizmit, përfaqësues të universiteteve, shoqërisë civile, si edhe aktorëve kyç në fushën e turizmit. Me këtë rast, dua të falenderoj USAID-in dhe projektin "Rritje Albania" për gjithçka ka bërë dhe vazhdon të bëjë sidomos në fushën e turizmit, ndërkohë që po na asiston edhe me ekspertizë në procesin e rishikimit të ligjit për turizmin.

Ndërkohë edhe nga Organizata Botërore e Turizmit do të kemi asistencë për të hartuar një ligj që është në përputhje me situatën dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri, si edhe që përfshin standardet ndërkombëtare. Takimet konsultative do të vijojnë këtë muaj në Shkodër, Durrës dhe Tiranë dhe do të jenë të hapura për publikun dhe mediat dhe sa më transparente. Është parashikuar që brenda janarit të përfundojnë konsultimet e para, konsultime të cilat do të vijojnë më pas, pasi të jetë përfunduar drafti i rishikuar i ligjit.

Më pas ndryshimet që do të propozohen do të dërgohen për mendim në ministritë e linjës dhe brenda gjashtë mujorit të parë të vitit, parashikojmë ta miratojmë në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Synimi kryesor i ndryshimeve është ndërmarrë me qëllim që ligji për turizmin t’i përgjigjet nivelit dhe problematikave të turizmit në Shqipëri. Nisma për ndryshime në ligjin për turizmin po ndërmerret gjithashtu edhe për të vendosur standardizimin, licencimin, certifikimin e guidave turistike, për të rritur cilësinë e shërbimeve, si edhe për të ndikuar në zhvillimin e një turizmi konkurrues në rajon.

Znj. Ministre, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Ministria është e angazhuar të ndërmarrë iniciativa për të promovuar ofertën turistike të Shqipërisë. Cilat janë standardet që ofron Shqipëria, pasi pjesa më e madhe e bregdetit shqiptar gjatë periudhës së verës, herë pas here s’ka as ujë e as drita?

Një nga prioritetet kyçe të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, sigurisht edhe në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, është hartimi i platformës “Imazhi i Shqipërisë Turistike”. Ka nisur puna për hartimin e kësaj platforme, që do të jetë një dokument me një vizion të qartë të prezantimit të Shqipërisë në tregun rajonal dhe ndërkombëtar. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe, edhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit janë realizuar dhe një sërë aktivitetesh promovuese, nga të cilat do të veçoja, në rend kronologjik: Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, organizuar në 27 shtator, në Lagunën e Karavastasë, me qëllim rritjen e sensibilizimit për mbrojtjen e zonave të tilla, të cilat janë vërtet pasuri kombëtare; pjesëmarrjen në Kongresin “Travelcoop”, organizuar nga tur operatorët belgë në Tiranë; pjesëmarrjen në Panairin Botëror të Turizmit në Londër, një ndër eventet më të rëndësishëm në kalendarin vjetor në fushën e turizmit.

Në këtë kuadër, me shumë rëndësi ishte edhe prania në Samitin e Ministrave të Turizmit. Së fundi, në fillim të muajit dhjetor, u organizua për herë të parë Panairi i Turizmit Dimëror, i cili synon të kthehet në një traditë për promovimin e këtij lloji turizmi në vendin tonë. Përsa i përket standardeve, sigurisht që mbetet shumë për t'u bërë. Sektori i turizmit është një nga sektorët që kërkon një koordinim sa më të mirë. Jemi të ndërgjegjshëm për problemet në infrastrukturë, me rrugët, për mungesën e ujit apo edhe energjisë elektrike në disa raste, por besoj se edhe në bashkëpunim me ministritë e tjera, me Ministrinë e Transporteve, me Ministrinë e Mjedisit, por edhe Ministrinë e Energjetikës, do të punojmë për ta ndryshuar këtë situatë, duke ndikuar kështu edhe në imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë te turistët e huaj dhe pushuesit vendas. Përgatitja për sezonin turistik këtë vit do të fillojë më herët edhe do të bëjmë maksimumin për të qenë më të organizuar që t’i paraprijmë ardhjes së turistëve.

A do të mundësohet regjistrimi të gjitha hotelet, restorantet ..... në një faqe interneti të vetme?

Në fakt, një nga problematikat më të mëdha që kemi evidentuar në 100 ditët e para të punës si Ministri e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është mungesa e një baze të dhënash të detajuar për operatorët turistikë, hotelet apo restorantet në sektorin e turizmit. Për këtë arsye jemi duke marrë masa për të kthyer në funksionalitet të plotë Zyrën e Shërbimit Turistik, por mbi të gjitha në bashkëpunim edhe me vetë sektorin privat synojmë të luftojmë informalitetin, i cili për fat të keq është shumë i madh në sektorin e turizmit.

Ka nisur puna për krijimin e një baze të plotë të dhënash për të gjithë ofruesit e shërbimeve në këtë sektor. Një pjesë e të dhënave janë në faqen e internetit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (e cila sapo është rinovuar), ndërkohë të dhëna të tjera janë në faqen e Zyrës së Shërbimit Turistik. Mendoj se ky është një proces i filluar tashmë, të cilin do ta vazhdojmë duke dashur të japim informacion sa më të plotë dhe më lehtë për t'u aksesuar.

Çfarë mund të gjejnë turistët në Shqipërinë e vitit 2014 nga ato që nuk i gjetën gjatë viteve të mëparshme?

Objektivi ynë kryesor për turizmin është zhvillimi i turizmit gjithë-vjetor. Është kthyer në një traditë, do të thoja jo të mirë, që ne të mendojmë për sezonin veror në momentin kur afrojnë muajt e verës. Ne synojmë së pari që sezoni veror të jetë të paktën 6 muaj, duke nisur që në prill dhe duke u mbyllur në tetor, kjo edhe për shkak të klimës së Shqipërisë, plot 300 ditëve me diell që kemi gjatë vitit dhe faktorëve të tjerë që duhet t'i shfrytëzojmë në favorin tonë. Mendoj se ashtu si në çdo aspekt të punës tonë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, edhe në këtë rast, nevojitet një partneritet i ngushtë publik-privat për të mundësuar një përgatitje sa më të mirë për sezonin veror.

Gjithashtu edhe një bashkëpunim dhe koordinim sa më i mirë me strukturat e qeverisjes vendore. Ka nisur dhe është në proces një operacion për pastrimin dhe rehabilitimin e vijës bregdetare nga ndërtimet informale, ndërkohë që ne synojmë të aplikojmë disa projekte-pilot për rigjenerimin e qendrave urbane, me fokus qytetet bregdetare, për të dhënë një model të qartë zhvillimi, jo vetëm në aspektin urban, por edhe për turizmin. Gjërat nuk mund të ndryshohen me "shkop magjik", por në këtë vit që ka nisur përveç mikpritjes shqiptare, gatimeve të veçanta bio, trashëgimisë kulturore, plazheve me ujin e kristaltë, turistët e huaj do të gjejnë shërbime më cilësore dhe infrastrukturë më të mirë se një vit më parë.

AKT dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, organizuan për herë të parë në Shqipëri, Panairin e Turizmit Malor. Ky aktivitet synon të vendosë një traditë të promovimit të turizmit dimëror në vendin tonë. A ka pasur interes nga shqiptarët apo të huajt turizmi malor? Cilat janë zonat e përcaktuara për turizëm malor në Shqipëri?

Turizmi malor është një degë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit, i cili deri më tani ka njohur një zhvillim spontan. Investimet e bëra nga sektori privat nuk kanë shkuar gjithmonë në drejtimin e duhur pikërisht për shkak të mungesës së koordinimit dhe planeve konkrete, që duhet të ishin hartuar nga strukturat shtetërore. Interesin për zhvillimin e turizmit malor e tregoi edhe pjesëmarrja në panairin e zhvilluar në datën 8 dhjetor nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. Shqipëria i ka mundësitë për të zhvilluar edhe promovuar këtë lloj turizmi, kështu që ne si ministri, në bashkëpunim me institucionet e varësisë jemi të angazhuar për ta promovuar në vazhdimësi. Interesi i të huajve për zonat me potenciale për zhvillimin e turizmit malor, (si Thethi, Valbona, Vermoshi, Voskopoja, Razma, Llogaraja, etj.) ka ardhur në rritje. Ndërkohë që vitet e fundit ka një rritje të interesit për zhvillimin e turizmit malor edhe nga pushuesit vendas. Dua të theksoj rëndësinë që ka njohja dhe promovimi i këtyre zonave, si edhe mundësitë që ofrojnë për turistët me qëllim rritjen e numrit të tyre.

Në takimet e ndryshme me operatorët turistikë është diskutuar për mundësinë e uljes së TVSH-së për turizmin në masën 10 %, certifikimin e hoteleve dhe vendosjen e standardeve, për mundësinë e zgjatjes së sezonit turistik apo çështje të tjera që lidhen me planifikimin e territorit dhe zhvillimin urban. Çfarë pritet të ndodhë, a do të ketë një përgjigje pozitive qeveria edhe pse jemi në periudhe krize ekonomike?

Ulja e TVSH-së në masën 10 për qind për tregun hotelier është një premtim i Qeverisë “Rama”, të cilin ne jemi të angazhuar ta mbajmë brenda këtij mandati qeverisës. Në Shqipëri, TVSH- ja prej 20 për qind aplikohet në të gjithë paketën e shërbimeve turistike. Situata e vështirë financiare dhe niveli shumë i lartë i borxheve që ne trashëguam nga qeveria e mëparshme e bënë të pamundur realizimin e këtij premtimi që në muajt e parë të qeverisjes. Megjithatë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, do të bashkëpunojë ngushtësisht me sektorin privat, duke e ndihmuar përmes iniciativave të veçanta, si përsa i përket rritjes së kapaciteteve dhe trajnimit të stafeve të shërbimit, ashtu edhe përmes promovimit dhe rritjes së standardeve në sektorin e turizmit.

Znj. Gjermeni, në fushën e zhvillimit urban ju keni propozuar rishikimin e ligjit të planifikimit të territorit, për të dalë me propozime konkrete për një ligj të ri të zbatueshëm nga të gjitha palët dhe për të adresuar të gjitha problemet e evidentuara në ligjin ekzistues. Kur pritet të ndodhë?

Një nga arsyet kryesore që u bë shkak për nisjen e procesit gjithëpërfshirës të rishikimit të ligjit të planifikimit të territorit është se ligji aktual nuk është zbatuar edhe për shkak të mosnjohjes, edhe për shkak të moskuptimit të tij, si edhe mosrespektimit të tij. Ligji ekzistues nuk i përshtatet kontekstit shqiptar, i janë bërë një sërë ndryshimesh të cilat i kanë humbur konsistencën dhe kanë vështirësuar zbatimin e tij. Rishikimi i ligjit synon përmirësimin edhe bërjen e tij më të thjeshtë e më të zbatueshëm, duke dashur të adresojmë të gjitha vështirësitë e hasura në zbatimin e tij.

Ministria e Zhvillimit Urban edhe Turizmit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit po garantojnë një proces të hapur, transparent edhe përfshirës për të siguruar edhe zbatueshmëri të këtij ligji. Gjatë procesit të rishikimit të ligjit jemi përpjekur të garantojmë përfshirjen dhe kontributin e gjithë autoriteteve vendore e qendrore të planifikimit, si edhe shoqatave të ndërtuesve, arkitektëve, urbanistëve, universiteteve edhe shoqërisë civile. Sinqerisht, dua t'i falenderoj të gjithë për angazhimin edhe kontributin që kanë dhënë dhe po japin në këtë proces deri në finalizimin me sukses të tij. Kemi përgatitur draftin e parë të ligjit të rishikuar, të cilin po e konsultojmë sërish deri në variantin final që do të niset për t’u miratuar në Këshillin e Ministrave dhe më pas edhe në Kuvend.

Procesi për rishikimin e ligjit të planifikimit të territorit pritet të finalizohet në 6-mujorin e parë të këtij viti. Edhe në këtë proces kaq të rëndësishëm, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Projektin e Pushtetit Vendor i mbështetur nga USAID, i cili po mbështet edhe procesin e rishikimit të Ligjit të Planifikimit të Territorit, si edhe po ndihmon Ministrinë dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit në të gjithë procesin e zhvillimit urban.

Prej disa javësh keni lenë mandatin e deputetes. Personalisht mendoni se ndarja e mandateve është më produktive për një ministër, apo thjesht ju bindët vendimit të vendosur nga Kryeministri Edi Rama?

Lënia e mandatit të deputetit ishte një nismë e paralajmëruar që në kohën e fushatës elektorale edhe parimisht e pranuar nga unë edhe kolegët e mi. Kështu që në këtë aspekt, nuk ishte asgjë e re për mua dhe për pasojë nuk ka sjellë asnjë ndryshim përsa i përket angazhimit tim në kryerjen e funksioneve të përditshme në shërbim të qytetarëve. Mendoj se ndarja e mandateve do të sjellë një qeveri më efiçente në përmbushjen e misionit të saj kundrejt një milionë shqiptarëve që na votuan, por edhe për ata shqiptarë që votuan kundër. Përgjegjësia që kam marrë përsipër si ministre (ashtu si edhe kolegët e tjerë) kërkon përkushtim, efiçencë, përgjegjshmëri dhe transparencë. Të gjitha këto nuk i garantonte mandati, por puna, përgjegjshmëria dhe integriteti me të cilat kryhet ajo.

Znj. Ministre, Ambasadori shqiptar në Holandë, Gazmend Barbullushi tha se shkak i mosmarrjes së statusit për në BE ishte mungesa e informacionit që ka Holanda për vendin tonë. Dihet se Ambasadat tona kanë një mangësi të materialeve të promovimit të Shqipërisë. Pavarësisht se kjo është detyrë edhe e Ministrisë së Jashtme, Ju, si Ministre e Turizmit a keni ndonjë projekt konkret për të promovuar vlerat dhe traditat e vendit tonë në këtë vend dhe në vende të tjera?

Është e vërtetë që informacioni për Shqipërinë është i pakët në vendet e Europës, por edhe në botë. Promovimi i Shqipërisë dhe potencialeve e vlerave që ka është përgjegjësi e institucioneve përkatëse, por unë mendoj se është përgjegjësi e të gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare. Patjetër që ambasadat tona kudo në botë e kanë këtë detyrë. Media këtu luan apo mund të luajë një rol të rëndësishëm, po kështu edhe artistë të njohur në botë që mund të bëhen ambasadorë të turizmit shqiptar kudo në botë. Përmes rrjeteve sociale tashmë edhe ne si qytetarë mund të bëhemi promovues të gjithçkaje të mirë që Shqipëria ofron.

Në kuadër të promovimit të ofertës turistike të Shqipërisë, në veçanti nëpërmjet ambasadave tona kudo, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministria e Jashtme do të nënshkruajnë shumë shpejt një marrëveshje bashkëpunimi. Bëhet fjalë për një marrëveshje konkrete, ku përcaktohet edhe ngritja e "Këndit të Shqipërisë" në ambasadat tona nëpër botë, ku do të jenë gjithmonë të pranishme materialet dhe broshurat informuese. Deri tani, promovimi i ofertës turistike të Shqipërisë në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit është realizuar më shumë përmes vullnetit dhe dëshirës personale të ambasadorëve. Kjo marrëveshje përcakton kritere të qarta të bashkëpunimit mes Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministrisë së Jashtme për këtë realizuar këtë objektiv.

Gjatë këtyre viteve Ministria e Turizmit ka marrë pjesë në disa panaire, por vihet re mungesa e guidave turistike për vendin tonë, ka thjesht ndonjë album me foto dhe ka shumë pak informacion për qendrat turistike dhe në veçanti për traditat, kulturën dhe zhvillimin e vendit gjatë këtyre 23 viteve. Ju a keni menduar të botoni dhe promovoni këto guida, kur dihet se ka disa autor shqiptarë të cilët kanë botuar guida të tilla?

Gjatë muajve të parë të punës si Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit kam vënë re se sidomos në fushën e turizmit, sektori privat ka bërë shumë më tepër sesa vetë shteti në drejtim të promovimit të turizmit. Në këtë aspekt janë realizuar edhe shumë botime, guida turistike, materiale informuese, kryesisht nga operatorët turistikë. Ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Turizmit ka botuar një sërë materialesh promovuese apo guida turistike. Ne kemi filluar punën për t’i mbledhur të gjitha këto materiale, duke realizuar një set botimesh promovuese për Shqipërinë. Po kështu shumë shpejt Agjencia Kombëtare e Turizmit do të realizojë një sërë botimesh promovuese për Shqipërinë, të cilat do të shpërndahen në panaire ndërkombëtare, ambasadave tona në vende të ndryshme, etj.

Dorëheqja e Zonjës së Parë Odeta Nishani nga institucioni juaj ka shkaktuar shumë reagime në media. A do të kishit dëshirë që Zonja e Parë të ishte në stafin tuaj dhe bashkëpunëtore e juaja për sfidat tuaja?

Është e vërtetë që dorëheqja e znj. Odeta Nishani gjeti pasqyrim të gjerë në media, madje çështja u tentua edhe të politizohej. Zonjës Nishani iu ofrua një pozicion ekuivalent me atë që ajo mbante në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe besoj se kjo shpreh qartë vullnetin dhe angazhimin tim për t'u treguar jo vetëm korrekte me të, por edhe një sinjal për të vazhduar bashkëpunimin. Dorëheqja e saj është një akt personal, të cilin unë e respektoj.

Është folur shumë se ka patur abuzime nga paraardhësit në Ministrinë tuaj me reklamat të cilat i janë ofruar vetëm një media pranë qeverisë. A e keni konstatuar Ju këtë fakt dhe a do të denonconi këto abuzime në prokurori?

Ne kemi nisur një proces auditimi në të gjitha institucionet e varësisë dhe rezultatet për të gjitha shkeljet e konstatuara do të bëhen shumë shpejt publike dhe sigurisht që përgjegjësit duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.

Axhenda juaj është shumë e ngarkuar, a ju mungon përkushtim ndaj familjes?

Patjetër që më mungon, po të përgjigjesha ndryshe nuk do të isha e sinqertë me ju. Ngarkesa në punë është shumë e madhe, për më tepër që kërkon impenjim intensiv. Në këto kushte, gjetja e një ekuilibri mes punës edhe familjes është shumë i vështirë, thuajse i pamundur. Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë mirëkuptimin edhe mbështetjen e bashkëshortit tim, fëmijëve të mi, patjetër edhe prindërve të mi, që gjithmonë janë ndihmë.

A ishte surprizë për ju, emërimi juaj si Ministre?

Emërimi si ministre është një përgjegjësi, besim edhe vlerësim për mua dhe kuptohet që është privilegj të jesh pjesë e ekipit qeverisës. E gjitha kjo më shton më shumë kërkesat që kam ndaj vetes për të përmbushur pritshmëritë që Kryeministri, kolegët, unë vetë kam ndaj vetes, por për më tepër që qytetarët kanë ndaj meje.

Cili është urimi juaj për Vitin e Ri për shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj?

Viti që lamë pas ishte një vit shumë i vështirë, por edhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Uroj që ky vit të jetë sa më i mbarë dhe i begatë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por energjia, optimizmi edhe dëshira për ndryshim që ne shqiptarët kemi, jam e sigurtë që do të na ndihmojnë për t’ia dalë mbanë.

Nga Orest Çipa

Lini një koment

Te nderuar lexues!
Koha Jone nuk do te botoje asnje koment qe permban fjalor jo qytetar ,shpifje apo fyerje.
Jeni te mirepritur te shprehni mendimin tuaj mbi ate qe po lexoni per dukurine apo fenomennin qe pershkruhet ne lajmet tona.
Faleminderit