U ndëshkua qëllimisht me të verdhë, UEFA gati të dënojë Sergio Ramos-in

Sergio Ramos është në telashe për shkak të deklaratave të bëra pas ndeshjes ndaj Ajaxit. Kapiteni i Realit pranoi se kishte kërkuar që të merrte vetë karton në këtë ndeshje.

“E vërteta është se e kisha në mendje kartonin, do të gënjeja nëse do të thosha që nuk e mora qëllimisht. Nuk po e nënvlerësoj kundërshtarin, nuk po them që jemi kualifikuar, por vendosa që më mirë të mungoj në ndeshjen e ardhshme, sesa të rrezikoj më tej”, tha Ramos, i cili në fakt u pendua shumë shpejt.

Në rastet kur një futbollist merr karton të verdhë qëllimisht, UEFA parashikon pezullim prej 2 ndeshjesh, ndaj Ramos më vonë u mundua të ndryshonte gjithçka, me një postim në Twitter: “Në një ndeshje ka shumë tension, vendimet duhen marrë për punë sekondash. Më vjen keq që nuk do jem me shokët e skuadrës për një ndeshje, nuk e mora qëllimisht kartonin e verdhë. Do jem në tribunë si tifoz, me shpresën se do jem në fushë në çerekfinale”.