Braimllari: Rama të bëj kujdes, të mbaj larg provokatorët

Deputeti i LSI, Endrit Braimllari deklaroi sot në protestën e banorëve të Astir se 16 shkurti është dita e një proteste qytetare. Ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama që të mos provokojë qytetarët, ndryshe do të përballet me pasoja.

Fjala e plotë e Braimllarit në protestën e banorëve të Unazës së Re:

“Sot protestës së banorëve të Unazës së Re i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë të Tiranës dhe për këtë do të doja ti falënderoja, sepse këto banorë që kanë protestuar te Unaza e Re, janë vërtetë banorë të sakrificës se në 103 ditë protestë kanë ç’errur maskën e Edi Ramës dhe e kanë nxjerrë atë zbuluar përpara çdo shqiptari.

Falë këtyre banorëve ne arritëm të zbulonim vjedhjen që Edi Rama do të bënte te Unaza e Re. 18 milionë euro nuk do të shkonin për shërbim publik, siç deklaronte Kryeministri, por do të shkonin në xhepin e Edi Ramës. Ndaj sot ka një arsye më shumë që gjithë banorët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ti bashkohen protestës së 16 shkurtit sepse protesta e 16 shkurtit nuk është një protestë politike, por është një protestë qytetare. Është protesta e banorëve të Unazës së Re, është protesta e studentëve, është protesta e banorëve të Bulevardit të Ri, është protesta e banorëve të Shkozës, është protesta e banorëve anembanë vendit që Edi Rama u ka shkatërruar pronën e tyre me të padrejtë ashtu siç do të vepronte tek Unaza e Re.

Ditën e shtunë qytetarët do të jenë shumë, do të jenë shumë sepse do të protestojnë për varfërinë që ka kapur vendi. Sot qytetarët e vendit janë më të varfër se kurrë për shkak të një poltikë klienteliste të Edi Ramës. Sot të rinjtë dhe të rejat e vendit kërkojnë të largohen nga vendi sepse Edi Rama ka vrarë shpresën në këtë vend, të vetme mundësi që u la shqiptarëve ishte droga dhe kanabizimi I vendit, ndaj do të jenë të shumtë qytetarët ditën e shtunë sepse ato do të protestojnë për hallet e tyre sepse protesta e ditës së shtunë, është protesta e halleve të qytetarëve, protesta e ditës së shtunë është protesta e shqiptarëve kundër varfërisë, ndaj ju bëj thirrje ju që jeni këtu, familjarët tuaj, miqtë tuaj, njerëzit tuaj anë e mbanë Tiranës, por edhe anë e mbanë Shqipërisë ti bashkohen protestës së ditës së shtunë.

Kam edhe një mesazh për Edi Ramën, të bëjë kujdes, ti lërë larg provokatorët sepse shqiptarët nuk provokohen, shqiptarët do të protestojnë për të drejtat e tyre, nuk ka rrugë që të bllokojë Edi Rama që do të ndalë uraganin popullor sepse ka shkuar aty ku nuk mbajnë më, ndaj do të jenë të shumtë ditën e shtunë. Kemi kohë edhe 3 ditë, në emër dhe të sakrificës së banorëve të Unazës së Re,që këto ditë që ka mbetur, duke iu afruar të shtunës, të shkojmë të gjithë shtëpi më shtëpi dhe derë më derë që të sensibilizojmë çdo qytetarë sepse protesta e ditës së shtunë do të jetë protestë qytetare për të larguar një herë e përgjithmonë kryeministrin më antikombëtar që ka pasur ndonjëherë vendi. Faleminderit!”.