Panariti: Data 16 shkurt është pika e mos kthimit më pas

Deputeti i LSI-së: Opozita është futur në një mision dhe rrugë pa kthim e cila synon garantim të zgjedhjeve të ardhshme pa këtë qeveri

Bisedoi: Herion Mesi

Lëvizja Socialiste për Integrim prej ditësh po zhvillon takime në kuadër të sensibilizimit qytetar në mbështetje të protestës së 16 shkurtit të thirrur nga opozita në Tiranë.  Deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, në një prononcim për “Koha Jonë” radhit arsyet se pse shqiptarët duhet të bashkohen në Tiranë, në protestën e madhe të opozitës. Sipas tij, nëpërmjet represionit, nëpërmjet taksave dhe tatimeve, varfërimit, Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës ka humbur shpresën. Prandaj, tha Panariti misioni i opozitës është pikërisht që revoltën dhe angazhimin qytetar ta orientojë aty ku duhet, në përmbysjen e shkakut kryesor të kësaj mungese shprese, të varfërimit të vendit. Më tej ai tha se aleanca e vetme që qeveria ka është me një grup oligarkësh. Nisur nga këto arsye, deputeti i LSI-së, shprehet se kjo nuk është thjesht kauza e opozitës, por halli i madh i qytetarëve të këtij vendi, të cilët e shohin veten të përjashtuar nga të ardhurat, shërbimet, shkollimi cilësor, shërbimet shëndetësore, subvencionet, asistenca sociale. etj. Nga ana tjetër, Panariti deklaron se “Dosja 339” dhe denoncimi i përmbajtjes së saj nga “Zëri Amerikës” i deligjitimon “de facto” zgjedhjet dhe qeverisjen e pas 2017-ës.

“Kjo nënkupton që të kalohet në një qeveri kalimtare me përfaqësim të gjitha forcave parlamentare. Kjo qeveri do të mandatohet për të garantuar zgjedhjet dhe kryerjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe pse jo rishikimin e të gjithë sistemit zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet të mos kontestohen”- tha ai. Por i pyetur se nëse nuk arrihet në këto rezultate nga ana e opozitës, ligjvënësi i LSI-së shprehet se protesta nuk mund dhe nuk do të ndalet. “Opozita është futur në një mision dhe rrugë pa kthim e cila synon garantim të zgjedhjeve të ardhshme pa këtë qeveri. Prandaj edhe data 16 shkurt është pika e mos kthimit më pas”- thekson për “Koha Jonë”, deputeti i LSI-së, Edmond Panariti.

Intervista

Zoti Panariti pse qytetarët shqiptarë duhet ti bashkohen protestës së opozitës të shtunën?

Varfërimi, braktisja masive e vendit dhe grabitja koncensionare e qytetarëve dhe e pasurive kombëtare janë arsyet përse shqiptaret duhet të dalin në protestën e 16 shkurtit. Prandaj ata do të dalin edhe përtej apelit të opozitës për pjesëmarrje, sepse këto padrejtësi i prekin ata në mënyrë të dhimbshme dhe të drejtpërdrejtë. Kjo nuk është thjesht kauza e opozitës, por halli i madh i qytetarëve të këtij vendi, të cilët e shohin veten të përjashtuar nga të ardhurat, shërbimet, shkollimi cilësor, shërbimet shëndetësore, subvencionet, asistenca sociale. etj. Mbi 36% e shqiptarëve janë të varfër, madje më të varfrit në Evropë, ndërkohë kur varfëria në nivel global është 10%.

Opozita është shprehur se synimi i protestës është çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat të mbahen së bashku me ato lokale? Sa e mundur është arritja e këtij objektivi? Çfarë do të ndodhë pas 16 shkurtit?

Por kryefjala e protestës është denoncimi i deformimit të faktuar tashmë të votës popullore të vitit 2017 dhe largimi menjëherë i falsifikatorëve të zgjedhjeve nga drejtimi i vendit.

Zëri i Amerikës me publikimin e një pjese të përgjimeve të dosjes së famshme “339”, trajtoi gjerësisht problemin e krimit elektoral që është bërë në zgjedhjet e fundit në disa qarqe të vendit. Sa të vërteta ka në këto përgjime?

Dosja 339 dhe denoncimi i përmbajtjes së saj nga Zëri Amerikës i deligjitimon “de facto” zgjedhjet dhe qeverisjen e pas 2017-ës. Kjo nënkupton që të kalohet në një qeveri kalimtare me përfaqësim të gjitha forcave parlamentare. Kjo qeveri do të mandatohet për të garantuar zgjedhjet dhe kryerjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe pse jo rishikimin e të gjithë sistemit zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet të mos kontestohen.

A ka një strategji opozita tashmë për ruajtjen dhe garantimin e votës së shqiptarëve në 30 qershor?

Nëse nuk arrihet në këto rezultate, protesta nuk mund dhe nuk do të ndalet. Opozita është futur në një mision dhe rrugë pa kthim e cila synon garantim të zgjedhjeve të ardhshme pa këtë qeveri. Prandaj edhe data 16 shkurt është pika e mos kthimit më pas.