Ndarja e kufijve? Gjosha: Gjermania se lejon, Rama po rrezikon negociatat me BE-në

Flet për “Koha Jonë” Ish-ministrja e Integrimit, deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha: S’ka rezultate për 5 sfidat, Rama vë në rrezik negociatat me BE-në

Intervistoi: Redjon Shtylla

Politika në vend është bërë pjesë e debatit të kufijve Kosovë-Serbi. “Debati për kufijtë nëse kthehet në precedent, ka shumë vende të vetë Bashkimit Europian që do kërkonin ta vazhdonin këtë lojë të rrezikshme”, me këtë mesazh të qartë, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se kjo marrëveshje po ecën në një rrugë të errët.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Gjosha vë theksin tek mungesa e transparencën, pasi për të në këtë proces mungojnë institucionet kryesore të Kosovës dhe qytetarët. Për deklaratat e SHBA-së, ajo thotë se në politikë janë keqkuptuar. “Asnjëherë nuk është thënë se qëndrimi amerikan është për ndarje kufijsh por për një marrëveshje të gjithë pranuar nga palët politike dhe qytetarët e dy vendeve. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm kur marrim përsipër të flasim në emër të partnerëve tanë”,-thotë Gjosha.

Nga ana tjetër, e pyetur pse shqiptarët duhet të jenë në Tiranë më 16 shkurt, deputetja e LSI-së nënvizon se Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm. “Qytetarët duhet të protestojnë për të drejtat e tyre, kundër dhunës qeveritare, kundër arrogancës, taksave të larta, papunësisë dhe largimit të të rinjve dhe profesionistëve”. Ish-ministrja e Integrimit, vlerëson se blerja e votës me grupet kriminale dhe fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë, janë dy nga pesë çështjet që rëndojnë pozitat e Shqipërisë në rrugën e çeljes së negociatave me BE-në.

Debati i kufijve i nisur në muajin gusht vijon të jetë i ndezur. Faktori politik si në Prishtinë dhe në Tiranë, nuk është në një mendje. Sa shanse ka për një marrëveshje historike të pranuar nga opinioni publik në Kosovë dhe Serbi? Çfarë roli ka Tirana zyrtare dhe a ka rrezik që kjo marrëveshje me ndarje në mes të mbështetet nga SHBA?

Debati për kufijtë ka qënë jashtëzakonisht i ndezur që nga gushti i vitit që shkoi dhe zakonisht aty ku zhurma dhe propaganda është e madhe, ka pak gjasa që marrëveshjet të bëhen realitet. Rruga e ndjekur nga përfaqësuesit e Kosovës, nën mungesën totale të trasnparencës, pa përfshirë institucionet kryesore dhe qytetarët, është një rrugë pa krye! Patjetër që si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë të nevojshme një marrëveshje që do të çonte në njohjen e Kosovës si dhe vazhdimësinë e rrugës europiane për të dyja vendet. Të gjithë ne pretendojmë të bëhemi pjesë e një bashkësie vlerash dhe bashkëpunimi, e një bashkësie ku kufijtë e kanë humbur rëndësinë. Për më tepër debati për kufijtë nëse kthehet në precedent, ka shumë vende të vetë Bashkimit Europian që do kërkonin ta vazhdonin këtë lojë të rrezikshme. Më vjen keq që edhe deklaratat e SHBA-së janë keq interpretuar. Asnjëherë nuk është thënë se qëndrimi amerikan është për ndarje kufijsh por për një marrëveshje të gjithë pranuar nga palët politike dhe qytetarët e dy vendeve. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm kur marrim përsipër të flasim në emër të partnerëve tanë.

Ideja e tërheqjes së kufijve etnikë është e kundërta e asaj që BE-ja ka mbështetur në Ballkan që nga viti 1991. Çfarë ndodh në Ballkan kur zyrtarët e BE-së fillojnë të mbështesin idetë që më parë ishin persekutuar vetëm nga nacionalistët ballkanas, edhe pse Mogherini ka thënë se palët duhet të përcaktojnë agjendën?

Mendoj se Gjermania është investuar shumë në këtë çështje dhe nuk besoj se ata do të lejojnë të ndodh një fenomen i ndarjes së kufijve. Kjo do të rrezikonte kredibilitetin e tyre. Besoj që Gjermania do të vazhdoj të investohet në Proçesin e Berlinit që promovon dialog dhe bashkëpunim ekonomik. Kjo do të ishte dhe mënyra europiane e zgjidhjes së konflikteve të vjetra.

Kreu i qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se Kryeministri Edi Rama po lobon fuqishëm për një arritje të marëveshjes shqiptaro-serbe përmes obsionit të rrezikshëm të ndarjes etnike dhe të këmbimit të teritoreve por sa rrezikon Shqipëria kur ky lëvizje po bëhet në kundërshtim me shtetet më të fuqishme që kanë në dorë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së?

Nëse Kryeministri ka marrë këtë detyrë përsipër, është duke gabuar rëndë. Mendoj që ai duhet të mësoj të respektoj shtetet e pavarura dhe aftësitë e tyre për të zgjidhur çështjet e tyre të brendshme. E dyta duke parë se sa shumë e ka ndritur Kryeministri politikë tonë të brendshme dhe atë të jashtme, më bën shumë mosbesuese që ky mund të jetë njeriu i duhur për të zgjidhur konfliktet. Mos harrojmë që fatkeqësisht ai vetë personalisht është njeriu më konfliktual i mundshëm!

Në Shqipëri situata është e trazuar. Ngujimi i studentëve dhe greva e pedagogëve, shtuar dhe valën e protestave nga qytetarët që janë të pakënaqur me qeverisjen e vendit. 16 shkurti është dita kur opozita thotë se do të dalë në protestë të madhe. A do të jetë manifestim? Protestë? Revoltë? A ka një skenar opozita se kur do të nis protesta dhe si do të organizohen protestuesit apo do ju lihet në dorë qytetarëve?

Protesta do të nisë në datë 16 shkurt dhe do ta vazhdoj deri në dorëheqjen e qeverisë. Është e nevojshme t’i hapet rrugë një qeverie tranzitore ku palët të rifitojnë besimin dhe që vendit t’i jepet një shans për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që janë dhe thelbi i demokracisë. Qytetarët duhet ta kuptojnë se kjo nuk është një protestë për të zëvendësuar Ramën me Bashën sepse qeveritë vijnë në pushtet vetëm nëpërmjet votës. Qytetarët duhet të protestojnë për të drejtat e tyre, kundër dhunës qeveritare, kundër arrogancës, taksave të larta, papunësisë dhe largimit të të rinjve dhe profesionistëve. Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm dhe ka nevojë për një frymëmarrje të lirë. Ka nevojë për një perspektivë të qartë europiane, e cila nuk mund të realizohet me një qeveri diktatoriale!

Opozita së fundmi është duke thënë se zgjedhjet lokale dhe ato të parakohshme do të jenë pa Edi Ramën Kryeministër por si do të arrihet kjo? Çfarë masash po merr opozita që në zgjedhjet lokale mos përsëritet fenomeni i zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-ës, siç e dokumentoi edhe VOA?

Protestat e pandalshme janë përgjigja e vetme për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të ç’rrënjosin një qeveri dhe një sistem të lidhur me segmentet e krimit! Është e drejtë e qytetarëve ta ushtrojnë këtë presion te qeveria ilegjitime aktuale dhe ta vendosin atë para përgjegjësisë.

Në Kuvend z.Basha tha se socialistët në pushtet kanë marrë një mesazh se në qershor nuk do të hapen negociatat për Shqipërinë por Balla pohoi se në Bundestag ka një shumicë bindëse në favor të hapjes së negociatave. A po e vë opozita në rrezik integrimin në BE?

Qeveritë dhe ekzekutivi janë ato që vendosin në rrezik proçesin e Integrimit Europian. Mungesa e rezultateve konkrete në 5 prioritetet kyçe si dhe fakti se çdo ditë vërtetohet blerja e votës nëpërmjet përfshirjes së grupeve kriminale është goditja më e rëndë që mund t’i jepet proçesit. Këto janë çështje që vërtetojnë pabesueshmërinë e institucioneve shqiptare si dhe mos funksionimin total të tyre. Prokurimet publike dhe kontraktimet pa konkurencë, që janë në shkelje flagrante me marreveshjen e stabilizim asocimit janë gjithashtu fakte që e vendosin Shqipërinë në një pozicion të vështirë para vendeve anëtare. Dhe sigurisht një nga çështjet më të diskutuara që është fenomeni i azilkërkuesve shqiptarë. Këto janë sfida që do ta vendosin vendin tonë në një vështirësi të madhe për vendimin e çeljes së negociatave.