E rëndë, gardisti vret gruan me armën e shërbimit

Një tjetër grua vritet. Një punonjës i Gardës së Republikës ka vrarë gruan me armë e shërbimit. Autori është Alket Arapaj 44-vjeç, ndërsa viktima është Ervilma Seferaj 36-vjeçe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit në banesën e tyre në Allias. Gardisti e ka qëlluar tre herë me armën e shërbimit gruan duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë fqinjët që kanë lajmëruar policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe fëmijën duke qarë.

Pas ngjarjes, 44-vjeçari është arrestuar menjëherë nga shërbimet e policisë. Çifti ka një fëmijë, ndërsa nuk dihet se për cfarë ka qenë konflikti në familje që solli edhe ngjarjen e rëndë. Gardisti është me arsim të lartë ushtarak (1993-1997), me gradën Kapiten me 21 vite punë ne Gardën e Republikës. Ai njihet si njeri me sjelle të mirë, ndërsa ishte edhe predikues i riteve fetare.

Alket Arapaj ishte i pajisur me armë e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit çdo përdorues ka të drejtë ta mbajë me vete jashtë orëve të shërbimit. Krimi në familje në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme, pasi vetëm në 42 ditët e para të këtij viti janë shënuar 7-të viktima. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.