“Ditët e Kujtesës”, aktivitetet për 28-vjetorin e rrëzimit të diktaturës

Aktiviteti i përvitshëm “Ditët e Kujtesës”, do të organizohet këtë vit në datat 20-27 shkurt 2019, me rastin e 28 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri si dhe për të përkujtuar 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”. Në këtë javë kujtese IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, ISKK, AIDSSH dhe aktorë të tjerë që operojnë në fushën e kujtesës në Shqipëri, do të sjellin çdo ditë aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të dikaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën si: promovim veprash shkencore mbi diktaturën, simpozium shkencor mbi qasjet aktuale studimore ndaj komunizmit, konferencë mbi trashëgiminë materiale të komunizimit, forume diskutimi me të rinj, shfaqje dokumentarësh, prezantim ekspozitash, vizita studimore në vendet e kujtesës etj.

Ky edicion do të hapet më 20 shkurt, ora 09:30 te Tirana International Hotel, me prezencën e organizatorëve, partnerëve, aktorëve vendas dhe të hauj që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën në Shqipëri, si dhe të gjithë të interesuarve për temën. Gjatë ceremonisë hapëse, fjalimi kryesor do të mbahet nga historiani Bernd J. Fischer, me temën “Shqipëria dhe Rënia e Komunizmit në Europën Lindore”. Ceremonia do të mbyllet me prezantimin e librave në fushën e diktaturës. Në këtë promovim librash do të prezantohet libri i IDMC “Midis Apatisë dhe Nostalgjisë”, si dhe kolana e botimeve prej 11 librash e ISKK.

Ditët e Kujtesës do të organizohen këtë vit edhe në Shkodër, përmes një forumi me studentë me temën: “Antikomunzmi në Shqipëri: Histori dhe Aktualitet” që do të organziohet më 21 shkurt, 12:00, nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe KAS. Aktiviteti synon përkujtimin e qëndresës antikomuniste të të përndjekurve politike gjatë diktaturës dhe përpalljen me simptomat e komunizmit pas rrëzimit të tij. Z. Dieter Dombroëski, Kryetari Federal i Bashkimit të Shoqatave të Viktimave të Tiranisë Komuniste do të sjellë përvojën e Gjermanisë Lindore në përballjen me të shkuarën komuniste. Aktiviteti do të mbyllet me prezantimin e studimit “Rehabilitimi i të përndjekurve politikë në procesin e drejtësisë tranzitore (1991-2018)”, një përmbledhje dhe analizë e zhvillimeve më të rëndësishme që ndikuan ndër vite procesin e përballjes me krimet e diktaturës si dhe rehabilitimin e atyre të cilët prej atij sistemi vuajtën padrejtësisht për shkaqe politike.

Në ditën e tretë, më 22 shkurt, ora 09:30, do të organizohet nga IDMC simpoziumi shkencor “Qasje aktuale studimore ndaj komunizmit: Sfida dhe mundësi” i konceptuar si forum shkëmbimi përvojash e idesh. Qëllimi i tij është diskutimi i mënyrave se si t’i qasemi komunizmit (dhe burimeve historike të tij) që të përfitojmë sa më shumë njohuri të vlefshme e shkencore. Gjithashtu do të diskutohen sfidat që hasin studiuesit dhe mundësitë për hulumtimin në të ardhmen. Programi i simpoziumit është i larmishëm dhe përfshin prezantime nga studiues shqiptarë e të huaj si dhe nga përfaqesues arkivash. Sipoziumi do të hapet nga historiani, Bernd Fischer, me prezantimin me titull “Qasja ndaj Komunizmit Shqiptar: Sfidat dhe Mundësitë”. Në këtë simpozium IDMC do të ofrojë edhe perspektivën e hulumtimit në vende të tjera. Igor Duda, përfaqësues i Qendrës për Studime Kulturore dhe Historike të Socializmit, në Kroaci do të prezantojë dy projekte studimore dhe qasjet e tyre në Socializmin Jugosllav: “‘From ‘Socialist Man‘ to ‘Microsocialism‘”.

Në këtë ditë, edhe KAS në bashkëpunim me ISP dhe CRD do të organizojnë, në orën 12:00, te Universiteti “Eqrem Çabej”, në Gjirokastër një forum me studentët titulluar “Kujtesa dhe demokracia“. 28 vjet më parë, studentet e këtij universiteti zhvilluan një protestë kundër regjimit komunist që filloi me 11 shkurt dhe mbaroi fatalisht pas heqjes së monumentit të diktatorit më 22 shkurt 1991 nën dhunën e falangave të ashtuquajtuara “Vullnetarët e Enverit”. Për herë të parë do të organizohet për këtë ngjarje një aktivitet sa memorial aq edhe me vlerë historike dhe aktuale në mjediset e këtij universiteti. Të ftuar do të jenë ish drejtuesit politikë dhe protagonistë të grevës së studentëve më 1990 dhe 1991, gazetarë, pedagogë, figura publike, media lokale dhe studentë aktualë të universitetit.

Në ditën e katërt, më 23 shkurt, ora 09:30, te Hotel Opera do të organziohet nga IDMC dhe ALBNA aktiviteti për Historinë Gojore. Manuali i Historisë Gojore synon të inkurajojë mësuesit e shkollave të mesme, nxënësit dhe studiuesit e rinj që të mësojnë më shumë rreth historisë gojore dhe procesit të intervistimit. Manuali paraqet mjetet e nevojshme për t’i përfshirë këto intervista në detyrat dhe projektet kërkimore në shkollat e mesme. Për të arritur këto objektiva, materiali është organizuar në mënyrë të tillë, ku disa kapituj trajtojnë zhvillimin e historisë gojore dhe metodave të intervistimit, nga fillesat e saj dhe deri te përcaktimi bashkëkohor. Aktiviteti do të shoqërohet me shembuj konkretë sesi është përdorur nga të rinjtë historia gojore në projektin kreativ “Pyet Gjyshërit”. Eventi do të mbyllet me prezantim të eskpozitës së IDMC që paraqet jetën e përditshme në diktaturë në mënyrë ironike.

Në ditën e pestë, më 25 shkurt, ora 11:00, ISKK dhe KAS do të organizojnë në Hotel Rogner konferencën „Ballafaqimi me Trashëgiminë Materiale të Komunizmit“ pasi gjurmët e komunizmit në Shqipëri po harrohen shumë shpejt. Tendenca për të krijuar një distancë politike dhe sociale nga e kaluara komuniste dhe miratimi i një realiteti të ri që karakterizohet nga një vëmendje shumë e ulët si dhe nga një menaxhim i pakujdesshëm ndaj trashëgimisë materiale komuniste. Vendet më të rëndësishme të persekutimit komunist, të tilla si burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, ose janëlënë në harresë. Në rrethana të tilla, ky aktivitet organizohet për të sjellë më shumë vëmendje ndaj këtij fenomeni “amnezi” dhe për të rindërtuar kujtesën kolektive të Shqipërisë së dikurshme komuniste.

Kjo ditë do të mbyllet nga Prezenca e OSBE në Shqipëri e cila do të mundësojë shfaqjen e dokumentarit “Kush është Heroi?” nga Armand Bora në bashkëpunim me RTSH. Ky aktivitet do të mbyllet me një panel diskutimi me autorin, RTSH dhe ekspertë të fushës.

Në ditën e gjashtë do të shfaqet dokumentari “Mall për me këndue”, i realizuar nga Fondacioni Kujto.al dhe gazetarja Luljeta Progni. Ky aktivitet i kushtohet Gac Çunit, muzikantit shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit. Përmes dëshmive nga bashkëvuajtësit e tij, mbi brengat dhe çastet e fundit të jetës, do të njiheni me historinë se si u shua zëri i këtij djaloshi, në qelitë e burgjeve komuniste.

‘Sigurimi dhe sporti’ është aktiviteti që mbyll edicionin e katërt të Ditëve të Kujtesës më 27 shkurt, ora 09:30, te Tirana International Hotel me një aktivitet që do të organziohet nga IDMC dhe ISKK. „SIGURIMI dhe Sporti“ do të ofrojë prezantim të dosjeve të sportistëve të përndjekur nga regjimi komunist, pasi në periudhën e komunizmit, për mundësinë që sportistët kishin për të udhëtuar jashtë Shtetit, mendohet se ishin edhe ndër më të vëzhguarit/kontrolluarit nga Sigurimi. Eshtë folur për përndjekje dhe ndikime të ndryshme për sportistët e asaj kohe. Ndërsa lojtarë të spikatur të nivelit botëror luajtën në vendin tonë, dhe e anasjellta, lojtarët tanë luajtën në vendet perëndimore, shumë pak është zbuluar nga ç’ka mbledhur në aktivitetin e tij Sigurimi i Shtetit në këtë drejtim. Përshkrimi në mënyrë të detajuar – përmes qasjes në dokumentacion – se si Sigurimi i Shtetit vëzhgonte sportistët e huaj dhe shqiptarë gjatë ndeshjeve të futbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive që zhvilloheshin brenda dhe jashtë vendit, do të sjellë aspekte të reja të survejimit gjatë diktaturës në Shqipëri.