Vendimi për Dajtin, policët në lirim kundër: Goditje e rëndë

Vendimi i gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që dënoi me vetëm 25 vjet burg Dritan Dajtin, ndonëse qëlloi për vdekje 4 efektivë policie solli edhe reagimin e Shoqatës se Punonjësve të Policisë në Lirim 2013. Në një deklaratë për mediat ata thanë se kjo është një vrasje e dytë për 4 punonjësit e policisë.

“Me këtë vendim, drejtësia e kapur i vrau për së dyti katër dëshmorët e atdheut që ekzekutoi Dritan Dajti. Ky vendim dëshmoi qartazi jo vetëm kapjen e sistemit nga krimi por mbi të gjitha provon lidhjet e forta të sistemit të drejtësisë me krimin e organizuar”, tha Ismail Elezi në emër të shoqatës.

Sipas tyre ky vendim i ka dhënë një goditje policisë e cila tashmë ndihet e kërcënuar.
“Është një goditje shumë e rëndë që i jep organizatës së policisë dhe gjithë punonjësve të saj që nga sot ndihen më të kërcënuar se kurrë, më të braktisur, më të demotivuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe të tradhtuar krejtësisht nga ata që duhet të garantonin jetën dhe aktivitetin e tyre”, deklaroi Ismail Elezi.