Skënderbeu rigjen fitoren në Superiore, mund me vuajtje ndaj Laçin (VIDEO)

Skënderbeu më në fund rikthehet te fitoret në Kategorinë Superiore, pas 6 humbjesh radhazi. Skuadra e Shehit ka arritur që të marrë një fitore 2-1 ndaj Laçit në ndeshjen e fundit të javës së 21-të të Kategorisë Superiore.

Ndeshja nisi më mirë për korçarët që japin sinjalin e parë që në minutën e 19-të me Pervan, i cili provoi me një goditje nga një pozicion i prirët, por Selmani u tregua i vëmendshëm. Kurbinasit kundërpërgjigjen menjëherë me një rast shumë të pastër të Gjonit, që u ndal nga portieri Dajsinani. Skënderbeu gjithsesi do të shfaqej sërish rrezikshëm me Krasniqin, ndërkohë që në minutën e 30-të Pervan është pa fat, pasi shtylla do t’i mohonte golin e avantazhit, ndërkohë që Selmani ishte me fati pasi sfera e kthyer u përplas në trupin e tij dhe më pas shkoi jashtë kuadratit. Disa minuta më pas Vangjeli bën gjithçka mirë në krahun e djathtë, por goditja e tij në hyrje të zonës ishte për t’u harruar.

Skuadra e Shehit ruan ritmin e lartë edhe në pjesën e dytë, teksa do të shpërbleheshin në minutën e 56-të. Gjergji Muzaka kroson mjaft mirë në zonë, atje ku Blerim Krasniqi me një goditje të bukur me kokë lë në vend portierin Selmani, i cili e shoqëron topin me sy në rrjetë. Laçi reagon shumë shpejtë pas dy minutash duke gjetur barazimin, por Gjoni ishte në pozicion të parregullt. Në minutat në vijim Laçi fiton më shumë metra në sulm, por lë shumë hapësira në prapavijë. Ky moment u shfrytëzua mjaft mirë nga Krasniqi, i cili rrëmben një top duke detyruar Toron dhe Selmanin që të shkaktonin faull brenda zonës. Nga pika e bardhë shkoi kroati Marko Pervat, i cili do të realizonte golin e parë në Kategorinë Superiore.

Një minutë nga fundi i kohës së rregullt, portieri Selmani ngushtoi diferencat nga pika e bardhë, por nuk do të kishte shumë kohë për kurbinasit për të marrë pikë në Korçë. Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në vendin e katërt me 33 pikë, dy më shumë se Laçi. /Rozalb Lika-Koha Jone/