Ministrja e Drejtësisë: Hetim gjyqtarëve të Dajtit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi ashpër sot për vendimin e Gjykatës që uli dënimin për Dritan Dajtin, personin e akuzuar për vrasjen e 4 efektivëve të policisë. Kreu i shtetit kërkoi reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera për të mos lejuar një precedentë të rrezikshëm për drejtësinë.
Vetëm pak orë pas deklarimit të presidentit Ilir Meta ka ardhur reagimi i Ministrisë së Drejtësisë. Vendimi i për Dritan Dajtin u dha ditën e premte, por deri dje asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk reagoi. Ndërsa sot, pas qëndrimeve të ashpra të kreut të shtetit dhe medias, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se ka nisur hetim disiplinor për gjyqtarët.

Deklaratë për shtyp e Ministres së Drejtësisë:

Jam sërish këtu para jush sot për të vijuar komunikimin lidhur me reagimin ligjor të Ministrisë së Drejtësisë ndaj vendimit të paprecedent të dhënë nga një trupë gjyqësore e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, ndaj shtetasit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen në detyrë të 4 punonjësve të Policisë se Shtetit.

Ashtu siç deklarova dhe dje në Konferencën për shtyp, ju bëj me dije se Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikimet paraprake gjatë këtyre ditëve të fundit, referuar dhe informacionit paraprak të marrë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë.

Nga verifikimet rezulton se trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda me vendimin të datës 08.02.2019, me shumicë votash me 3 anëtarë të trupit gjykues prej 5 anëtarësh, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë përsa i përket kualifikimit ligjor. Por ndryshimin e këtij vendimi në lidhje me masën e dënimit, ku në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale i pandehuri Dajti dënohet përfundimisht me 25 vjet burg.

Pas verifikimit paraprak kësaj çështjeje, si Ministre e Drejtësisë kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të renda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikotli i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Për këtë arsye, sot i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosjes.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se:

 

  • Gjyqtarët e sipërpërmendur kanë pranuar një kërkesë për gjykim të shkurtuar në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji. Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403 i Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Renda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale.
  • Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë (dhe përmend vendimin numër 2 të vitit 2003), ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit.

Mbajtur në konsiderate të numrit të lartë të seancave gjyqësore në Shkallen e Parë edhe më tej edhe sagën e proceseve gjyqësore për një periudhë pothuajse 10-vjeçare, të cilët kanë vendosur burgimin e përjetshëm, nuk justifikojnë vendimmarrjen për gjykimin e shkurtuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

Duke analizuar këto sa përmenda më sipër, dhe argumente të tjerë ligjorë, kërkesa e Ministrisë se Drejtësisë është depozituar ditën e sotme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për një hetim të thelluar të dosjes dhe vendimmarrjen përkatëse ndaj gjyqtarëve.

Jam besimplotë se KLGJ do të veprojë shpejt duke marrë të gjitha masat e nevojshme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve konformë ligjit në këtë çështje. Ju bëj me dije se reagimi i qeverisë ndaj kësaj vendimmarrje të paprecedent nuk ndalet as këtu dhe as me kaq.

Për çdo gazetar që është i interesuar për të marr një kopje të kërkesës që Ministria e Drejtësisë i është drejtuar KLGJ-së jeni të lutur ta merrni pranë sekretarisë.

Vendimi për Dritan Dajtin, Presidenti Meta: KLGJ dhe Prokuroria të nisin hetimet