Kodheli: Ngërçi i Maqedonisë ngadalësoi procesin e anëtarësimit në rajon

Ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja socialiste Mimi Kodheli e ftuar në A2 diskutoi për ngjarjet e fundit në Ballkan dhe në vend.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme i cilësoi si “tejet interesante” ngjarjet e fundit në Ballkan, ku veçoi firmën e protokollit për aderim te plote në Nato të Maqedonisë së Veriut

Kodheli zbuloi që të enjten Parlamenti shqiptarë do të kalojë për miratim këtë procedurë, “duke qenë vendi i tretë pas Greqisë dhe Bullgarisë”.

Sipas gjykimit të saj, procesi që ka zgjatur më shumë se 10 vjet “ka ngadalësuar jo vetëm procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut, por të gjithë rajonit“.

Për sa i përket protestës së opozitës më 16 shkurt, Kodheli shprehu mbështetjen e lirisë së cilitdo për të treguar mospëlqimin e tij, por theksoi se “ultimatum dhe demokraci” janë terma që nuk shkojnë mirë bashkë.

Ajo shtoi se shqiptarët sot janë “më të vështirë për t’u manipuluar” nga një opozitë  që sipas saj ka shpalosur në Parlament “ vetëm banalitet që nuk ka fare të bej me legjislacionin”.