“Dajti”, pse reaguan vonë ministrat e Ramës?

Nga Ferdinand Dervishi –

Kur Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, më 8 shkurt 2019, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, të parët që reaguan ishin gazetarët. Si zakonisht, ata ironizuan gjyqësorin e korruptuar dhe nuk harruan të fshikullonin politikën si përgjegjëse për situatën e pandryshuar të sistemit të drejtësisë. Opozita bëri detyrën, ndërsa shoqata e “Punonjësve të Policisë në Lirim”, e rëndoi dorën duke deklaruar se “vendimi ndaj vrasësit të katër policëve dëshmon jo vetëm kapjen e sistemit nga krimi, por mbi të gjitha provon lidhjet e forta të sistemit të drejtësisë me krimin e organizuar”.
Për çudi, sa i përket pjesës së shtetit, pati vetëm një deklaratë. Prokuroria, si të tentonte të justifikohej, u mjaftua me shpjegimin se përfaqësuesi i akuzës kishte qenë kundër aplikimit të gjykimit të shkurtuar për Dritan Dajtin.
Më tej, për dy ditë me radhë, shteti e mori pushim. Nuk harxhuan frymë e kohë as ministrat përgjegjës të linjës për zbatimin e drejtësisë, ai i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë. Asnjë fjalë për një nga banditët shqiptarë të konsideruar ndër më të sofistikuarit dhe më të rrezikshmit. Asnjë fjalë për njeriun që u arratis nga Gjykata e Tiranës në mënyrën me spektakolare të mundshme, asnjë fjalë për vrasësin gjakftohtë të katër oficerëve të policisë, që tentuan ta arrestonin, asnjë fjalë për të burgosurin, fuqia e të cilit mori zvarrë gjykatën dhe gjithë sistemin e drejtësisë, për vite me radhë, duke provokuar dështimin artificial të dhjetëra e dhjetëra seancave gjyqësore.
Reagimet e ministrave do të mbërrinin vetëm 48 orë më pas, të dielën, më 10 shkurt.
Pak rëndësi ka teksti dhe formulimi i reagimeve, pak rëndësi ka se ministri i Brendshëm kërcënoi me formulimin: “…vendim kriminal i disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen, prapa hekurave, klientëve të tyre”.
Në këtë pikë e rëndësishme është të mësohet, apo të zbardhet, se përse këto reagime erdhën me kaq vonesë?
Në fakt, pak orë përpara se reagimet të vinin, si me komandë, njëri pas tjetrit, pati një detaj, në pamje të parë të parëndësishëm, të publikuar nga mediat on line. Një qytetar ironizonte Kryeministrin Rama me fjalët: “Të fala Dritan Dajtit! Hahaha del krimineli për vrasje të katërfishtë nga burgu dhe ti thua nuk e kam timonin e drejtësisë! Për çfarë ke ardhur në pushtet, për llaç e tulla?”
Ndërhyrja duket e kishte zëmëruar keqas Kryeministrin. Të paktën kjo lexohej në radhët e para të kundërpërgjigjes: “A.H., mos u zgërdhi shumë se na këput ndonjë nerv e të mbetet goja kantato!”
Pra nuk është çudi që pikërisht në këtë moment Kryeministri të jetë shkundur duke urdhëruar ministrat “e përgjumur” të bënin reagime publike për ngjarjen edhe pse të gjithë ishin 48 orë me vonesë, edhe pse kalendari shkruante “e dielë”, pra pushim.
E këtu vetiu vjen pyetja: Përse ministrat duhet të prisnin shefin që ti urdhëronte? Përse nuk reaguan në kohën e duhur dhe me iniciativën e tyre?
Situata nuk ishte as e papritur as e panjohur. Në kohë moderne, ish-ministri i Brendshëm socialist, Spartak Poçi, jo vetëm që reagoi flakë për flakë ndaj një vendimi flagrant të gjykatës së Rrëshenit, por kërcënoi se do të jepte dorëheqje, nëse drejtësia nuk do e rikthente të akuzuarin në qeli. E pra, në këtë kohë, ministri reflektonte vendimmarrje personale të admirueshme.
Çfarë ka ndryshuar që ministrat aktualë nuk e kanë më këtë shqisë?
Një shkrim i vetëm nuk të jep mundësinë të qartësosh gjithçka, por ajo që duket, që bën “muuuu”, sigurisht që ka lidhje me sistemin e krijuar nga Kryeministri aktual.
Një sistem komod, i mirëfrenuar, i mirëkontrolluar dhe lehtësisht i komandueshëm, që përjashton çdo lloj iniciative, çdo lloj protagonizmi. Një sistem ku ministrat janë vetëm marioneta dhe plotësues të figurës së Kryeministrit, që mund të flasin vetëm me lejen e tij, të veprojnë vetëm pas hakërrimeve të tij dhe të ngrenë e ulin kartonat sipas lëvizjes së dorës së tij.
Një sistem dembel që zakonisht kompozohet nga liderët jetëgjatë të cilët, ose janë lodhur me drejtimin e pushtetit, ose kanë aq shumë pushtet saqë mund të ulin në poste ministrash cilin/cilën të dëshirojnë, sidomos njerëz lehtësisht të komandueshëm, apo pa kurrfarë shtylle kurrizore. Në të dy rastet këto janë veprime që historikisht kanë paralajmëruar nisjen e procesit të degjenerimit, atrofizimit apo kalbëzimit të grupeve politike në pushtet.
Është një sistem ku ministrat e kanë të vështirë të guxojnë të kërkojnë mendimin e Kryeministrit për veprime të ndryshme dhe mbase krejt të pamundur, kur hera e fundit e kontaktit me të u ka lënë shije bllokuese.
Këtu duhet të gjendet edhe vonesa prej 48 – orësh e reagimit të ministrave të Ramës për çështjen “Dritan Dajti”.