Basha ofron marrëveshje parazgjedhore me aleatët

Lulzim Basha po synon të arrijë një marrëveshje parazgjedhore me aleatët, para protestës së 16 shkurtit. Aleatët opozitarë kanë mbi tryezë një platformë bashkëpunimi, ku Partia Demokratike, si partia më e madhe në opozitë ngarkohet të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet me të gjitha partitë nënshkruese të platformës së bashkëpunimit.

Sipas platformes së bashkëpunimit Partia Demokratike iu propozon aleatëve të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, të cilat duhet të përgatiten nga një qeveri tranzitore.

“Deklarojmë se kemi vendosur daljen në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit; si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”, thuhet në draftmarrëveshje.