Mziu: Mafia po qeveris vendin, më 16 shkurt shqiptarët në shesh

Kreu i Bashkisë së Kamzës për “Koha Jonë”: E kam dërrmuar politikisht në çdo palë zgjedhje, kreun e organizatës “Rilindje”, Edi Ramën

Intervistoi: Jonida Halili

Kryebashkiaku i Kamzës rendit një sërë arsyesh se pse qytetarët do të jenë pararojë e protestës së 16 shkurtit që do të zhvillojë opozita në Tiranë, ku arsyeja primare është braktisja dhe diskriminimi qytetarëve të Kamzës nga qeveria “Rama”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mziu shprehet se Shqipëria është në udhëkryq. “Situata në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë, kërkon medoemos zgjidhje dhe ajo vjen vetëm përmes ikjes së kësaj qeverie. Në këtë vend komandon krimi i organizuar, nuk po qeveriset më nga Rama&Co. Kryeministri është kreu i bandës “Rilindje” i komanduar nga krimi për të mbaruar punët që këto organizata, kërkojnë nga institucionet shtetërore”,-shprehet mes tjerash kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu.

Zoti Mziu, Partia Demokratike dhe opozita kanë paralajmëruar zgjedhje jo vetëm vendore, por edhe të përgjithshme, a jeni gati për një përballje të tillë? Dhe ku e shikoni veten, në Bashki apo deputet në Kuvendin e Shqipërisë?

Shqipëria është në udhëkryq! Situata në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë, kërkon medoemos zgjidhje dhe ajo vjen vetëm përmes ikjes së kësaj qeverie. Në këtë vend komandon krimi i organizuar, nuk po qeveriset më nga Rama&Co. Kryeministri është kreu i bandës “Rilindje” i komanduar nga krimi për të mbaruar punët që këto organizata, kërkojnë nga institucionet shtetërore.

Përgjimet që po dalin dhe siç thonë që ndodhen dhe në dosjen 339, janë treguesi i saktë se si qeveria është marrë peng nga mafia pas blerjes së votave, atij krimi elektoral që ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017. Institucionet janë kompromentuar rëndë, jo vetëm nuk po iu shërbejnë me qytetarëve, por po i dhunojnë ato përmes politikave klienteliste e korruptive në shërbim të oligarkisë si dhënia: e PPP-ve, tenderëve skandalozë në infrastrukturë, siç është rasti i Unazës së Re, etj. Administrata thuajse është e paralizuar, pasi dhe ata specialistë të zotët që janë në detyrë duke parë se si sillet kryeministri, ministri, drejtori, shefat, çfarë nuk iu shikojnë sytë dhe dëgjojnë veshët nga drejtuesit e tyre, dhe demotivohen që të kryejë detyrat dhe shërbimin më së miri në favor të qytetarëve.

Për sa konstatova, e të tjera që janë shumë e më shumë, janë rrethana që vendi së bashku me zgjedhjet vendore të shkojë dhe në zgjedhje parlamentare përmes një mekanizmi që iu garanton qytetarëve të votojnë lirshëm, pa presionin e krimit të organizuar të bandës në pushtet, për të zgjedhur alternativën më të mirë për ta, që në këtë rast është Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia Demokratike është alternativa e duhur për shqiptarët dhe kryetari i saj Basha kryeministri që ju duhet shqiptarëve për të qenë në ballë punëve të vendit, për ta nxjerr nga ky batak ku ka rënë. Është imediate që vendi të shkojë në zgjedhje Parlamentare së bashku me ato lokale. Sa i përket kandidimit tim, unë vazhdoj të jem në detyrën e kryetarit të Bashkisë Kamëz, një aset politik dhe administrativ i PD-së.

Më 16 shkurt opozita ka thirrur një protestë të madhe në Tiranë, cilat janë arsyet që qytetarët e Kamzës ti bashkohen kësaj proteste, duke qenë se ju jeni dhe kryetar i PD-së në këtë bashki?

Qytetarët e Kamzës kanë qenë pararoja e çdo proteste të Partisë Demokratike të Shqipërisë prej themelimit të saj sa herë ajo e ka thirrur. Sa i përket protestës së datës 16 shkurt, çdo shqiptar ka mjaftueshëm arsye për të qenë në shesh kundër kësaj qeverie, kurse unë mendoj që qytetarët e Kamzës kanë shumë më shumë arsye për të qenë përballë Edi Ramës dhe bandës “Rilindje” në pushtet! Në mënyrë sistematike ne kemi bërë publike duke vënë në qendër të opinionit publik braktisjen që kjo qeveri i ka bërë banorëve të Kamzës, bashkisë së 6-të më të madhe në vend.

Banorët e Kamzës janë diskriminuar që ditën e parë që Rama është ngjitur në pushtet. Ky është kryeministri më mashtrues që Shqipëria ka pasur prej vitit 1991. Një prej mashtrimeve më të mëdha e bërë publike ka qenë dhe “betimi” nga qendra e qytetit të Kamzës e Ramës për të legalizuar të gjitha ndërtimet pa leje, për të mos i shembur ato, me përgjërimin e marrjes së votës, duke pohuar se edhe ati i tij shpirtëror Enver Hoxha të ngrihej nga varri nuk do t’i shembte banesat, ndaj t’i gëzojnë. Ndodhi që siç Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim, po kërcënon hedhjen në rrugë të 400 familjeve tek Unaza e Re, kërcënim real ky dhe për banorët e Kamzës dhe Paskuqanin me këtë kryeministër në detyrë. Ishte Edi Rama që terrorizoi qytetarët e Kamzës gjatë aksionit për energjinë elektrike.

Dhuna ishte e hapur pasi pa bërë një verifikim të situatës në terren se si ishte e vërteta e mos mbledhjes së të ardhurave, a kishte mbifaturime për qytetarët, etj, shteti i detyroi ata të paguanin faturat e kripura pavarësisht në e kishin shpenzuar sasinë e kilovatëve të energjisë që shënohej në faturë. Tjetër arsye që një qytetar i Kamzës të dalë në shesh përballë kryeministrit mashtrues është se Rama i ka hequr edhe bukën e gojës. Nga 7500 familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike në vitin 2013, sot nuk janë as 400 familje.

Do të jenë në shesh kundër kësaj qeverie e cila nuk ka investuar për të ndërtuar asnjë shkollë, kopësht dhe çerdhe të cilat do të jenë për fëmijët e tyre sot dhe brezat në të ardhmen. Do të protestojnë dhe për faktin që bashkisë së 6-të më të madhe në vend nuk i ndërtuan një qendër shëndetësore ku të marrin ndihmën mjekësore edhe pse bashkia e ka ofruar ambientin! Do të protestojnë sepse për një tullë që mund të kenë vënë, janë burgosur pa të drejtë dhe janë dergjur dyerve të gjykatave fal represionit të kësaj qeverie! Do të protestojnë për faktin se qeveria nuk akordon numrin e duhur të bursave për fëmijët e tyre, ku për shembull këtë vit sikurse dhe më parë ka akorduar vetëm 15 bursa nga 90 që i takojnë bazuar në numrin e popullsisë. Do të protestojnë 700 familjet e përmbytura të vitit 2018 që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin.

Do të protestojnë ndaj kryeministrit mashtrues që nuk ka financuar në ndërhyrjen e kolektorëve që sjellin përmbytje për ta, siç dhe iu premtoi, si dhe duke mos akorduar asnjë mjet për pastrimin e tyre! Do të protestojnë, se kjo qeveri duke mos i kaluar kompetencat Bashkisë Kamzës, shoqëruar me mjete dhe fonde, e ka lënë Kamzën pa asnjë automjet zjarrfikëse dhe në rast rreziku do na duhet ti kërkojmë ndihmë Tiranës! Do të protestojnë edhe ndaj fyerjes që ky kryeministër i ka bërë banorëve të Kamzës herë pas here duke i etiketuar për prejardhjen e tyre.

Kamza është absolutisht etaloni i diskriminimit nga ana e kësaj qeverie. Janë jo pak, por mbi 140 projekte që flenë në sirtarët e ministrive të linjës dhe pavarësisht komunikimit tim si kryetar i Bashkisë Kamëz nuk kemi marrë asnjë përgjigje nëse do financohen. Pra, nga viti 2013, zero fonde i ka akorduar qeveria Bashkisë Kamëz, e për këtë diskriminohen qytetarët ndaj dhe ata nuk kanë pse të mos jenë të gjithë në shesh. Janë aq të harruar qytetarët e Kamzës sa edhe kur eksponentët e PS bëjnë mbledhje në Kamëz nuk dinë se ku ndodhen, i drejtohen banorëve të Vorës siç dhe ka ndodhur!

Kryebashkiaku i Tiranës u shfaq i lumtur teksa inauguronte bulevardin, ku i bëri banorëve të Kamzës ta shfrytëzojnë për të dalë në protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Si e shihini një qëndrim të tillë sfidues?

Në fakt Veliaj i ka protestat çdo ditë të dera e bashkisë apo dhe në zona të ndryshme të qytetit, kundër arrogancës së tij dhe institucionit që drejton!. Nuk kam dashur të merrem me kolegë, por kur bie rasti si i Veliajt nuk ke pse të mos i kthesh përgjigje, aq më tepër në interesimin tuaj si media rreth deklaratës së tij për banorët e Kamzës.

Veliaj ka guxuar që të jetë racist ndaj banorëve të Kamzës si në veprime dhe deklarime disa herë, por çfarë mund të presësh prej tij kur ai është aq skandaloz sa i quajti zgjedhësit e vet shpellarë! Ndryshe nga unë që jam çdo ditë në krye të punëve duke investuar në çdo lagje të Kamzës dhe Paskuqanit dhe me fondet e bashkisë (fal mirëmenaxhimit të taksave vendore), Veliaj merret me propagandë, pasi vetëm në këtë fushë ka investuar. Për punë në terren, sfidoj kryetarin e bashkisë Tiranës dhe shefin e tij Rama.

Veliaj po inauguron investimet në proces e sipër që i la paraardhësi siç është dhe Bulevardi i Ri, Parazi i Ri etj, si dhe financime të projekteve të tjera siguruara po nga Lulzim Basha. Në vend se të përgojojë qytetarët e një bashkie tjetër apo dhe kolegët, Veliaj duhet të bashkëpunojë me bashkinë Kamëz që të pastrojë pjesën e Lumit të Tiranës në territorin që administron, për riparimin e 3 urave lidhëse mes dy qyteteve si dhe zgjatimin e Bulevardit të R,i që e ndaloi sapo hyri në bashkinë e Tiranës! I kujtoj Veliajt shembullin që ne kemi dhënë ku falë investimeve të bashkisë Kamëz në territorin e saj si rruga “Demokracia” (nga ura e Institutit-Babrru), në Paskuqan, 7 km, i është lehtësuar trafiku edhe qytetarëve të Tiranës.

Shpeshherë jeni bërë pjesë e akuzave të kryeministrit Edi Rama, në fakt si është marrëdhënia juaj si kryetar i Bashkisë me Qeverinë?

Kreu i organizatës Rilindje, Edi Rama e ka marrë më së miri përgjigjen nga Kamza dhe i zgjedhur prej tyre si kryetar bashkie. Unë kam fituar përballë tij në çdo betejë falë mbështetjes qytetare. E kam dërrmuar politikisht në çdo palë zgjedhje në Kamëz, vendore apo parlamentare, si dhe fitova dhe ndaj përdorimit të tij të segmenteve të prokurorisë duke më ngritur akuza politike dhe gjykata, pra, drejtësia tha fjalën e fundit duke më deklaruar të pafajshëm!

Unë jam zgjedhur të jem kryetar i Bashkisë Kamëz prej bashkëqytetarëve dhe detyrimin e kam vetëm ndaj tyre, të kem komunikim të vazhdueshëm me ta, të iu gjendem pranë. Duke parë interesin qytetar zyrtarisht përmes shkresave kam komunikuar edhe institucionet e qeverisë me kryeministër Edi Ramën, marrëdhënie që në fakt ka qenë e njëanshme, nuk ka ekzistuar duke qenë se ai nuk i është përgjigjur nevojave të Bashkisë Kamëz për të financuar 140 projektet zhvilluese të një qyteti që nuk ka vetëm banorë të djathtë, por edhe të majtë. Duke qenë sa nuk na është përgjigjur, na ka parë politikisht, i bie që marrëdhënia mes Bashkisë Kamëz dhe qeverisë nuk ekziston. Madje Rama nuk mbajti fjalën që e tha publikisht në Kamëz as për rehabilitimin e 3 kolektorëve.