Juventus shkatërron Sassuolon, Ronaldo nuk i ndahet golit (VIDEO)

Juventus shfrytëzon më së miri ndalesën e Napolit për të thelluar diferencën në 11 pikë. Skuadra bardhezi ka rigjetur fitoren në kampionat ndaj Sassuolos duke fituar 3-0 pa shumë vështirësi.

Pas një gabimi të mbrojtjes vendase, Ronaldo godet fortë me të djathtën, por ndalet nga Consigli, ndërkohë që më pas Khedira e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Sassuolo krijoi mundësi të mira shënimi, por nuk arriti që t’i shfrytëzonte.

Në pjesën e dytë Berardi humbi një rast me portën e boshatisur, ndërkohë që bardhezinjtë nuk do të humbisnin kohë për t’i ndëshkuar në minutën e 70-të me Ronaldon. Ky është goli i 18-të këtë sezon në Seria A për portugezin dhe i 20-ti në të gjitha kompeticionet. Në minutat e fundit ekipi torinez administron rezultatin dhe shënon edhe një tjetër me Emre Can pas një aksioni model.

Juventus njgitet në kuotën e 63 pikëve pas 23 javësh, eksa nuk ka pësuar ende asnjë humbje. /R.Lika-Koha Jone/