Guardiola leksioni futbolli Sarrit, City turpëron keq Chelsean dhe merr kreun (VIDEO)

Manchester City është pamëshirshëm në Premier League. Skuadra e Pep Guardiolës ka shkatërruar 6-0 Chelsea-n dhe është ngjitur në vendin e parë në renditje.  “Qytetarët” e zgjidhën ndeshjen në 25 minutat e para duke gjetur plotë 4 herë rrugën e rrjetës. Fillimisht ishte Sterling që zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 4-t, ndërkohë që më pas Sergio Aguero realizon një super gol me një goditje në hyrje të zonës, duke mos i dhënë asnjë shans reagimi portierit Kepa.

Në minutën e 19-të, argjentinasi shfrytëzoi përgjumjen e mbrojtjes së Bluve të Londrës për të shënuar golin e tretë, ndërkohë që Gundogan realizoi një tjetër gol që mjaftoi për pjesën e parë.

Në të dytën City ul ritmin, por jo “urinë” për gola, pasi do të realizonte sërish me Agueron nga pika e bardhë në minutën e 56-të. 10 minuta nga fundi Sterling mendon për të shënuar një gol të 6-të, i cili mund të jetë fatal për fatin e Sarrit në krye të Chelsea-t. City merr kryesimin me 65 pikë, 1 më shumë se Liverpooli, por të kuqtë kanë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur. /R.Lika-Koha Jone/