E diela e Dritan Dajtit, kryeministri Rama dhe reagimi europian

Këtë të dielë dy ministra të qeverisë Rama dolën me vrik në konferenca shtypi, kur mund ti thonin të shtunën reagimet e tyre për uljen e vendimit nga burgim i përjetshëm për Dritan Dajtin në 25 vite burgim, e ky 15 vite i ka bërë dhe sipas llogarive ai do të lirohej jo shumë vonë. Kur dihet se ai ka vrarë katër punonjës policie.

Ky mbetet skandaloz si vendim gjykate.

Pasi dy ministrat sulmuan vendimin gjyqësor të detyruar nga reagimet e forta të opioninit publik, selia blu reagoi.

“3 ditë me vonesë, të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën. Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës” – thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Demokratët, thonë se faktet janë kokëfortë pasi Edi Rama kishte nën kontroll Gjykatën e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm.

Në vorbullën e deklaratave u përfshi edhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Përmes një postimi në Twitter, Soreca shkruan se ky vendim duhet vlerësuar nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjitshëm.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit për zvogëlimin e dënimit të të pandehurit të dënuar për vrasjen e 4 policëve bën thirrje për vlerësim urgjent nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjithshëm. Reforma në Drejtësi është e pakthyeshëm dhe do të mbulojë të gjitha nivelet e juridiksionit”, – shkruan Soreca.

Por cila është finalja e deklaratave të kësaj të diele ku në qendër kanë një emër: Dritan Dajtin. Duke parë reagimet e forta mospranuese të qytetarëve ndaj një vendimi të tillë, qeveria ia kaloi përgjegjësinë gjykatave. Edhe pse është kjo mazhorancë që i ka vënë fytyrën reformës në drejtësi e cila ka lënë vendin pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese dhe gjyqtarët e niveleve të dyta që po “shfrytëzojnë” në maksimum në ditët e fundit.

Dhe janë fajet e mazhorancës e cila ka lenë vendin pa gjykatë të lartë, pa gjykatë kushtetuese e ku prokurorinë e ka krejtësisht nën varësi.

Reagimet qytetare në rrjetet sociale ishin skandaloze ndaj kryeministrit dhe mazhorancës, duke ditur se ishin gjyqtarët e gjykatës së lartë (me lidhje me PS) të cilët ia mundësuan manovrën gjyqësore për ti shpëtuar burgimit të përjetshëm.