Skandali në Kavajë. Prokuroria nis hetimet për mësuesit, fshehën krimin

Shkolla "Rilindja", Kavajë

Hetimet për ngjarjen në Kavajë kanë nxjerrë në pah fakte të tjera lidhur me dhunimin e minorenes. Ditën e sotme, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet dhe stafin pedagogjik të shkollës “Rilindja” që frekuentonte vajza si dhe drejtorinë Arsimore në Kavajë. Sipas të dhënave, një pjesë e stafit të institucioni arsimor, u informua për skandalin dhe për pesë ditë me radhë heshti duke mos denoncuar krimin në polici.
Në vendimin e gjykatës së Durrësit thuhej se pasi u informua për ngjarjen, mësuesja e thirri nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës. Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj.
Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithçka kishte ndodhur. Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici.
Për skandalin e abuzimit të të miturës, janë në pranga 7 persona, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Ngjarja që ka shokuar opinionin në Shqipëri bëhet edhe më e rëndë nëse konfirmohet se stafi pedagogjik dhe Drejtoria Arsimore kanë pasur dieni mbi përmasat e skandalit dhe kanë heshtur. Një version i tillë i ngjarjes, nëse konfirmohet, tregon se jo vetëm nuk kanë ndihmuar vajzën, por kanë shkelur ligjin duke mos bërë denoncimin siç dhe e kanë detyrë.