“Rama me sulme brutale”, Duka: “Pakti për Universitetin”, veprim okult i qeverisë

Flet për “Koha Jonë” deputetja e PD-së, Valentina Duka: 16 shkurti, dita e një kontrate të re politike

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Qeveria ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve Universitare e shoqëruar, kjo me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e Universiteteve tona duke u përpjekur më kot që fajtori për gjendjen e mjeruar të arsimit shqiptar të kërkohet tek ata dhe jo te qeveria e “Rilindjes””. Kështu e sheh situatën në të cilën ndodhet “Arsimi i Lartë”, deputetja e PD-së, Valentina Duka. Në një intervistë për “Koha Jonë”, pedagogia analizon “Paktin për Universitetin”, që qeveria thotë se zgjidh të gjitha kërkesat e studentëve por që për të është veprim okult, antikushtetues dhe në shkelje të nenit 118 të Kushtetutës së Shqipërisë, që kërkon që aktet nënligjore të nxirren në bazë dhe në zbatim të ligjeve të miratuara. “Edi Rama duhet urgjentisht të ndalojë sulmet brutale ndaj personelit akademik shqiptar, ai duhet ta dijë mirë se pedagogët janë aset kombëtar”,-thotë Duka. Duke parë protestën e studentëve, Duka thekson se 16 shkurti, është dita e një kontrate të re politike. “Zgjidhja fillon vetëm me nënshkrimin e një kontrate të re politike dhe largimin e kësaj qeverie dhe të vetë Edi Ramës”.

Asambletë e Pedagogëve të Universiteteve të Tiranës, në mbledhjen e fundit ranë dakord për të vijuar protestën dhe gjithashtu kanë disa kërkesa për qeverinë. Njëra prej kërkesave është dhe krijimi i grupi pune që të mundësojë hartimin e një ligji të ri. Sa të vlefshme e shihni në këtë pikë dhe ky qëndrim i studentëve dhe pedagogëve po shkakton kaos në Arsimin e Lartë?

Mbështes Asambletë Universitare dhe vendimet e tyre të rëndësishme. Rama dhe kabineti i tij qeveritar duhet të braktisin menjëherë demagogjinë e mashtrimet dhe të plotësojnë sa më parë kërkesat e studentëve dhe të pedagogëve. Por në fakt në vend që të bëjë këtë gjë, qeveria ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare e shoqëruar, kjo me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e Universiteteve tona duke u përpjekur më kot që fajtori për gjendjen e mjeruar të arsimit shqiptar të kërkohet tek ata dhe jo te qeveria e “Rilindjes”.

Me keqardhje të thellë vërejmë se raporte të tilla të këqia e problematike të një qeverie me Universitetin, nuk janë shfaqur në Shqipëri as në kohët më të errëta të komunizmit. Veprime të tilla nuk i shërbejnë reformimit të Universiteteve tona, të cilat me gjithë mangësitë e dobësitë e tyre, kanë një meritë thelbësore për edukimin e rinisë sonë universitare. Partia Demokratike ka kompozuar një grup ekspertësh për të përgatitur projektin e Ligjit të Ri të Arsimit të Lartë, i cili do të ndryshojë në frymë dhe filozofi me ligjin e sotëm.

Qeveria thotë se “Pakti për Universitetin” zgjidh problemet e Arsimit të Lartë, madje u jep studentëve me shumë sesa kërkuan. Si pedagoge si e vlerësoni paktin e qeverisë?

“Pakti për Universitetin”, që përmbledh njëmbëdhjetë VKM dhe katër urdhëra të kryeministrit, jo vetëm që nuk zgjidh kërkesat e studentëve por siç janë shprehur me të drejtë edhe forumet kryesore Universitare, është një veprim okult i qeverisë, antikushtetues dhe në shkelje të nenit 118 të Kushtetutës së Shqipërisë që kërkon që aktet nënligjore të nxirren në bazë dhe në zbatim të ligjeve të miratuara.

Asnjë nen edhe i ligjit aktual nuk i njeh të drejtën Këshillit të Ministrave apo MAS të nxjerrë akte lidhur me plagjaturën (VKM 777), me perfomancën e mësimdhënies (VKM 783) si dhe trasparencën e institucioneve të Arsimit të Lartë Publik (VKM 781). Gjithashtu (VKM-të 777, 781, 783), shkelin hapur autonominë e Universiteteve. Universitetet mund dhe duhet të ngrenë vetë mekanizmat e tyre kundër plagjiaturës dhe për këtë duhet të mbështeten financiarisht nga qeveria. Ato duhet dhe i kanë kompetencat për të ndërtuar vetë mekanizmat e kontrollit të cilësisë së mësimdhënies si dhe organizma të tjera që garantojnë shëndoshjen e veprimtarisë mësimore dhe kërkimore në mjedisin universitar. Ndërtimi i mekanizmave jashtë Universitare dhe të paparashikuara në ligj, janë vetëm model shqiptar, diktatorial, i pangjashëm me vendet e botës së qytetëruar.

Gjithashtu Ministria e Arsimit nuk duhet të ndërtojë grupe pune për të përcaktuar librat me të cilat do të punohet në Universitete, sepse kjo nuk ka ndodhur as në ditët më të egra të diktaturës. Literatura është eskluzivitet i departamenteve të Universiteteve, ndërsa qeveria duhet t’u japë fonde këtyre të fundit që të blejnë literaturë cilësore bashkëkohore dhe ta përktheujnë atë për nevojat e studentëve. Edi Rama duhet urgjentisht të ndalojë sulmet brutale ndaj personelit akademik shqiptar, ai duhet ta dijë mirë se pedagogët janë aset kombëtar i përgatitur ndër vite me kontributet e taksapaguesve shqiptarë, ndaj çdo qëllim i mbrapshtë për ta asgjësuar këtë aset, do të dështojë me turp.

Në vend të këtyre qëndrimeve të paprecedenta, qeveria duhet të akordojë fonde për përmirësimin e infrastrukturës Universitare, fjetoret e studentëve, bibliotekat fizike dhe online si dhe për kampuset universitare siç bëjnë qeveritë e vendeve të tjera. Këto realizohen vetëm duke rritur buxhetimin për Arsimin e Lartë publik dhe jo me propagandë denigruese por duke u marrë seriozisht me problematikat e shumta në këtë sektor jetik të vendit. Nga ana tjetër, mendoj që edhe IAL-të duhet të jenë më shumë të vëmendëshme për rritjen e cilësisë së mësimdhënies si dhe hapjen e tyre  ndaj individëve ekselentë shqiptarë që kanë studiuar në universitetet shqiptare dhe të huaja në shërbim të shëndoshjes të situatës në vetë Universitetet shqiptare.

Të mërkurën, si opozitë debatuar me ministrin e Brendshëm për akuzën që ju i bëni Policisë së Shtetit se ka përdorur dhunë ndaj studentëve në ambientet e Universiteteve. Përveç debatit dhe tensioneve në atë seancë, çfarë do të bëjë më tej opozita për këtë çështje?

Mendoj që policia e cila hyri para një muaji në ambjentet Universitare si dhe sot në ambjentet e disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës, si asnjëherë tjetër në këto 28 vite (është e dokumentuar që një segment i saj ka ushtruar edhe dhunë ndaj studentëve), është një rast paprecedent. Ministri i Punëve të Brendëshme tha në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe të Medias se kërkesa ishte bërë nga administratori i Universitetit, i cili sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, është drejtuesi më i lartë administrativ i Universitetit.  Në fakt është e pajustifikushme që Rektori i Universitetit të Tiranës nuk kishte asnjë informacion për këtë gjë. Policia duhet të qëndrojë larg dhe të mos pengojë në asnjë rast studentët dhe pedagogët për të protestuar në ambientet e universitetit, përndryshe është shkelje e hapur kushtetuese dhe ligjore.

Në Shqipëri situata është e trazuar. Ngujimi i studentëve dhe greva e pedagogëve, shtuar dhe valën e protestave nga qytetarët që janë të pakënaqur me qeverisjen e vendit. 16 shkurti është dita kur opozita thotë se do të dalë në protestë të madhe. A do të jetë manifestim? Protestë? Revoltë? Si është planifikuar protesta e 16 shkurtit?

Protesta studentore ishte një medikament i fortë për të shëruar demokracinë shqiptare nga sëmundjet kronike që po e deformojnë prej vitesh! Nuk kishte mësim më të mirë për një qeveri e cila me arrogancë e kokëfortësi kishte injoruar e përbuzur interesin publik dhe kishte stimuluar korrupsionin dhe abuzimet skandaloze në favor të qeveritarëve dhe njerëzve të lidhur me ta.  Prandaj ashtu si 28 vjet më parë, kur rrëzuan diktaturën më të egër në Europë dhe sollën pluralizmin në Shqipëri, ata u ngritën përsëri kundër një qeverie që ata dhe familjet e tyre po i varfëron gjithnjë e më shumë.

Mendoj që studentët zhvilluan një beteje fisnike me një qeveri të korruptuar e krejtesisht të painteresuar për fatin e universitetit shqiptar. Kjo ishte një betejë jo vetëm për të drejtat e tyre legjitime por edhe për interesat e larta të mbarë popullit shqiptar, për shëndoshjen e demokracisë në Shqipëri dhe euopianizimin e vendit.

Prandaj i bëj thirrje përsëri të jemi të gjithë bashkë në shesh më 16 shkurt në një protestë paqësore për të realizuar kërkesat e studentëve dhe të gjithë shqiptarëve. Zgjidhja fillon vetëm me nënshkrimin e një kontrate të re politike dhe largimin e kësaj qeverie dhe të vetë Edi Ramës.