Ikja e trishtë e Kiço Blushit

Një jetë me kujtime në rrugët dhe skenat e artit                                                            

Nga Josif Papagjoni-

Vdekja e Kiço Blushit më la trishtimin e beftë ndaj një shkrimtari me zë të fortë në letrat shqipe, romancier, dramaturg, skenarist, publicist. Qysh student, në vitin e dytë, vumë në skenë dramën e tij “Çatia e të gjithëve” me Kujtim Spahivoglin, mikun e tij. Mbaj mend që i bënim provat në një studio-aneks mbushur plot dekore e rrangalla skene, por ja aty unë e njoha Kiço Blushin, një djalosh simpatik tek erdhi dhe po ndiqte provat tona. Pastaj në Institutin e Lartë të Arteve iu vu në skenë drama “Shkallët”, po nga Kujtim Spahivogli. Më pas vijoi me drama të tjera, por u bë një skenarist nga më të mirët.

Tregimet e tij, sidomos romani për masakrën e Ali Pashës me vrasjen e 16 vashave të mbytura në liqenin e Janinës, ishte diçka tronditëse e risuese njëherit. I fundit takim që pata me të që diku nga pranvera e vitit që shkoi. U ulëm te Kafja e Aleancës në Teatër,  më dha një komedi për ta lexuar, edhe unë i dhashë një libër. Kaq. Tek largohej nga unë, sepse kishte një “takim tjetër”, e mbante trupin qiri të drejtë, energjik, gjithë shëndet, dhe kurrë nuk më shkonte në mëndje se ky njëri do të shuhej befas, kaq shpejt. I qoftë dheu i lehtë!

Dramaturg, shkrimtar, skenarist, publicist. Lindi në Korçë, më 23 gusht. Kreu studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe nisi punë pranë Televizionit shqiptar (1966). Gati për 20 vjet (1968-1986) punoi pranë redaksisë së filmit artistik në kinostudion “Shqipëria e re”. Një kohë të gjatë ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kryeredaktor në revistën “Nëntori”, ndërsa pas viteve ’90 u përfshi edhe në politikë si deputet i Kuvendit Popullor. Ka botuar tregime, romane, drama, skenarë filmash etj. K. Blushi ka shkruar një numër të konsiderueshëm skenarësh për filma artistikë e dokumentarë, disa syresh të nderuar me çmime.

Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë”, 1975, nis rrugën e suksesit. Me idenë e bukur të njohjes së jetës qysh i vogël dhe nevojën për atmosferë sociale e solidaritet, për imagjinatë dhe fantazi “realiste” te moshat fëminore, sikurse edhe fillimit të një procesi të natyrshëm dhe organik në edukimin e tyre, përfshi humorin e këndshëm dhe vështrimin “fëminor” ndaj dukurive, e kanë bërë këtë film nga më të pëlqyeshmit në llojin e vet, fitues edhe i kupës së Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar. Pas këtij filmi shkroi dy skenarë interesantë: “Pylli i lirisë”, 1976, me alegorinë e kalit të lirë në pyllin e lirë që kapet prej heroit (nënkupto njeriu i lirë) dhe rikuptimësimit të sforcuar paskëtaj në rrafshet jo vetëm simbolike, por edhe politike të luftës çlirimtare; “Tokë e përgjakur” (bashkautor me Nexhati Tafën), 1976, një triptik jete ku pozicionet shoqërore për pronën ndryshojnë nga i poseduar në posedues, nga i poshtëruar në njeri të lirë, ndonëse konceptimi vuan nga modelimet estetike të realizmit socialist me një shoqëri të ndarë gjegjësisht parimit të “luftës së klasave”, të pasur-të varfër, atdhetarë-tradhtarë, komunistë-antikomunistë.

 

Në vitin 1978, K. Blushi shkroi skenarin e filmit “Koncert” në vitin 1936. Filmi çmohet ndër arritjet më të mira të autorit dhe, falë një subjekti interesant me qendër koncertin vokal të këngëtares së njohur Tefta Tashko Koço, jep një tablo sarkastike plot shpoti, humor e ironi ndaj administratës kinse “perëndimore” të periudhës së monarkisë si dhe politikanëve të korruptuar. Në shtëpinë tonë, 1979, nderuar me Çmim të Veçantë në Festivalin X Ndërkombëtar të Giffonit (Itali), sjell një reliev liriko-poetik me qendër dashurinë, tejkalimin e paragjykimeve dhe kuptimin e drejtë të lirisë së zgjedhjes. Filmi historik “Nëntori i Dytë” (bashkautor me Dh. Shuteriqin), 1982, përmes rrugëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, pasqyrohet atmosfera e kohës, vështirësitë e hasura, madhërohet akti sublim i I. Qemalit dhe i atdhetarëve shqiptarë si një akt mbarëkombëtar, duke krijuar më tutje metaforën e Lirisë si qëllim i shenjtë.

“Militanti”, 1984, ishte theroria e një lideri komunist, Vasil Shanto (në film me emrin Visar Shundo), paradigma humane e komunistit dhe luftëtarit si tharmi ngjizës i tij, çka sjellë një peizazh tjetër social e politik, përtej spektrit të ngurtë të skemave, e ngjashme në shumëçka me figurën e njohur të antifashistit, që ka lëruar gjerësisht kinematografia evropiane. Te filmi “Nxënësit e klasës sime”, 1984, ai cek një temë që ishte në spikamë atyre viteve: refuzimin e trysnisë sociale korruptive që vinte drejtpërdrejt nga pushteti apo nëpërmjet të tjerëve, për favore dhe rezultate të pamerituara ndaj fëmijëve, duke i dhënë hapësirë dhe mbrojtje sjelljes dhe qëndrimit të njeriut të ndershëm.

Skenarë të tjerë për filma artistikë: “Çifti i lumtur” (bashkautor skenari me Piro Milkanin dhe Bik Pepën), 1975; “Një natë pa dritë”, 1981; “Një telegram, një këngë”, 1982; Gabimi, 1986 etj.Blushi ka shkruar gjithashtu mjaft skenarë për filma dokumentarë, si: “Cirku ynë”, 1971, “Festa e madhe”, 1972; “Arti i gdhendjes në dru”, 1974; “Gjuhë qe nuk vdes”, 2002 etj. Në gjininë e filmit vizatimor shkroi skenarët: “Shoferi i vogël”, 1977; “Vëth në vesh”, 1982 etj.