Opozita i pret biletën kryeministrit Edi Rama

Opozita ka nisur mitingjet në gjithë vendin për t’i paraprirë protestës së madhe të datës 16 shkurt. Në Kukës, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës dhe qytete tjera mbështetësit e opozitës dhe qytetarë të tjerë çdo ditë zhvillojnë tubime disa orëshe kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë supriza për qeverinë ka ardhur dje nga Vlora. Në qytetin ku është zgjedhur deputet kryeministri Edi Rama dhe ku cilësohet si një nga bastionet e së majtës, dje është shënuar protesta e parë e madhe opozitare. Mijëra qytetarë kanë dalë në qendër të qytetit për të reaguar ndaj rritjes së taksave dhe vendimeve të qeverisë, të cilat sipas tyre i kanë varfëruar. Protesta ka zgjatur më shumë se një orë dhe gjatë zhvillimit të saj qytetarët kanë bllokuar rreth rrotullimin e Skelës, një nga nyjet kryesore të këtij qytetit.

Në protestën e vlonjatëve ranë në sy parrullat e ironike që mbanin në duar kundër qeverisë dhe kreut të saj Edi Ramës. Në një pankartë të madhe prej disa metra ishte imituar një biletë avioni “vetëm vajtje” për kreun e qeverisë Edi Rama, e cila mbante datën 16 shkurt, kur është përcaktuar dhe zhvillimi i protestës kryesore të qeverisë. Bileta mbante logon e agjencisë “Air Albania”, e cila disa muaj më parë u inaugurua me shumë bujë nga ana e kreut të qeverisë. Sot nuk ka asnjë të dhënë për aktivitetin e kësaj kompanie shtetërore, ndërsa mediat e huaja shkruajnë se kompania qeveritare shqiptare falimentoi ende pa nisur mirë punën. Por “Air Albania” ka një histori të veçantë me qytetin e Vlorës, ndaj dhe vlonjatët dje në mënyrë figurative i “prenë biletën” Edi Ramës. Disa muaj para se të niste fluturimet kompania që tani ka humbur, kryeministri Edi Rama premtoi me bujë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Investimi kolosal u tha se do të niste që në vitin 2018 me ndihmën e kompanive turke. Më pas projekti u shty dhe deri më sot ende nuk është vendosur asnjë tullë. Duke e cilësuar si mashtrim këtë premtim të Edi Ramës për t’i dhënë qytetit bregdetar aeroport, vlonjatët nuk e kursyen sarkazmën dje duke shkruar në “biletën” e Edi Ramës: “Nisja nga Aeroporti i Vlorës. Destinacioni: Të s….”.

Veç Vlorës, opozita zhvilloi dje një protestë të madhe në Paskuqan. Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe banorët e Unazës së re që protestojnë prej tre muajsh kundër shembjes së banesave të tyre nga projekti i qeverisë. Ashtu si edhe në qytetet e tjera protestuesit hodhën parulla kundër rritjes së çmimeve, papunësisë dhe sidomos për largimin e të rinjve nga vendi. Ndërkohë në qendër të Tiranës, artistët dhe intelektualët që janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dje “kremtuan” një vit protesta kundër qeverisë. Tubimet kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, edhe pse të paktë në numër dhe të anashkaluar nga media, mund të jenë më të gjatët në historinë e protestave në vend. Dje ata pak artistë që u qëndruan presioneve, blerjeve dhe shantazheve për shembjen e Teatrit, deklaruan se do të jenë në protestën e madhe të opozitës në datën 16 shkurt. Po kështu dhe në Kukës kishte miting madhështorë të opozitës.

Ndryshe nga protestat e tjera, këtë herë opozita ka zgjedhur një strategji tjetër. Prej disa javësh, krerët e partive kryesore PD dhe LSI kanë dalë në qytete të ndryshme të vendit për të organizuar njerëzit për tubimin e madh. Kjo metodë organizimi bëhet jo vetëm për të angazhuar qytetarët, por edhe për të parë se cili është reagimi i shqiptarëve ndaj qeverisë dhe opozitës. Dhe reagimi që vjen nga qytetarët është më i fortë nga sa e ka menduar dhe vet opozita. Në Shkodër, Fier dhe qytete të tjera janë qytetarët, që i kërkojnë kreut të PD-së që këtë herë protestat të vazhdojnë deri në largimin e Edi Ramës. Mesazhet drejtuar Bashës “largo Edi Ramën, ose ik dhe vetë” nuk vijnë vetëm nga militantë të PD-së dhe opozitës, por edhe nga votues të Partisë Socialiste që tashmë e shprehin hapur pakënaqësinë. Në mënyrë më simbolike këtë klimë politike e shfaqi dje qyteti i Vlorës që ka votuar Edi Ramën deputetë, duke i “prerë” biletën vetëm vajte më 16 shkurt.

16 shkurti po vjen dhe Edi Rama biletën e ka në xhep. Për Paris apo Stamboll akoma nuk dihet. Parisi është qyteti nga ku erdhi dhe hyri në politikë në vitin 1998, kurse Stambolli mbetet vendi ku presidenti turk Erdogan i jep siguri nga revoltat shqiptare. Gjithsesi Endri Fuga i ka rezervuar edhe një biletë për Hungari, ndërsa Pandeli Majko është gati t’ia presë biletën edhe për Brazil, mjafton ti zërë vendin e kryeministrit. Elisa Spiropali e vendosur se Edi Rama e ka vendin te Memoriali i Skenderbeut në Lezhë, por Ditmir Bushati nuk pranon që Rama t’i afrohet dinastisë së Bushatllinjve/A.Marku/